Lulzim Basha dhe ekipi i tij në Shkodër. “Do të jem kryeministri i shqiptarëve të thjeshtë dhe të zakonshëm, i halleve tuaja, i shpresave tuaja, i zgjidhjeve tuaja”​

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën elektorale në Shkodër. Basha tha se ekonomia po vuan dhe Rama nuk po punon për krijimin e vendeve të punës.

“Edi Rama thotë se ekonomia është mire, por populli nuk e kupton. E pra, sot nga Shkodra, dua pa asnjë hipokrizi të më thoni mua dhe Ramës të vërtetën tuaj. A po gënjej kur them se ekonomia është katastrofë në Shkodër? A po e ekzagjeroj kur them se këtu nuk ka as punë, as lekë? Kush nga ju është punësuar në këto 4 vite? Kush prej jush paguan më pak fatura dhe taksa? Kush prej jush kurohet më mire? Kush prej jush, e ka më të lehtë të çojë fëmijët në universitet? Cili prej jush studentë e ka më të lehtë të gjejë një vend pune pas mbarimit të shkollës? Kjo është Shkodra, kjo është Shqipëria. E vërteta e dhimbshme është kjo. Kuptoje dhe ti Edi Rama, se ekonomia është katastrofë, papunësia ulur sheshit, vendi është në një gjendje të mjeruar, por ti nuk e kupton dot”, tha Basha.

Kryedemokrati tha se ai do të punojë për ekonominë shqiptare dhe do të jetë kryeministri i halleve të shqiptarëve të thjeshtë.

“Unë nuk jam si Rama. Katër vite kam qendruar pranë këtyre shkodranëve, me këta shqiptarë. I kam parë dhe prekur hallet e tyre, bashkë kemi formuluar zgjidhje dhe unë nuk do të jem si ti. Nuk do të jem kryeministri i batutave, as i barcaletave, as i teatrit të kukullave por do të jem me ndihmën e Zotit të madh dhe votën e shkodranëve të ndershëm e gjithë shqiptarëve të ndershëm, kryeministri i shqiptarëve të thjeshtë dhe të zakonshëm, i halleve tuaja, i shpresave tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Do ti japim fund politikës së fasadave. Na pëlqejnë fasadat, por janë punë e bashkisë. Kryeministri ka detyrë ekonominë dhe nuk mund ti bishtnojë kurrë përgjegjësisë për ekonominë”, tha Basha.

Kryetari i opozitës, solli para qytetarëve një shembull.

Ti jepet Edi Ramës, tha Basha, një makinë me motor të prishur e çon në servis, i fut një dorë bojë e ta kthen pa rregulluar motorin. O Edi, është prishur motorri. Merre thotë, se ta lyeva me bojë. Nuk do me i fut duart tek motorri. Nuk do ai të merret me hallet që kërkojnë zgjidhje. Unë, do ti fus duart tek motorri dhe do ta nis duke ndrequr motorrin e ekonomisë shqiptare”, tha Basha.

Ai u kërkoi falje shkodranëve që ish qeverisja e Partisë Demokratike nuk përfundoi dëmshpërblimin e plotë të përmbytjeve dhe premtoi se fatura do paguhet brenda vitit.

“Ka një borxh të palarë akoma nga përmbytjet e vitit 2010-2011. Dikush që dikush thotë që Edi Rama nuk i paguan. Sigurisht se e ka halë në sy Shkodrën. Këtu as palma nuk vjen të mbjellë. Nuk ka çfarë të thotë në këtë qytet, që nuk u gënjye kurrë. Dua të kërkoj falje në emër të qeverisë së fundit të Partisë Demokratike që nuk arritëm ta shlyejmë këtë borxh ndaj jush. Dua t’u jap fjalën se fatura e plotë për shkodranët, për Nën-Shkodrën, për tokat bujqësore, për shtëpitë tuaja do të shlyhet brenda vitit 2017 e plotë”, tha Basha.