Lulzim Basha shpalosi sot programin për bujqësinë dhe rritjen ekonomike me fermerët e Zvezdës në Korçë. Basha tha se fermerët do mbështeten me para në dorë në shumën 100 milionë euro në vit. Këto para do ulin koston e punës dhe do të rrisin fitimet për fermerët.

“Unë kam ardhur me një program serioz, të zbatueshëm, të verifikuar nga eskpertët ekonomik më të mirë të Europës të kancelares Merkel. Këto janë zgjidhjet që do funksionojnë për gjithë ekonominë. Por një shtyllë e rëndësishme është bujqësia, janë fermerët, sepse 47 shqiptarë në 100, jetojnë me aktivitetin rural, me bujqësi, me blektori, me blegtari, një pjesë e vogël me peshkim dhe natyrisht agrobiznesi. Eshtë shtylla e ekonomisë shqiptare. Ky thotë merrni kredi. Nuk e ka haberin se çfarë keni hequr këto 3 vite. Ky nuk e di se edhe po të doni nuk merrni dot kredi se jeni zhytur në borxhe, apo jo. Programi im ka investimet në bujqësi, ka subvencionin e drejtpërdrejtë pa nipt, pa burokraci, pa kasë fiskale, pa rregulla të kota që shpiken për mosdhënien e subvencionit. Paratë do shkojnë tek fermerët në bazë të prodhimit që gjeneroni, plot 100 milionë euro që së pari do zeroni koston e mekanikës. Së dyti, do tentojmë uljen dhe zerimin e kostove për plehrat kimike dhe imputeve të tjera bujqësore”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha tha se ulja e taksave, rritja e pensioneve, do të rrisë fuqinë blerëse të shqiptarëve. Kjo do të rrisë prodhimin dhe vendet e punës për shqiptarët.

“Nga ana tjetër, do të ulim TVSh-në që do gjenerojë 400 milionë euro në xhepat e shqiptarëve të cilat do të rrisin konsumin. Ku ka treg nëse ska lekë për të harxhuar?! Vetëm me uljen e TVSh-së ne do e rrisim fuqinë blerëse me 400 milionë euro vit për vit. Këto lekë, i marrin sot tatimorët, ia çojnë Edi Ramës dhe ai i bën kullë në Korçë. Taksa të ulëta, rritje konsumi, subvencione për fermerët, ndalimi i importeve që konkurojnë në mënyrë të pandershme djersën tuaj, masa ekonomike që do rrisin fuqinë e shtresave në nevojë si dhe për pensionistët, të gjitha janë të lidhura në një koncept të ekonomisë së fortë dhe të një të nesërme të sigurtë”, tha Basha.