Paraditen e 80-të në Sheshin e Lirisë bashkëbiseduan opinionistë, gazetarë, ekspertë dhe qytetarë për shqetësimin e rrezikut të votimeve pa zgjedhje, të përgatitura nga kjo qeveri për në 18 qershor.

 

Gazetari Fitim Zekthi tha se sfida me të cilën po përballet vendi sot është pikërisht mundësia e futjes në zgjedhje të njëanshme të shumicës qeverisëse. Mënyra se si një qeveri mund të kthehet në tirani, është dëshmuar gjatë këtyre katër viteve – tha Zekthi – tani imagjinoni që kjo të jetë e vetme në qeverisjen e vendit, pa kontrollin e pushteteve dhe ‘checks and balances’, se çfarë mund të ndodhë. Fitim Zekthi argumentoi se nëse Partia Socialiste dhe aleatët e saj, të parëndësishëm politikisht, hyjnë në zgjedhje de facto, moniste, kontrolli do të jetë i pamundur ndaj pushtetit, i cili kthehet në tirani nëse nuk ka kufizimin nga opozita parlamentare.

 

Ajo që sot duket e pamundur, nesër mund të bëhet e pakontrollueshme  – tha gazetari i cili e quajti edhe më të ngutshme nevojën e kësaj proteste për zgjedhje të lira, sa kohë tirania e shumicës lihet e pakontrolluar politikisht, mediatikisht apo kur tolerohet nga vetë elita intelektuale e vendit.

 

Ergys Mërtiri shprehu keqardhje që qytetarët shqiptarë, edhe 27 vite pas, ende protestojnë për zgjedhje të lira, në prag të një situate e cila duhet zgjidhur jo për interesa vetjake apo partiake, por fillimisht për hir të dinjitetit njerëzor dhe rregullave të lojës që garantojnë zgjedhjen e lirë të cdo individi. “Nuk ka rëndësi nëse je shumicë apo pakicë, pasi edhe sikur qytetarët e çadrës së protestës të ishin pakicë, e drejta është pikërisht tek përfshirja e pakicës në pushtet, në qeverisje”, tha Ergys Mërtiri.

 

Ai solli në vëmendje elementin monist të qeverisë Rama, i cili gjendet jo vetëm në planin e zgjedhjeve të 18 qershorit, si ato të 7 majit në Kavajë. Monizmi është jo vetëm në politikë, por edhe në biznes dhe shoqëri civile, media dhe kulturë – tha ai duke theksuar faktin se në mediat shqiptare nuk ka më hapësira opozitare që shprehin alternativën ndaj qeverisjes aktuale. Eshtë në dinjitetin tonë të protestojmë e të mos lejojme të kthehemi në telajon e kryeminsitrit, ku çdo mendim i tij duhet t’i imponohet gjithkujt, pavarësisht nëse shoqëria mendon se është ide e dështuar – tha Ergys Mërtiri.

 

Eriseda Rista, nënë e dy fëmijëve, tregoi se si djali i saj 11 vjeçar kishte rënë në kontakt me të rinj që shpërndanin drogë, ndërkohë që kryeministri thotë se po bën shtet.

 

Anxhela Petashi dhe Aurela Kurti, studente në prag të diplomimit treguan se të rinjtë sot nuk janë më as të motivuar të kërkojnë punë, pasi punë nuk gjejnë. Pasi u përballën me refuzimin e mundësisë për të studiuar në universitete publike, për shkak të formulës së dështuar të ligjit të arsimit të lartë, tani edhe ata që përfundojnë studimet mbeten mes katër rrugëve.

 

Ibrahim Hackaj, eknomist me eksperiecë shumë vjeçare deklaroi se në mënyrë që vendi të mund të përparojë në rrugën e tij europiane, parlamenti i shqiptarëve duhet të përbëhet nga njerëz intelektualë dhe me vlera, jo nga kriminelë që nuk i kanë shërbyer këtij vendi asnjë ditë. Parlamenti është i inkriminuar, kjo do të thotë se edhe niveli i tij është i dobët, por nuk mund të shkohet me këtë parlament, ku për hir të qasjes në Europë duhet njerëz me aftësi shkencore, tha Hackaj.

 

Mirlinda Çollaku me profesion jurist, është nëna e një djali 15 vjeçar të ardhmes së të cilit i trembet për shkak të modelit që fëmijëve u ofrohet sot. Më shumë se nga fjalët e mia, djali im edukohet me modelin që sheh – tha Çollaku – dhe shoqëria jonë për fat të keq ka inspiruar nëj model ku ska rëndësi sa njohuri ke, por sa lidhje ke me të fortët e zonës dhe të qytetit. Juristja theksoi se këtë model i cili shkul të ardhmen e fëmijëve nga duart e vetë prindërve, qeveria po mundohet ta zbatojë edhe në zgjedhejt e ardhshme. Ne duhet të garantojmë minimumin e një shteti normal, që është vota e lirë dhe arsyeja më e madhe është instikti mbrojtës për fëmijët tanë – tha Mirlinda Çollaku.

 

Lulzim Basha bëri një prezantim të gjërë se cfarë do të jetë Republika e Re për të gjitha shtresat e shoqërisë, duke shpjeguar thelbin e saj, që në qëndër do të jetë qytetari dhe ku cdo aset, pasuri e vendit, buxheti i shtetit, do të shkojjë vetëm për nevojat e njerëzve, për krijimin e vendeve të punës, për projekte që sjellin zhvillim.

 

Basha tha se qeveria në këto 4 vite ka dështuar në cdo drejtim, dhe se ka funksionuar vetëm për interesat e saj dhe të oligarkëve të saj. Ndaj, qeveria kërkon me cdo kusht të kapë votën, të mos lejojë zgjedhje të lira, pasi e di mirë se do të ndëshkohet.

 

“Plani kriminal i Edi Ramës, është t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë të drejtë, me opozitën prezente në fletën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve. Më 18 shkurt qytetarët ia dogjën këtë plan, ndaj tani plani tij është të shkojë në një palë zgjedhjeve të asgjesuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, vetëm me një subjekt politik, me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve dhe kriminelëve, me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite”, tha Basha

 

Lulzim Basha i tha qytetarëve se për të mundësuar dhe institucionalizuar Republikën e Re, këtë realitet të ri për qytetarët shqiptar, në 13 maj çdo qytetar, të majtë e të djathtë, të rinj, prindër, burra dhe gra, duhet të ngrihen e të bashkohen për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.


Opinionistë dhe qytetarë bashkëbisedojnë në Sheshin e Lirisë në ditën e 80 të qëndresës për zgjedhje të lira e të ndershme. Të vendosur për tu bashkuar në Tiranë me 13 maj në marshimin popullor