Mëngjesin e ditës së punëtorëve, 1 Maj qytetarët u bashkuan rreth diskutimit mbi largimet e padrejta nga puna. Nga e gjithë Shqipëria, të shkarkuarit nga administrata shtetërore dhe të papunët treguan eksperiencat e tyre në bisedën me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Largimet e padrejta nga puna dhe fatura që ato sjellin për buxhetin e shtetit, ishin denoncimet më të shpeshta në Sheshin e Lirisë këtë 1 Maj. Drita Lamaj ishte një nga viktimat e largimeve diskriminuese nga puna, që si tregoi edhe zonja, bëhen bazuar mbi origjinën apo përkatësinë partiake të punonjësit.

Monada Mushketa, drejtoreshë në gjimnazin “Naim Frashëri” në Durrës, me eksperiencë 20 vjet në arsim dha dorëheqjen. Pa asnjë keqardhje Mushketa tha se rezultatet e shkëlqyera të nxënësve të gjimnazit nën drejtimin e saj ishin shpërblim i mjaftueshëm, por një e vërtetë qëndron. Fakti se si ajo edhe kolegë të tjerë të saj, të cilët mbeten pa punë për arsye që nuk kanë të bëjnë me profesionin, nuk kanë asnjë mundësi të transferohen diku tjetër. Shkarkimet bëhen në mënyra selektive dhe mësuesit që largohen, nuk testohen apo vlerësohen paraprakisht. – tha ajo.

Eda Grimçi, avokate, foli për mbi 1 mijë rastet që ajo personalisht ka ndjekur, si qindra të tjerëve të pushuar nga puna pa arsyetim. Ata detyrohen ta gjejnë të drejtën në salla gjyqesh, vendimet për dëmshpërblim të të cilave zvarriten e nuk zbatohen. Paratë për të dëmshpërblyerit qeveria i merr nga buxheti i shtetit, taksat e shqiptarëve.

30% deri në 40% e gjithë administratës është prekur nga ky fenomen. Vetëm për vitin 2015 – 2016 në Gjykatën Administrative janë regjistruar mbi 5400 raste të reja të largimeve nga puna – tha Grimçi.

18 qershori e gjeti Gladiola Bardhoshin në azil, pas largimit dy herë në mënyrë të padrejtë nga vendi i punës. Ajo tha se u kthye pasi kuptoi se mundësitë duhet ti gjej në vendin e saj dhe ky shesh i dha mundësinë të ngrejë zërin për to.

Të larguarit nga puna arsyetuan se çdo qytetar që paguan taksa dhe tatime sot, paguan edhe për rrogën e punonjësit partiak të administratës, ashtu si dhe dëmshpërblimin për të shkarkuarin, vëndin e të cilit zuri i pari pa të drejtë.

Lulzim Basha tha se shkarkimi nga puna i mijëra punonjësve publikë të trajnuar është jo vetëm shkelje e ligjit, por edhe shpërdorim i investimit që është bërë mbi ta.

“Sot janë prapë shqiptarët që do të paguajnë nga taksat e tyre 40 milionë deri në 70 milionë euro fatura, për të mbuluar padrejtësitë e Edi Ramës, që nga njëra anë nxorrën nga puna nënpunësit, duke i lënë në mes të katër rrugëve, dhe nga ana tjetër, faturën për këtë paligjësi ia japin shqiptarëve”, tha Basha.

Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve për një bashkim popullor të cilitdo që propagandën dhe mashtrimin e kësaj qeverie do ta shporrë.

“Sot, shpallën mashtrimin e ditës së punës. Sipas kryeministrit janë 79 mijë e 980 të punësuar në 3 vite vetëm nga zyrat e punës. Pra, afërsisht 80 mijë vetë qenkan futur në punë nga zyrat e punës këto vite. Gënjeshtra më e turpshme më e pamoralshme, e njeriut që premtoi 300 mijë vende pune, e sot në fund të mandatit të tij ka për bilanc 300 mijë shqiptarë të larguar nga vendi i tyre në azil politik. Ky është fakt”, tha Basha. 

Një fakt tjetër i botuar nga Banka Botërore që Lulzim Basha solli në vëmendje ishte ai i raportit nga Elen Glodstein që shkruante se në gjashtë vitet e fundit, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, janë krijuar 300 mijë vende pune. “Vetëm në Shqipëri e Bosnje nuk janë krijuar vende pune, por janë humbur vende pune. 2,4%, vende pune më pak në Shqipëri, 5% më pak në Bosnje”, tha kryedemokrati.

Tentativat për ato që i quan rritje fiktive të pagave përmes dekreteve, Lulzim Basha i quan të pavlera ekonomikisht për xhepat e shqiptarëve.

“Para disa javësh deklaruan se do të rrisin pagën minimale nga 22 në 24 mijë lekë në muaj.  Por shqiptarët e dinë mirë se pagat e rritura me dekret janë zero, nuk vlejnë aspak sepse pagën dhe mirëqenien e rrit ekonomia, jo dekreti. Po nuk u rrit ekonomia, nuk rriten pagat.  Unë kam qenë në dhjetëra punëdhënës të mëdhenj dhe kam pyetur punëmarrësit dhe kryesisht punëmarrëset femra, sa është paga e tyre reale. Kur paga minimale me ligj ishte 22 mijë lekë, ato merrnin 150 apo 160 mijë lekë të vjetra, pra 15 apo 16 mijë lekë të reja. Kjo është paga reale e shqiptarëve që punojnë 6 ditë në javë me orare të zgjatura, me kushte të mjera pune dhe një pagë të padenjë për realitetin gjeografik europian që jetojnë”.

Lulzim Basha i tha qytetarëve se e vetmja pengesë e Edi Ramës për të ruajtur pozicionin e tij dhe klientëve të tij, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Kjo betejë për të ndalur me çdo kusht zgjedhjet e lira dhe të ndershme, para se të jetë një betejë politike për rilindjen, për Edi Ramën është një betejë ekonomike, është një betejë për burime, është një betejë për të ruajtur kontrollin mbi të ardhurat, mbi buxhetin, mbi tenderat, mbi koncensionet, mbi pasuritë e shqiptarëve. Ndaj mosbindja civile do të shtrihet në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo fshat për të kulmuar në 18 qershor ku shqiptarët e bashkuar do të rimarrin kontrollin fizik të Shqipërisë që i takon dhe iu takon vetëm atyre dhe kurrë krimit, drogës dhe qeverisë së lidhur me ta”, deklaroi Lulzim Basha.