Kryedemokrati Lulzim Basha mbajti një takim me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Gjatë takimit zoti Basha bëri një përmbledhje të rezultatit të marrëveshjes politike të arritur më 18 maj.

Lidhur me ndryshimet në Kodin Penal, Ligjin e Medias dhe atë të Financimit të Partive, Lulzim Basha u ndal në çështjet kryesore që lidhen drejtpërdrejt me garantimin e votës së lirë të qytetarëve.

— Shit-blerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg, duke eleminuar masat ndëshkimore si gjoba. Përmes ndryshimeve në Kodin Penal, tentativat për tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve do të dënohen vetëm me burgim. Gjithashtu kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.

— Sa i përket mbledhjes së kartave të identitetit, me ndryshimet e parashikuara dënohet marrësi dhe dhënësi i kartës së identitetit me burg nga 1 deri në 7 vjet.

— Përdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen ose jo të një partie politike, do të konsiderohet vepër penale me masë sigurie deri në 5 vjet burg.

— Shfrytëzimi i mjeteve publike, veprimtarive shtetërore apo burimeve financiare e njerëzore për zgjedhje, do të dënohet vetëm me burgim nga 1 në 4 vjet.

— Parashikohet gjithashtu ashpërsimi i dënimeve për çdo vepër penale të konsideruar të tillë në fushën e zgjedhjeve, si dhe kriminalizimi i tyre.

— Do të forcohen njëkohësisht edhe rregullat e mbikqyrjes së financimit të partive dhe ndalimit të financimeve të paligjshme.

Këto masa dhe ndërhyrje të parashikuara vijnë për garantimin e qytetarëve shqiptarë nga presioni apo shit-blerja e votës si dhe për të mundësuar një garë të ndershme për partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.

Ndryshimet e sipërpërmendura, të shoqëruara me ato për ministrant teknikë, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit, si rezultat i marrëveshjes politike të 18 majit, do të miratohen ditën e hënë të 22 majit në seancën e orës 18:00 në Kuvend.