Gëzimi nuk i është ndarë asnjë çast këtij sheshi të lirisë, pavarësisht prej brengave dhe krizës ku e ka zhytur Shqipërinë Republika e vjetër, sepse është gëzimi i përligjur i shpresës për Republikën e re, i besimit tek e ardhmja që po vjen, që do të marrë rrugë në një ditë të madhe, ditën e shtunë, ditën e bashkimit më të madh të shqiptarëve, ditën e themelimit të Republikës së re, si realitet i pakthyeshëm për çdo shqiptare e çdo shqiptar.

Vëllezër e motra, zonja e zotërinj, të rinj e të reja, së shpejti do të mbushen plot 12 javë, 3 muaj qëndresë, tre muaj bashkim, tre muaj ngadhnjim i të mirës mbi të keqen. Për fatin e mirë Shqipëria ka shpirtin tuaj,  qëndresën tuaj, ka vullnetin tuaj, garancinë e vetme për Shqipërinë europiane. Dita e shtunë, është dita kur ne kurorëzojmë një lëvizje të madhe, që nisi e vazhdon e do të vazhdojë deri në fitoren e kauzës së zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Kjo kauzë mposhti frikën, ky bashkim i trimëroi e i dha kurajo dhe shpresë qindra e mijëra e miliona shqiptarëve të dëshpëruar nga shteti i deshtuar, nga arroganca e pushtetit, nga krimi e droga me lidhje qeveritare që ju shkatërruan ekonominë, ju shkatërruan mirëqenien, ju shkatërruan sigurinë dhe i zhytën shqiptarët në dëshpërim.

E kërkuam rrugëdaljen nga kjo gjendje e rëndë, kudo. Në luftën e përballjen tonë parlamentare, në përpjekjet me çdo faktor të goditur nga qeveria e inkriminuar dhe e korruptuar e Edi Ramës, veç e veç nuk e gjetëm dot. Sepse shpëtimi ishte dhe duhej të ishte në rrugën e bashkimit, që ju i dhatë me fytyrat tuaja, me zërat tuaja  dhe shpirtin tuaj më 18 shkurt e tash 83 ditë e 83 netë.

Përballë shëmtisë së fytyrave kriminale të banditëve me pushtet, përballë skërmitjes së pushteturëve të majmur me gjakun, djersën dhe paratë e shqiptarëve të varfëruar, përballë trushpëlarjes së mediave të kapura e trysnuara me paratë e taksave të shqiptarëve dhe kërbaçin e bandave të drogës, rrezatoi fytyra e dëlirë europiane e shqiptarëve të bashkuar, e burrave, e grave që i bashkon vlera më e shenjtë pa të cilën nuk ia vlen të jetohet liria, liria e votës.

Në asnjë cep të kontinentit europian nuk luftohet aktualisht kaq fuqishëm për vlerat e Europës se sa në këtë shesh të lirisë. Prej 18 shkurtit e deri më sot, Europa e vlerave është Europa e zgjedhjeve të lira. Pa zgjedhje të lira s’kish për të pasur kurrë Europë.  Europa e vlera është Europa e shtetit ligjor, e cila nuk ndëshkon të pafajshmin dhe ngre në pushtet kriminelin dhe trafikantin. Se po të ndodhte kjo vetëm Europë nuk do të ishte. Europa e vlerave është Europa e demokracisë së vërtetë, jo me votime moniste, por vetëm me zgjedhje konkurruese alternativash të padiktuara nga krimi e droga. E ç’t’jua them unë këto, i dinë fare më mirë ju, madje edhe më mirë se ndonjë europian i dini ju, shqiptarët europianë.

Ndaj beteja jonë, është beteja e drejtë për Shqipërinë, është beteja e drejtë për Europën, sepse është beteja për vlerat elementare pa të cilat nuk mund të ketë Europë e nuk mund të ketë Shqipëri.

Teksa marshojmë të sigurt drejt destinacionit që e pret këtë popull europian, që është Bashkimi Europian, bashkimi i vlerave, ndjejmë mbi supet tona peshën e sfidës dhe përgjegjësisë me të cilën na përball historia në këtë udhëkryq të fundit kombëtar para realizimit të ëndrrës së çdo shqiptari: Të ulim kokën para krimit dhe drogës, të ulim kokën para narkorepublikës dhe të pranojmë fatin tonë jo si njerëz të lirë por si robër të narkorepublikës e cila nuk do zgjedhje të lira, por do një parlament të kapur nga krimi e të diktuar nga  droga? Apo të ngrihemi e të bashkohemi të gjithë këtu më 13 maj ditën e shtunë, në një protestë që nuk është vetëm protestë, në një manifestim që nuk është vec manifestim, në një bashkim që do të ketë një emër e do të hyjë në histori si referendumi për Republikën e Re.

Kësaj i trembet republika e vjetër, kësaj itrembet kupola politika e saj, kësaj i trembet krimi dhe droga. Dhe duhet ti tremben. Nuk ka forcë kriminale, nuk ka shtet të korruptuar ti bëjë ballë dëshirës së qytetarëve për liri. Nuk ka betejë më europiane se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju  e keni bekuar këtë betejë për zgjedhje të lira me sakrificën tuaj. Në 83 ditë kjo ka qenë beteja më patriotike, më paqësore dhe më europiane që ka njohur Europa në këto vite. i tillë do të jetë dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve ditën e shtunë.

Kukumjackat e republikës së vjetër, nuk na trembin, nuk na shkurajojnë dhe nuk na ndalin dot nga kauza europiane e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Miqtë tanë anembanë botës e dinë dhe duhet ta dinë fare mirë, se rruga euriopaine e Shqipërisë nuk mund të kalojë dhe nuk do të kalojë nga bojkoti. Nuk mund të kalojë dhe nuk do të kalojë nga mospjesëmarrja. Por kurrsesi nuk mundet dhe nuk do të kalojë as mnga asgjësimi i garës së vërtetë. Nuk mundet e nuk do të kalojë nga rikthimi i monizmit 27 vite pasi e shporrëm me votë njëherë e mirë për të mos e kthyer më kurrë.

Nuk mundet e nuk do të kalojë nga votimet farsë të diktuara nga krimi dhe droga. E ardhmja europiane e Shqipërisë do të kalojë nga autostrada referendare e 13 majit që do t’i japë zërin e popullit shqiptar, vulën e popullit shqiptar, qëndresës tuaj për zgjedhje të lira e të ndershme, të vetmet zgjedhje që do të bëhen në Shqipëri.

Ndaj bashkohuni me mua, me familjen time, me fëmijët e mi do të jemi këtu. Ejani me zemrat e mbushura me besim tek e nesërmja që na pret. Unë e kam parë këtë të nesërme që po vjen, ju po e ndërtoni ditë për ditë të nesërmen e Shqipërisë së shqiptarëve. Bashkë do të shembim çdo pengesë. Bashkë do të nxjerrim në pension kupolën politike të republikës së vjetër dhe këtë të fundit do t’ia dorëzojmë Muzeut Kombëtar në pavijonin e turpit.

Ejani pa frikë, ky do të ketë manifestimi më gjigant që shqiptarët kanë organizuar në ekzistencën e tyre si komb. Askush të mos mungojë në këtë moment të historisë, në këtë moment të Shqipërisë, në këtë moment të Europës që do të vijë e shpalosur me vlerat e saj të vërteta e do të zbresë permes frymës së Zotit dhe bashkimit të shqiptarëve më 13 maj, ditën e shtunë, këtu në këtë shesh.

Forca jonë ka qenë kauza e drejtë. Forca jonë ka qenë interesi qytetar. Kjo jo vetëm nuk na ka lodhur, por na ka bërë më të fortë, na ka bërë të pamposhtshëm këto 83 ditë. Me ketë besim tek njëri-tjetri, tek pastërtia dhe dlirësia e synimeve tona, që nuk bëjmë asgjë për pushtetin dhe pasurinë tonë, por bëjmë gjithçka për mirëqenien dhe pushtetin e qytetarëve shqiptarë, le të bashkohemi vëllezër e motra, të gjithë në shesh, në sheshin e lirisë, ditën e shtunë në orën 12:00.

Askush të mos mungojë në festën dhe referendumin e Republikës së re që themelojmë të shtunën.

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Shqipërinë! ​


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 83-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, 11 MAj 2017