Lulzim Basha dhe ekipi i tij celin fushatën në Berat. Me 25 qeshor, qytetarët marrin në dorë Shqipërinë, nuk ka shtet të fortë, pa ekonomi të fortë

Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën në Qarkun e Beratit. Basha tha se do të jetë kryeministri i njerëzve, i qytetarëve.

“Kryeministri i Republikës së re, unë nuk do të jem kryeministri i fasadave, nuk do të jem kryeministri i ekraneve televizive. Sa herë kam qenë këtë në këto katër vite, rreth fshatrave këtu në Berat? Kështu kam qenë si kryetar opozite, kështu iu kam premtuar dhe do të vij si kryeministër. Unë do të jem kryeministër i njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Unë do të jem kryeministri i beratasve dhe berateseve të zakonshëm, i halleve tuaja, i shpresave tuaja, i projekteve tuaja. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, do të punoj ditë për ditë për ekonominë e Beratit dhe të mbarë Shqipërisë. Unë do të jem kryeministër i qytetarëve, do të jem gjithmonë pranë jush në momente të mira e në veçanti në momente të këqia. Do të jem me ju, aty ku ju vuani. Aty do jem unë për të ndihmuar dhe lehtësuar vuajtjen tuaj. Dhimbjen tuaj e kam prekur dhe e kam ndjerë dhe do ta vazhdoj ta ndjej duke qënë afër jush, duke ju parë në sy, duke ndjerë frymën tuaj. Prioriteti im i parë do të jenë vendet e punës, hapja e fabrikave në Berat, hapja e fabrikave në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Lideri demokrat tha se ka në pë projekt punësimin, ekonominë e fortë, hapjen e vendeve të punës. Basha theksoi se nuk ka shtet të fortë pa ekonomi të fortë ndaj do të nisë me zhvillimin e mirëqënies së qytetarëve të thjeshtë.

“Plani im ekonomik ka vulën e ekspertëve ekonomikë të Angela Merkel, partisë Kristian Demokrate që na ka ndihmuar me ekspertët e tyre më të mirë, me një plan të fuqishëm ekonomik që do të kërkojë vendime të qarta, vendime të forta, vendime të prera. Vendimi i parë do të jetë ulja e taksave. Ulja e TVSh dhe e taksave do të çlirojë miliona euro në ekominë shqiptare që do të përkthehen në vende pune, në biznese të reja, në rritje të fuqisë blerëse, me më shumë qarkullim të parasë. Leku nuk do të jetë më në xhepin e 4-5 njerëzve por do të kthehet përmes zinxhirit ekonomik në xhepat e sipërmarrësve, të punësuarve, konsumatorëve, pra qytetareve”, tha Basha.