Kreu i komisionit të jashtëm të Parlamentit hungarez, Zsolt Nemeth udhëtoi drejt Tiranës për të dhënë mesazhin e tij drejtuar politikës shqiptare nga çadra e protestës së opozitës.

“Unë ju sjell sot këtu mesazhin e popullit hungarez, mesazhin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe të qeverisë hungareze dhe dua t’ju them që sot jam me ju, sot jemi me ju të dashur shqiptarë. Ju keni miq në Europë, nuk jeni të vetëm në këtë përpjekje. Dua t’ju uroj për qëndresën tuaj 76 ditore. Kjo vërteton më së miri se ju keni arritur në agimin e ri, Shqipëria ka arritur në një ditë të re.”

Nemeth shprehu bindjen se ashtu si Shqipëria dhe Hungaria ndajnë mes njëri-tjetrit të kaluarën komuniste dhe luftën çlirimtare ndaj saj, e ardhmja e dy vendeve tona është gjithashtu e përbashkët dhe e vetme, sipas Zslot dhe ajo është rruga europiane.

“Ta fillojmë nga e para. Çfarë është më e keqja në komunizëm? Çfarë e pason komunizmin?

Lufta juaj sot është me postkomunizmin. Korrupsioni i ndërkombëtarëve është sot e keqja më e madhe e postkomunizmit. Ndërhyrja e të huajve është një lloj korrupsioni politik në Europën Lindore.

Ne nuk duam të shohim në Europë një narko-shtet. Ne do të qëndrojmë dhe do t’ju mbështesim në luftën tuaj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jam i bindur se do ta fitoni këtë betejë sepse e shkuara e jonë është e përbashkët, por edhe e ardhmja jonë është e përbashkët, në BE. Ne kemi një të ardhme europiane të përbashkët. Unë uroj që Zoti të bekojë Shqipërinë dhe qytetarët e saj”, deklaroi Zsolt Nemeth.