Paraditen e 80-të në çadrën e protestës për zgjedhje të lira, u diskutua mbi zgjedhjet e përgatitura nga qeveria, të cilat opinionistët, gazetarët dhe ekspertët i shohin si një kërcënim real monist.

Gazetari Fitim Zekthi tha se rruga që kjo qeveri ka ndjekur këto katër vite është dëshmi e pastër e korruptimit nga pushteti i pakontrolluar. Imagjinoni tani që kjo qeveri të jetë e vetme në qeveri – tha Zekthi – imagjinoni çfarë ndodh pa kontrollin e pushteteve dhe ‘check and balances’. Zgjedhjet moniste, sipas Fitim Zekthit, domosdoshmërisht prodhojnë pushtet të pakufizuar, sa kohë nuk ka opozitë parlamentare që e kushtëzon.

Opinionisti Ergys Mërtiri rëndësinë e situatës e sheh jo tek interesat vetjake të qytetarëve apo udhëheqësit demokrat, por tek dinjiteti njerëzor dhe nevoja për rregulla loje, që garantojnë zqytetarët për liri në zgjedhje. Eshtë në dinjitetin tonë të protestojmë e të mos lejojme të kthehemi në telajon e kryeminsitrit, ku çdo mendim i tij duhet t’i imponohet gjithkujt, pavarësisht nëse shoqëria mendon se është ide e dështuar – tha Ergys Mërtiri.

Demokracia, tha ai, është tek përfshirja e pakicës në qeverisje dhe pushtet, nëse qytetarët e çadrës dëshiron t’i quash të tillë.

Eriseda Rista, tregoi eksperiencën e saj me djalin 11 vjeçar të cilit i ishte ofruar hashash nga disa djem moshatar, gjë e cila për nënën e dy fëmijëve kjo nuk përputhet me shprehjen e kryeministrit që thotë se po bën shtet.

Studentet Anxhela Petashi dhe Aurela Kurti folën për studentët që nuk gjejnë punë, pavarësisht diplomës së tyre. Ligji i arsimit të lartë la mijëra maturantë jashtë dyerve të universiteteve publike, më “fatlumët” e të cilëve u drejtuan nga universitetet private, klientë të dyshes Nikolla – Rama.

Ekonomisti Ibrahim Hackaj bëri thirrje për nevojën që, përpos dekriminalizimit të Parlamentit shqiptar, të përmirësohet edhe niveli intelektual dhe ai i vlerave e aftësive shkencore.

Juristja Mirlinda Çollaku është nëna e një djali 15 vjeç. Ajo tregoi se si më shumë se nga fjalët e saj, djali edukohet me modelin që sheh. Dhe shoqëria jonë për fat të keq ka inspiruar një model, ku ska rëndësi sa njohuri ke, por sa lidhje ke me të fortët e zonës dhe të qytetit – tha ajo. Çollaku theksoi se çdo qytetar duhet të garantojë minimumin e një shteti normal pasi përmes indiferencës, seicili ka përgjegjësi në situatën ku gjendemi.

Arsyeja më e madhe për këtë është instikti mbrojtës për fëmijët tanë – tha Mirlinda Çollaku.

Kryetari Lulzim Basha tha se qeveria në 4 vjet dështoi të përfaqësonte interesat e qytetarëve sepse zgjodhi të pasurojë një grusht njerëzish që i lidhi me pushtetin e tij.

Ndaj, qeveria kërkon me cdo kusht të kapë votën, të mos lejojë zgjedhje të lira, pasi e di mirë se me votë të lirë do të ndëshkohet nga qytetarët, tha Basha.

“Plani kriminal i Edi Ramës, është t’iu mohojë shqiptarëve mundësinë për të zgjedhur. Fillimisht, plani ishte t’ua mohonte këtë të drejtë, me opozitën prezente në fletën e votimit, por me krimin dhe drogën në qafën e votuesve. Më 18 shkurt qytetarët ia dogjën këtë plan, ndaj tani plani tij është të shkojë në zgjedhje të asgjesuara moralisht, politikisht dhe ligjërisht, vetëm me një subjekt politik, me koalicionin e sharlatanëve, hajdutëve dhe kriminelëve, me të cilët qeveris Shqipërinë në këto 4 vite”, tha Basha

Lulzim Basha tha institucionalizimi i realitetit të dalë nga lëvizja 80 ditore e qytetarëve, Republikës së Re, kërkon qytetarët shqiptar në bashkimin më të madh më13 maj, të majtë e të djathtë, për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre.