Bashkëbisedim me qytetarë dhe përfaqësues të Elbasanit për problemet e mëdha të këtij qyteti të zhytur në mjerim, ndërkohë që oligarkët përfitojnë duke helmuar qytetin me djegien e mbetjeve 

Paraditen e 74-të në Sheshin e Lirisë kryedemokrati Lulzim Basha bisedoi me qytetarë të Elbasanit për shqetësimet e tyre. Të rinj, prindër dhe gjyshër elbasanllinj treguan problemet dhe folën për një të nesërme më të mirë.

Edona Kaçaniku, studente nga Elbasani, tregoi problemin kryesor të rinisë në Elbasan sot, shkollimin. Studentja e vitit të dytë për drejtësi, foli në emër të gjithë gjimnazistëve në Elbasan të cilëve qeveria i mohoi mundësinë e shkollimit. Formula klienteliste e ligjit të arsimit të lartë la jashtë dyerve të universiteteve publike edhe studentë me nota mbi mesatare. Këta të rinj – tha vajza – sot marrin rrugën e emigracionit për të gjetur atë çka shteti i tyre i mohoi.

Edhe kur shkollimi dhe trajnimi nuk mungojnë, qeveria sërish ka axhendën e saj. Ergys Muzhaqi është baba i pesë fëmijëve nga Elbasani, oficer policie i diplomuar në Turqi dhe me studim pasuniversitar në Cambridge. Në 2013-ën e gjeti veten të pa punë. Ai tregoi se si miqtë e tij, të lidhur ngushtë me Partinë Socialiste, e konsiderojnë rastin e lirimit të tij nga puna si të padrejtë dhe të pashoq.

Besimi, nga Shushica e Elbasanit denoncoi mungesën e ujit të pijshëm prej katër muajsh në fshatin e tij. Askush nuk interesohet – tha babai i dy fëmijëve i cili ka tre vjet që nuk sheh vajzën dhe dy nipat e tij, të larguar në emigrim.

Prindërit sot detyrohen të bëjnë nga dy punë, të paguhen nën shumën minimale të detyruar me ligj nga shteti, vetëm për të mundësuar shkollimin e fëmijëve të tyre. I tillë ishte rasti i nënës së katër fëmijëve e cila tregoi se pranoi të punonte në Gramsh vetëm për 90 mijë lekë të vjetra në muaj, edhe kur vetëm rruga vajtje-ardhje për në punë, i kushtonte 14 mijë lekë të vjetra. Pasi mori kredi në bankë për të futur vajzën në Akademinë e Arteve të Bukura, ajo e gjeti veten të pushuar nga puna, pa para për të paguar arsimimin e fëmijëve të saj.

Në ndërkohë qeveria vetëm pak ditë më parë deklaroi rritjen me dekret të rrogës minimale nga 22 mijë, në 24 mijë lekë të reja, shifra të papërputhshme me realitetin që qytetarët tregojnë.

Albana Myrelini, anëtare e këshillit bashkiak Elbasan foli në emër të komunitetit rom. Mungesa e vëmendjes dhe investimeve ndaj këtij komuniteti i cili ka nevojë për strehim dhe punësim, e bën të pamundur zhvillimin e tyre dhe integrimin në shoqëri.

Kasem Gurakuqi, sot i papunë, tregoi se si kur u kthye në vitin 2012 nga emigrimi, mbolli 5 dynym tokë me ullinj në Dumre, ku vetëm me një kartë identiteti qeveria e kohës i dha subvencion. “Sot në Elbasan askush nuk përfiton nga subvencionet”, tha Kasem Gurakuqi duke theksuar se vetëm në Elbasan janë mbjellë 1 milion e 200 mijë rrënjë ulliri.

Blendi Himci, pedagog në Universitetin Aleksandër Xhuvani, zgjodhi t’i japë zë shqetësimit mbi inceneratorin e inauguruar nga kryeministri Rama pak ditë më parë. Ishte një aferë e pastër korruptive Rama-Ahmetaj-Sejdini – tha Himci. Ai i kujtoi qytetarët se në 2014-ën, pas VKM-së që miratoi ndërtimin e impjantit të djegies së mbetjeve në Elbasan, qeverisë i mjaftuan vetëm 24 orë për të bërë shpalljen, marrjen e mendimit nga banorët, përpilimin dhe lidhjen e kontratës me një firmë me zero eksperiencë në përpunimin e mbetjeve. Firma fituese në momentin e lidhjes së kontratës nuk kishte leje mjedisore, të cilën e mori dy muaj më vonë, pas marrëveshjes me shtetin shqiptar.

Lulzim Basha i tha elbasanllinjve dhe gjithë qytetarëve që kanë ngritur zërin për padrejtësi nga Sheshi i Lirisë se pavarësisht mundit të republikës së vjetër për të mbytur zërat e qytetarëve të thjeshtë, e vërteta thuhet çdo ditë nga tenda e kauzës për zgjedhje të lira.

“Kjo sepse koorporatat mediatike nuk kanë as axhendën qytetare, as interesin e qytetarëve por kanë axhendën e tyre politike që në fakt është axhenda ekonomike e pronarëve, oligarkëve të bërë njësh me kupolën kriminale të republikës së vjetër. Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë ta përfaqësoj Elbasanin për dy vite në Parlamentin shqiptar. Por për fat të keq, rrotacioni politik solli edhe ndërprerjen e projektit madhor të tunelit të Kërrabës dhe autostradës, jo thjeshte për Tiranën dhe Elbasanin por për gjithë Shqipërinë, madje për gjithë rajonin. Katër vite dhe nuk e mbaruan rrugën që e gjetën pothuajse gati”.

Lulzim Basha tregoi se s aka kushtuar pazari politik I republikës së vjetër për zgjedhjen e Presidentit.

“35 milionë dollarë për rrëshqitjen e rrugës së Elbasanit. Ky është çmimi që pagoi Edi Rama për t’i mbyllur gojën Ilir Metës. 35 milionë dollarë të shqiptarëve për ta ulur në karrigen e Presidentit dhe për t’i mbyllur gojën. Ky është pazari. Kjo është republika e vjetër”.

Zoti Basha argumentoi se janë pikërisht këto pazare të republikës së vjetër, ato të cilat lejojnë shqiptarët të jetojnë pa ujë të pijshëm për katër muaj dhe nuk lejojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik të shqiptarëve.

“Kjo nuk është republika e qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është republika e të djathtëve. Nuk është republika e të majtëve. Kjo nuk është republika e gegëve, toskëve apo Shqipërisë qendrore. Kjo është republika e vjetër e krimit, korrupsionit, drogës dhe derrave oligarkë që majmen me paratë e popullit shqiptar”.

Lulzim Basha, duke marrë përsipër pjesën e përgjegjësisë që i takon Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 i tha qytetarëve se në Republikën e Re, do bëhet transferimi i pushtetit nga partitë tek qytetarët.

“Sot partitë vendosin kush ju përfaqësojnë. Prandaj ata nuk ju përfaqësojnë sepse besnikëria e deputetit nuk është ndaj qytetarëve, por ndaj kryetarit të partisë. Në Republikën e Re, ku nuk ka nevojë për 140 deputetë, nga të cilët 120-ve nuk u dëgjohet zëri asnjë ditë”.

Në Republikën e Re, ku do të mjaftonin 100 deputetë, tha Basha, ku çdo deputet  do të jetë në zonën e vetë elektorale, tek qytetarët dhe qytetaret për t’u përgjigjur vetëm para atyre.

“Pazar me Edi Ramën për hir të stabilitetit pa demokraci nuk ka. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje në kauzën dhe betëjn tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk ka dhe nuk do të ketë kthim në kohën e republikës së vjetër, ku populli është vetëm alibia e demokracisë fasadë, parlamentit fasadë dhe qeverisë fasadë”, deklaroi Lulzim Basha.