Ju përshëndes dhe ju uroj nga zemra për ditën e 80-të të bashkimit më të madh të shqiptarëve, për zgjedhje të lira dhe për Republikën e Re, autorë të së cilës jeni ju qytetarë dhe qytetare, të rinj dhe të reja, autor i së cilës është populli shqiptar.

Miqtë tanë të nderuar, publicistët Fitim Zekthi, opinionisti Ergys Mërtiri, nënat që folën këtu në këtë forum, studentët, Ibrahimi një nga njerëzit me të cilët Shqipëria është krenuar në arenën ndërkombëtare, një ekspert i jashtëzakonshëm, trajtuan shqetësimin e madh kombëtar të një Shqipërie pa zgjedhje por me votime moniste. Dhe për ju të rinj që keni lindur pas viteve ’90 apo që keni lindur pak përpara viteve ’90 dhe nuk keni kujtesën historike për votimin monist, do të thotë të mos zgjedhësh dot, të mos kesh mundësi të zgjedhësh.

Ky është plani kriminal i Edi Ramës, t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë me opozitën në letrën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve. Kur ju, kur ne, u ngritëm më 18 shkurt dhe ia dogjëm këtë plan orgurzi, tani plani tij kriminal është të shkojë në një palë zgjedhjeve të asgjesuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, vetëm me një subjekt politik, me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve dhe kriminelëve, me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite.

***

Edi Rama, ka disa ditë që flet për destablizimin e Shqipërisë. Në fakt Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë me themele në këto 4 vite.

Faktorët kryesorë të destabilizimit të Shqipërisë janë krimi i ngritur në pushtet, në institucione, me deputetë kriminelë, me kryetarë bashkish kriminelë, me kryepolicë kriminelë, me doganierë kriminelë, me tatimorë kriminelë, me drejtorë kriminelë dhe me njeriun që drejton këtë ushtri krimi dhe droge, që është vetë Edi Rama, projektuesi, arkitekti, përfituesi i Shqipërisë së inkriminuar dhe të droguar.

Kush i solli kriminelët në Kuvendin e Shqipërisë?

Kush i solli kriminelët në krye të bashkive të Shqipërisë?

Kush i solli kriminelët në Policinë e Shtetit?

Kush i solli kriminelët në krye të institucioneve?

Kush i solli eskobarët?

Kush e mbolli Shqipërinë më drogë nga jugu në veri?

Edi Rama me ushtrinë e tij të krimit, me batalionin e tij të krimit me të cilin sundoi Shqipërinë, të djathtë e të majtë, në këto 4 vite.

I solli kriminelët e mbushi Shqipërinë me drogë, prishi çdo palë zgjedhje që pati në dorë, që nga Korça, e mbani mend apo jo?Dy muaj pasi kishte marrë pushtetin, në një situatë të vështirë për opozitën, kur ne garuam për hir të garës qytetare me një qytetar të jashtëzakonshëm, e mbani mend apo jo, me Sotiraqin?! Vetëm e vetëm për t’i dhënë demokracisë garën e ndershme, realisht dy muaj pas humbjes në nivel kombëtar dhe pas promovimit të ish-kryetarit të bashkisë si zv.kryeministër. Ajo që vlente, ishte beteja. Por jo, Edi Rama nuk u mjaftua, u filmua duke shpërndarë para për vota.

Mbani mend 2015-ën si e vonoi ligjin për dekriminalizimin që të çonte Roshin në Kavajë, Tur Bushin në Krujë, Artur Ndojin apo Bardhin, apo si të dojë, se ka nja 7 emra, në Kurbin, kandidatë me rekorde kriminale në Fushë-Arrëz, në Pukë, në Has, Tërmetin e famshëm në Tepelenë.

Tërmeti, ai është shoku i Edi Ramës, ta dini, me atë krenohet Edi Rama. Unë kam krenari kur ulem e pi një kafe me Artan Fugën dhe shokët e tij, ky krenohet kur pi kafe me Tërmet Peçin, me Klement Ndonin, edhe me Gjushin, të mos harrojmë Gjushin, poliedrikun e krimit, injorancës dhe korrupsionit.

Dhe pas kësaj, kur OSBE/ODIHR i tha se me këto zgjedhje ke shkatërruar besimin e shqiptarëve tek procesi elektoral, cfarë bëri, për t’iu rikthyer besimin shqiptarëve në procesin elektoral?

E mbushi Shqipërinë me drogë, ia dorëzoi PS-në e Dibrës kryekriminelëve të Shqipërisë, dhe futi duart edhe në zgjedhjet në Kolonjë.

Sepse, Edi Rama ka tmerr nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, prandaj projekti i tij i vetëm politik ishte dhe mbetet, shkatërrimi i zgjedhjeve, diktimi i Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme, jo nga vota juaj, por nga krimi dhe droga në pushtet. Ky është plani, ky është projekti, këtë ka bërë 4 vite me radhë.

E ka destabilizuar Shqipërinë e ka shkatërruar ekonominë, ka rrënuar shëndetësinë, e ka çuar vite e dekada mbrapa arsimin, ka varfëruar shqiptarët; nga pensionistët që sot blejnë më pak me pensionin e tyre, tek biznesi i vogël që është në pikë të hallit, tek investitorët e mëdhenj shqiptarë apo të huaj që kanë filluar të gjithë njëri pas tjetrit të largohen dhe të mbyllin bizneset e tyre dhe vendet e punës në Shqipëri.

Edi Rama e ka destabilizuar Shqipërinë. Ky vend që ne, të gjithë shqiptarët, të djathtë e të majtë, e bëmë anëtare të NATO-s në vitin 2009, ky vend, sot nuk kontrollon dot as kufijtë, as territorin. Sepse kufijtë dhe territori i Shqipërisë janë nën kontrollin e krimit të organizuar, bandave të drogës dhe kupolës së korruptuar kriminale të Policisë së Shtetit e cila s’mund të jetë gjë tjetër veçse zgjatim nga njëra anë i kriminelëve që pasurohen duke shtypur e skllavëruar shqiptarët në industrinë e drogës, dhe nga ana tjetër, e pushtetit të korruptuar dhe kriminal të Edi Ramës.

Këta janë faktorët e destabilizimit. Nuk ka nevojë asnjë kundërshtar i Shqipërisë të fusë duart dhe të bëjë diçka për Shqipërinë, se gjitha të zezat ia bën Edi Rama nga A tek ZH-ja.

Investimi i vetëm i atyre që nuk duan përparimin e Shqipërisë, investimi më i zgjuar i tyre, është të mbajnë në pushtet Edi Ramën me çdo kusht, se kështu ia bëjnë gropën Shqipërisë dhe shqiptarëve të djathtë e të majtë.

Por kjo nuk mund të jetë kurrë e ardhmja e vendit tonë, ky nuk mund të jetë kurrë fati i Shqipërisë dhe fati i shqiptarëve, as i djathtëve, as i të majtëve. Kjo është historia e 4 viteve që shkuan dhe që mbyllet përfundimisht me 18 qershor.

Shqipëria është e destabilizuar sepse është në dorë të kriminelëve, sepse policia është në dorë të kriminelëve, sepse shteti është në dorë të kriminelëve dhe të drogës. Shqipëria është e destabilizuar sepse qytetarët janë në dëshpërim dhe pasiguri totale. E tha nëna e dy vajzave, por sa nëna të tjera kanë histori të tilla, ku droga sheshit, jo vetëm u shitet por u ofrohet fëmijëve 11 vjeç nëpër shkolla për të krijuar tregun kriminal të konsumit  duke helmuar fëmijët e shqiptarëve.

Ky nuk e sheh drogën, ky nuk e sheh krimin, ky sheh vetëm opozitën si armik. Dhe çdo qytetar që është ngritur në këmbë për demokraci dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose e shan, ose e përbuz, ose e kërcënon.

Sepse projekti i kriminalizimit të Shqipërisë, projekti i drogimit të fëmijëve shqiptar, është vetë projekti politik i Edi Ramës, që ka qenë në gjendje dhe është në gjendje të bëjë gjithçka për pushtetin dhe pasurinë e tij dhe asgjë për ju qytetarë të këtij vendi, qytetarët sovranë të Shqipërisë.

***

Kjo nuk është parullë politike.

E mbani mend si erdhi me premtimet e 300 mijë vendeve të punës? A flet më sot ky njeri për vendet e reja të punës? Sigurisht që jo, se ky jo vetëm që nuk hapi vende të reja pune por me politikën e tij anti-ekonomike, anti-mirëqenie, mbylli me qindra –mijë vende pune, falimentoi me mijëra biznese të vogla, mbylli mundësitë që të tjerët të mbanin në punë njerëzit që kishin në punë e aq më shumë të merrnin edhe të tjerë.

Rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, rriti çmimin e naftës dhe të gjitha këto fatura që i vilte me kërbaç, gjithë këtë haraç që vuri mbi shpatullat e shqiptarëve, kurrë nuk e ktheu tek shqiptarët as si investim, asnjë kilometër rrugë dhe në rrugët që i gjeti pa përfunduar prapë ashtu i ka lënë në atë gjendje të mjeruar, asnjë shkollë të re, asnjë spital për të qenë.

Të gjitha paratë i bëri rrush e kumbulla, pjesën më të madhe e ndau me oligarkët me nushët me shokë, me koncesione korruptive që nuk sjellin asnjë leverdi as për shëndetin e shqiptarëve, as për mirëqenien tuaj, as për xhepat tuaja, por vetëm për xhepat e Vilma Nushëve e të Edi Ramës me shokë.

Një pjesë tjetër ua dha ndërtuesve të korruptuar me të cilët ka 20 vjet që menaxhon karrierën e tij politike, me të famshmen rilindjen urbane, buzëkuqi që i kushtoi shqiptarëve të varfëruar deri në palcë 600 milionë euro. 600 milionë euro për palma nga 600-900 euro secila, që thahen me erën e parë të dimrit, ndërkohë që shqiptarët gërmojnë në xhepat e tyre qindarkën e fundit për të ushqyer fëmijët, gërmojnë dhe futen borxh për të paguar faturën e energjisë, gërmojnë dhe futen në borxh për të paguar taksat e larta apo tarifat e papërballueshme të arsimit të lartë për fëmijët e tyre. Sepse, gjithçka u bë më e shtrenjtë me Edi Ramën kryetar të shtetit të inkriminuar e të korruptuar e të droguar.

***

Edi Rama e ka destabilizuar Shqipërinë me themel dhe e vetmja shpresë për ta stabilizuar Shqipërinë dhe për ta çliruar Shqipërinë, dhe për ta kthyer Shqipërinë në rrugën e lirisë dhe demokracisë jeni ju, është kjo lëvizje popullore, është ky bashkim shqiptarësh i pathyeshëm.

Në këtë gjendje të mjerë ku e ka sjellë ekonominë, në këtë destabilizim përmes krimit dhe drogës ku e ka futur Shqipërinë ai e di fare mirë se nuk ka asnjë fabul ta shpëtojë para shqiptarëve.

Në traditën e etërve të tij politik ka shpikur armikun, dhe fushatën moniste për 18 qershorin do ta bëjë me armikun e shpikur, që nuk është thjeshtë opozita, nuk është thjeshtë PD, nuk jam thjeshtë unë, por janë gjithë qytetarët shqiptarë të cilët refuzojnë dokrrat e tij, mashtrimet e tij, justifikimet e tij për dështimin e tij total dhe qeverisjes së tij në këto 4 vite. Qeverisjen katastrofë, që ndërtoi shtetin e krimit e të drogës, shtetin e eksodit më të madh të shqiptarëve.

300 mijë shqiptarë të larguar në 4 vite të qeverisjes dhe qindra e mijëra të tjerë gati për të ikur ditën e parë, me mundësinë e parë. Kjo është arritja e Edi Ramës, 4 vite katastrofë, shkatërrim, varfëri dhe mjerim.

Ai e di se çfarë e gjen atë me përballje me votë të lirë, të ndershme para qytetarëve shqiptarë. Ai e di se çfarë e gjen atë, ministrat e tij dhe kriminelët më të cilët ka lidhur fatin e vet politik, me një drejtësi vërtetë të pavarur, me një veting që nuk e kontrollon ai me formulën Rama-Shullazi-Tahiri-Xhafaj, por formulën Hahn-Nuland, me gjyqtarë e prokurorë të pavarur? E di mire, se çfarë e pret, nga drejtësia e pavarur, njeriun që ngriti krimin dhe drogën në pushtet në këto 4 vite.

Plani i tij është fare i thjeshtë, t’i shmangë të dyja, as zgjedhje të mos ketë, as reformë të vërtetë në drejtësi të mos ketë.

Por i ka bërë planet pa hanxhinë. Hanxhia nuk jam unë, hanxhia nuk është Partia Demokratike. Sovrani, të cilin e ke përjashtuar nga llogaria, por para të cilit do të japësh llogari shumë shpejt, është populli shqiptar.

***

Republika e Re nuk është republika vetëm e demokratëve, nuk është ideja e Lul Bashës, është thirrja e kohës, është standardi minimal që janë gati të pranojnë bijtë dhe bijat tuaja, qëndrestarë dhe luftëtarë të dhjetorit ’90. Ju luftuat dhe sollët pluralizmin, luftuat dhe sollët liri në nivele dhe standarde të ndryshme, ne njohëm dhe prekëm funksionimin e demokracisë, por demokracinë reale, atë pjesëmarrëse, jo përfaqësuese, që e keni në dorë ju, siç e ka në dorë çdo qytetar i lirë europian, atë s’e keni pasur asnjë ditë.

Kjo është ëndrra e brezit të ri. Në fakt, më shumë se ëndërr ky është ultimatumi i brezit të ri. Lum kush e kupton, mjerë kush e refuzon sepse ëndrra e rinisë nuk ndalet!

Fundi i republikës së vjetër po afron. Republika e Re mban me vete një premtim të madh për çdo shqiptar, absolutisht për çdo shqiptar.

***

Republika e Re, do të thotë në radhë të parë që resurset e Shqipërisë dhe shqiptarëve, taksat e shqiptarëve, të gjitha burimet pasurore të administrohen në transparencë, në llogaridhënie totale, vetëm për shqiptarët.

Kjo do të thotë se do të marrë fund ajo kastë oligarkësh, ata 5 apo 6 miliarderë në kurrizin tuaj, që fryhen si shushunja me tenderat dhe koçensionet e parave tuaja. Sepse këto konçesione do të marrin fund që orën e parë të Republikës së Re. Paratë, plot 250 milionë euro vit për vit, të koncesioneve korruptive, do u kthehen shqiptarëve dhe sa më takon mua, do t’i kthehen të gjitha shtresave.

Do t’u kthehen pensionistëve, të cilët në Republikën e Re, do të kenë pensionin minimal, 250 mijë lek në muaj. Ky është premtimi i Republikës së Re për çdo pensionist, kjo është lufta, që ju ftoj të bashkoheni, çdo pensioniste dhe pensionist.

Ato 2.8 miliard euro të zhvatura nga buxheti i shtetit, përmes korrupsionit galopant siç e ka faktuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, do t’i kthehen çdo shtrese shoqërore, çdo grupi interesi ekonomik, social, në Shqipëri. Duke përfshirë biznesin, i cili do të ketë garancitë e klimës më konkuruese në rajon, taksën më të ulët në rajon, taksën e sheshtë 9%, që të ndezë motorrët e ekonomisë, të çlirojë energjinë pozitive që e ka strukur nga frika e shtetit zuzar e të inkriminuar të Edi Ramës, të shtetit që i rri përballë me shkop, i cili në Republikën e Re, do të jetë aleat i sipërmarrjes, me një funskion; të hapë vende pune për shqiptarët.

Dhjetëra, qindra mijë biznese të vogla, e dinë dhe duhet ta dinë, se në Republikën e Re, nuk do t’i marrë malli më për surretërit e korruptuar të taksidarëve dhe inspektorëve që u marrin shpirtin nga mëngjesi në darkë, ditë për ditë. Pulla fiskale, me shlyerjen e detyrimeve që kurrë nuk mund të tejkalojnë 1.5% të xhiros në bazë të vetëdeklarimit, siç bëhet në Europë, pulla fiskale do të pamundësojë praninë e çdo inspektori shtetëror në bizneset tuaja, përveçse, nëse vjen si klient për të blerë apo porositur, përndryshe e pret burgu nëse vjen t’u bëjë presion apo t’u marrë rryshfet.

Mbi 40 mijë familje që janë hequr padrejtësisht nga ndihma ekonomike, një pjesë prej të cilëve kanë ikur në azil për të mbajtur frymën gjallë dhe mbi 70 mijë të tjerë, të cilëve shteti kriminal dhe i dështuar i Edi Ramës ua merr me fatura energjie, me taksa dhe me çmime të larta, atë që ua jep me një dorë, duhet ta dinë, se në Republikën e Re, çdokush që ka nevojë për ndihmën ekonomike, në kohën që përgatitet për të gjetur punësim në ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurt që Republika e Re do të ndërtojë, do ta ketë shtetin në krah. Se faturat e energjisë, deri në 300KV, dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga buxheti i shtetit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike.

Ku i ke paratë thotë. Pyete Vilma Nushin se ku i ke paratë? Do t’i nxjerrim paratë nga valixhet dhe kontot dhe bankat e oligarkëve dhe pushtetarëve të korruptuar dhe do t’ia kthejmë shqiptarëve, zotërve të vërtetë të tyre.

Për të gjithë fëmijët shqiptarë, cdo fëmi shqiptar, në Republikën e Re do të ketë shkollën nëntëvjeçare dhe të mesme, tempullin e të ardhmes dhe të dijes, si infrastrukturë, nuk do të ketë asnjë godinë më të mirë, më të mirëpajisur në asnjë lagje të qytetit dhe në asnjë lagje të Shqipërisë, se sa shkolla e atij fshati apo qyteti.

Kushte të garantuara nga ora 08.00 deri në 16.00 me drekën e paguar nga Republika e Re, për çdo fëmi shqiptar. Me mësues të çliruar nga vargonjtë e abuzivizmit, të drejtorive arsimore, që funksionojnë sot si motele dhe si banka për pushtetarët e korruptuar. Me mësues me rroga të dyfishuara. Nuk do të ketë asnjë investim më të fuqishëm të Republikës së Re, se sa fëmijët e shqiptarëve.

Droga do të marrë fund. Çdokush që do të kapet duke shitur apo ofruar drogë fëmijëve shqiptarë, e pret burgu i gjatë dhe i vështirë. Republika e Re, do të jetë e ashpër me ata që helmojnë fëmijët shqiptarë me drogë, ndaj teksa hedhim themelet e saj dhe rrëzojmë republikën e vjetër, u bëj thirrje kriminelëve që helmojnë fëmijët e shqiptarëve; hiqni dorë sepse do të uronit të kishit litarin në fyt me atë që do t’u bëjmë nëse vazhdoni të helmoni fëmijët tanë. E zeza do t’ju pijë, do t’ju shfarosim. Policia e Republikës së Re do të autorizohet të ndërmarrë të gjitha veprimet, për të trajtuar çdo person që shtrin drogën drejt fëmijëve, njësoj sikur drejton pistoletën drejt policit. Do t’iu asgjesojmë!

30 mijë lek të vjetra për fëmijët shqiptarë, do të jetë subvencioni i drejtpërdrejtë i Republikës së Re për shpresën, forcën, besimin europian, tek e ardhmja e Shqipërisë europiane, gjithçka për fëmijët e shqiptarëve, gjithçka për fëmijët tanë.

Fermerët shqiptarë nuk do të kenë më asnjë arsye të braktisin tokat, të therin bagëtitë, të shesin pasuritë e të nisen drejt emigracionit. Nuk do të kenë më asnjë arsye, të skllavërohen në skllavërinë e drogës.

Ne kemi një plan për mbështetjen totale të fermerëve. Me 1.5% të prodhimit të brendshëm bruto, 150 milionë euro në vit, nga të cilat 100 milionë euro do të përdoren për subvencione të drejtpërdrejta për çdo fermer, vetëm në bazë të prodhimit, dhe 50 milionë euro të tjera do të ndihmojmë vit për vit, infrastrukturën nga rrugët tek vaditja, kullimi, tregjet që ua kanë mbyllur pushtetarët e korruptuar dhe monopolistët, të cilet Republika e Re do t’i nxjerrë me gisht në gojë dhe do i hapë rrugën çdo fermeri të ndershëm, të jetojë me djersën e ballit, të krijojë mirëqenie dhe punësim për veten dhe familjen dhe ushqime cilësore me çmime të përballueshme për qytetarët shqiptarë.

Sepse, dogana do të mbyllet për çdo mall të huaj që konkuron në mënyrë të pandershme prodhimet e fermerëve tanë. Shënojeni këtë. Shënojeni këtë edhe ju, atashe tregtarë në Tiranë. Prodhimet e subvencionuara të fermerëve tuaj, nuk do të konkurojnë më kurrë prodhimet e fermerëve të mi në Shqipëri. Vetëm me tarifa doganore të ndershme, të cilat do t’i mundësojnë në radhë të parë fermerit shqiptar të shesë mundin dhe djersën e vet, vetëm në këto kushte bëhet fjalë për tregti të hapur dhe tregti të ndershme. Se që të subvencionosh fermerin e huaj dhe ta sjellin mollën, qepën, pataten me çmim konkurues, me çmime më të ulëta se sa fermerët shqiptarë, që u bie bretku, kjo për mua nuk shkon, unë këtë nuk e pranoj. Me ndihmën dhe votën tuaj unë këtë do ta ndaloj në Republikën e Re.

Studentët shqiptarë e dinë tashmë se, këtu tek kjo vijë e verdhë, orën e parë do të shfuqizoj ligjin për arsimin e lartë, ligjin e ndyrë të injorantëve dallkaukëve, hajdutëve të republikës së vjetër.

Këtu do ta firmos dhe se, ligji i ri, po përgatitet nga kolosët e mendimit akademik. Me ligjin e ri, asnjë bir, apo bijë shqiptari nuk do t’i privohet për arsye ekonomike, e drejta e studimeve të larta. Shteti do t’i heqë kthetrat nga menaxhimi i universiteteve. Ata do t’i menaxhojnë bota akademike, së bashku me botën studentore, siç bëhet kudo ku shqiptarët duan të studiojnë.

Kjo është formula e suksesit. Akademikët dhe studentët do të menaxhojnë së bashku universitetet tona. Edhe Henri me shokët e tij do kenë një copë diell në Republikën e Re. Jeni privatë, konkuroni si privatë. Po ofruat shërbimet më të mira dhe dikush do t’ua blejë me çmimet më të larta hallall, përndryshe nga sektori publik këtë do të merrni (tregon bërrylin).

Mediat shqiptare, kultura shqiptare, sporti shqiptar do të kenë nga Republika e Re, standardet më të larta të trajtimit përmes lirisë, përmes konkurencës, përmes garancive, që gjithësecili prej jush të prodhojë art, të prodhojë sport, arritje, të prodhojë për artdashësit dhe sportdashësit trofetë që ky komb dhe kjo rracë i ka në gen për t’ua marrë në gara të ndershme europianëve.

Këto janë realitetet e Republikës së Re që po vjen. Asgjë që ju thashë sot nuk ndryshon nga standardet e Europës, drejt së cilës drejtohen mjerisht shqiptarët, për shpresën që nuk e gjejnë në vendin e tyre. Por shpresa është këtu.

***

80 ditë qëndresë janë 80 ditë investim në shpresën e re që ka lindur. Ajo është në sytë, në shpirtrat, në zemrat tuaja dhe të çdo shqiptari të ndershëm. Republika e vjetër ka mbaruar.

E reja ka lindur në shpirtrat tuaja dhe me 13 maj nisim marshimin për ta institucionalizuar, për ta bërë realitet ligjor, kushtetues, institucional, qytetar, popullor kombëtar, Republikën e Re të qytetarëve shqiptarë.

E dimë fare mire, që bisha e plagosur në fund fare, ulërin më shumë. Krimi dhe droga kanë arsye për të ulëritur, sepse, nëse Republika e Re ka vend për këdo madje edhe për Edi Ramën e penduar, për krimin dhe drogën s’ka vend dhe nuk do të ketë vend.

Por Edi Rama dhe çeta e tij politike që në këto katër vite i shërbeu vetëm axhendës së vet politike dhe pasurore, dhe asnjë ditë axhendës tuaj, asnjë ditë halleve dhe probleme të shqiptarëve, asnjë ditë punësimit, arsimit shëndetësisë, ta mendojë mirë hapin tjetër që hedh. Jeni jashtë ligjit, jeni jashtë moralit, jeni jashtë politikës, dhe si të tillë do të trajtoheni nëse nuk tërhiqeni menjëherë.

Votim monist në 18 Qershor nuk do të ketë. Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga, nuk do të ketë.

Ne bashkohemi për të nisur në 13 maj, themelimin e Republikës së Re për çdo qytetare e qytetar shqiptar. Ne njohim dhe do të njohim vetëm këtë Republikë të Re. Bëhuni pjesë e konsensusit popullor për të shembur të vjetrën, shtetin e dështuar, të korruptuar e të inkriminuar e për të ndërtuar së bashku Republikën e Re. Bëhuni pjesë e konsensusit, ose përballuni me popullin.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 80 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, 8 Maj 2017