Paraditen e 9 majit, Ditës së Europës, në mëngjesin e 81-të në Sheshin e Lirisë intelektualë, profesionistë, të rinj e  të reja bashkëbiseduan me kryetarin demokrat Lulzim Basha, për ato vlera europiane për të cilat qytetarët shqiptarë janë ngritur.

Studentët Endrit Stërmuni, Alim Prati, Frenk Lazmi dhe Kristofor Haskos kujtuan si Robert Schuman, 67 vite më parë hodhi idenë e një bashkimi pa kufij ekonomik në europë, për mirëqënien e  popujve të tyre, që solli edhe atë që sot e njohim si Bashkimin Euopian që Shqipëria aspiron. Kështu i shohin studentët edhe qytetarët shqiptarë, të mbledhur sot rreth kauzës, që është themeli i çdo vlere europiane për liri e demokraci, votës së lirë.

Miqtë e mi më pyesin përse nuk aplikoj për llotarinë Amerikane – tha studenti i shkencave politike Kristofor Haskos – por unë mendoj që rinia duhet të qëndrojë dhe kontribuojë këtu, ndaj edhe ata që kanë fituar llotarinë amerikane, duhet të jenë në shesh ditën e shtunë më 13 maj, në mënyrë që edhe ne këtu të fitojmë të gjithë.

Analisti Preç Zogaj hoqi një paralele mes zgjedhjeve në Shqipëri dhe atyre që sapo prodhuan presidentin e ri francez, Emmanuel Macron.

“Atje vendos populli, këtu vendosin dy vetë tek “pazari i ri” apo “pazari i vjetër”. Nuk e merr vesh askush cili është kandidati. Çfarë ka në mendje, sa kandidatë ka, a ka garë? Populli është zhdukur nga skena. Ky është turp. Me të njëjtën logjikë zgjedhin edhe deputetët. Demokracia është sundimi i popullit. Por aty ku populli nuk pyetet për asgjë, ku është i tradhëtuar dhe braktisur, aty vetëm demokraci nuk ka.

Ëndrra europiane e shqiptarëve ka notuar shpeshherë kundër rrymës dhe tani është kapur prej leckash nga mbarapa, nga korrupsioni, nga kriminaliteti, nga droga, nga keqqeverisja.”

Zogaj i sheh 81 ditë të protestës qytetare si 81 thirrje për dialog të Partisë Demorkatike, në funksion të zgjidhjes së ksaj krize kombëtare.

“Benedeto Croce thotë se në poltikë mirëkuptimi dhe forca janë skaje të bashkëlidhura. Kemi konsumuar pafundesisht elementin e mirëkuptimit. Ka ardhur dita e elementit të forcës, asaj qytetare. Protesta e 13 Majit është një apel jo vetëm për demokratët por për të gjithë qytetarët shqiptarë që mendojnë se Shqipëria nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Smund të kthehet 27 vjet prapa në zgjedhje farsë, në zgjedhje njëpartiakë që nuk na çojnë askund.

Kjo lëvizje nuk është për ti mohuar zgjedhjet dhe votën ndokujt por për tua kthyer votën e lirë gjithkujt, sepse vetëm kjo është rruga që 9 maji i vitit të ardhshëm të na gjejë me një demokraci normale, me një parlament normal.”

Profesor Dritan Hoti soli në vëmendjen e gjithëkujt ironinë se kur Rilindja erdhi në pushtet, ishte pjesë e të ashtuquajturës ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’.  Por këtu nuk pati kurrë fuqi morale drejt Europës, por vetëm një spirale vesesh që e larguan Shqipërinë nga e ardhmja e saj europiane – tha Dritan Hoti i cili protestën qytetare të 81 ditëve pa ndërprerje e sheh si një nisje të re morale me frymën e duhur, në momentin e duhur për një shqipëri europiane.

Lulzim Basha i tha të rinjve dhe çdo qytetari se arritja më e madhe e kësaj qeverie në katër vjet, është numri në rritje i emigrantëve, që na rreshton krah për krah me vende që gjenden në luftë prej vitesh, si Siria.

“Në katër vite kjo kupolë ka punuar vetëm për pasurimin e vet, vetëm për pushtetin e vet dhe nuk punoi asnjë ditë apo orë të vetme për qytetarët shqitparë, për fatet tuaja, për punësimin dhe mirëqënien tuaj.

Katër vjet vetëm për veten e tyre duke e katandisur Shqipërinë në një vend nga i cili qytetarët duan vetëm të largohen në emigracionin më masiv në Europë të krahasueshëm vetëm me Sirinë ku ndodh një nga luftrat më të përgjakshme civile. Por këtu ndodh tash aktër vjet një luftë e heshtur, e ftohtë. Lufta që krimi i organizuar dhe droga, oligarkët dhe pushtetarët e korrutpuar i kanë shpallur popullit të tyre duke i shkatërruar ekonomine me taksa të larta, mirëqënien me cmime të larta, vendet e punës em arrogancën dhe arbitraritetin qeveritar, bujqësinë me mungesën e përkrahjes dhe mungesën e investimeve, shëndetësinë me koncesione korruptive dhe arsimin me ligjet korruptive. Këta i kanë shpallur luft shqiptarëve.”

Vula me të cilën kjo qeveri kërkon të përmbyllë asgjesimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, janë zgjedhjet moniste të përgatitura për të shtypur vullnetin e shqiptarëve, tha Lulzim Basha i cili akuzoi Ramen se, me paratë e drogës dhe krimit, paguan lobistë që përpiqen të shesin gënjeshtrat e tij, si të vërteta në kryeqytetet e vendeve Europiane.

Javët e fundit, këtu nga ky shesh, miqtë tanë europianë e amerikanë e kanë grisur perden e propagandës së Ramës dhe kanë folur me zërin e bashkuar se Shqipëria është në krizë politike dhe ekonomike. Se shkaqet e kësaj krize janë droga dhe krimi me mbështetje qeveritare, politika e degjenuar, e dështuar me në krye Edi Ramën.

Në 3 vite e gjysëm e kemi bërë këtë betejë në Parlament, në konferenca për shtyp dhe studio televizive. Unë, grupi ynë parlamentar, aleatët tanë opozitarë e kemi luftuar këtë betejë dhe them se  kemi luftuar mirë. Por për fat të keq në 3 vite e gjysëm të kësaj beteje, nuk ia kemi dalë të arrijmë as një të dhjetën e fitoreve që qytetarët kan marrë këto 81 ditë.”

Basha tha se kjo qëndresë 81 ditore do të mbetet e vendosur deri në arritjen e garancive për votën e lirë të qytetarëve që do të kthejë politikën në duart e popullit si pronë e drejtpërdrejtë e tij.

Beteja 81 ditore që do të vazhdojë deri në fitoren totale të kësaj kauze, manifestimi dhe bashkimi më i madh në historinë e Shqipërisë demokratike, të shtunën në orën 12, janë axhenda dhe kauza e çdo qytetari.

Kjo është republika e Re. Republika e demokracise pjesëmarrëse dhe jo përfaqësuese. Të drejtën e vendimmarrjes do ta kenë qytetarët, pëmes përfaqësuesve që do ti kontrollojnë vetë. Që do ti emëronjnë dhe zgjidhin qytetarët vetëm me votën e tyre, në zgjedhje, referendume dhe në një strukturë tërësisht të rinovuar të kontrollit dhe balavcës së pushteteteve.”

Lulzim Basha tha se në mënyrë që kjo të ndodhë, në mënyrë që qytetarët të zgjedhin të lirë, të votojnë zgjedhjen e tyre dhe ta shohin atë të përkthyer në përfaqësues të interesit të qytetarëve, fillimisht duhet t’i jepet fund teatrit të kukullave nga sheshi që më 18 shkurt i ofroi zgjidhje krizës dhe më 13 maj t’i japë fitoren e plotë qytetarëve dhe gjithë Shqipërisë, në ora 12:00 në bulevardin “dëshmorët e Kombit”.