Gëzuar ditën e 81-të të bashkimit më të madh qytetar kombëtar për zgjedhje të lira e të ndershme, bashkimit më të madh pro-europian e pro-amerikan që ka njohur Shqipëria dhe Ballkani, dhe gëzuar Ditën e Europës, ditën e lirisë, ditën e fitores së të mirës mbi të keqen, të vërtetës mbi gënjeshtrën, të së drejtës mbi  krimin. Kjo është Dita e Europës, ky është 9 Maji dhe ne jemi lëvizja proeuropiane e Shqipërisë. Eshtë ditë e veçantë për Europën. Eshtë ditë e veçantë për shqiptarët.

Anti-europianët e antiamerikanët, janë mbledhur në një kotec, ku sot bëjnë bilancin e tyre anti-europë, anti-amerikë, anti-Nato dhe anti-kombëtar, të katër viteve të regjimit të dështuar të korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës, Ilir Metës dhe çetës së tyre.

9 Maji është dhe dita kur kupola politike e republikës së vjetër, ka shpallur ceremoninë e çmimeve OSCAR.

Çmimet OSCAR po jepen në Durrës, në Durrësin e Vangjush Dakos, ku luhet tash katër vite teatri i shëmtuar kriminal, teatri i narkotrafikantëve, teatri i betonizimit, teatri i korrupsionit  si kudo anembanë Shqipërisë. Republika e vjetër, në grahmat e saj të fundit, po ju dhuron këtë shfaqje të shëmtuar të hipokrizisë, të gënjeshtrës, të mashtrimit të shqiptarëve.

Kanë zgjedhur datën 9 Maj. Kanë zgjedhur Ditën e Europës si për të na kujtuar kontrastin e thellë, kontrastin bardhë e zi që qëndron mes atyre që erdhën në pushtet me emrin, Aleanca për Shqipërinë Europiane, dhe u faktuan në katër vite si aleanca e drogës dhe e krimit, si aleanca anti-europiane, anti-shqiptare, anti-popullore, anti-qytetare e 27 viteve pluralizëm.

Tani janë në ceremoninë OSCAR. Japin dekorata dhe statuja njëri-tjetrit. Kush e mori OSCAR-in për luftën kundër krimit të organizuar, Sajmir Tahiri, Sajmir Shullazi që e mbushi Shqipërinë me drogë dhe policinë me kriminelë? Njeriu që përdori makinën e tij për trafikun e drogës, në dispozicion të bandës më të rrezikshme të drogës në jug, kushërinjve të tij Habilaj.

Apo e mori Fatmir Xhafaj, njeriu i faktuar si torturues i të rinjve dhe i të rejave të Krujës për llogari të Sigurimit të Shtetit, si hetues dhe persekutor i Sigurimit të Shtetit, për krimin e vetëm sepse ngritën dolli kur vdiq diktatori dhe xhelati i shqiptarëve Hitleri i pasluftës të Dytë Botërore, Enver Hoxha. Njëkohësisht vëllai i Agron Xhafës, numri dy i një bande ndërkombëtare të trafikut të kokainës me lidhje nga Venezuela në Itali. Kush nga këta e meriton çmimin OSCAR për luftën kundër krimit të organizuar. Kujt ia dha Edi Rama?

Po çmimin për rritjen dhe fuqizimin e ekonomisë dhe vendeve të punës, a ia dha Arben Ahmetajt? Njeriut që ka futur duart në çdo fond e në çdo koorporatë publike duke nxjerrë qindra mijëra, miliona euro të taksave tuaja për t’i futur në xhepat e tij dhe në lidhjet e tij oligarkike, nga landfilli i Elbasanit, te koçesionet korruptive të sistemit fiscal. Apo e mori Damian Gjiknuri? I cili, në fakt me një lëvizje të vetme vodhi 600 milion euro nga xhepat e shqiptarëve, duke i ndarë me një skemë korruptive hajdutërie me korporatën CEZ, paratë dhe borxhet e kësaj kompanie ndaj shqiptarëve, dhe duke rritur faturën e energjisë për 70% të shqiptarëve.

Kush e mori çmimin OSCAR për shëndetësinë? Ilir Beqja apo Vilma Nushi? Ajo që i merr, apo ky që i jep100 milion euro të shqiptarëve që nuk shkojnë për shëndetin e tyre, të fëmijëve të tyre. Nuk shkojnë për pacientët shqiptarë, por shkojnë për xhepat e një oligarkeje të vetme, me një kontribut, sepse është sponsorizuese e Edi Ramës. Mori tani dhe koncesionin e laboratorëve.

Ai tjetri ka marrë konçesionin e sterilizimit. Janë dhënë plot 500 milion euro kontrata konçesionare vetëm në shëndetësi, kur spitalet janë në ditën e tyre më të zezë, ku ilaçet në farmacitë spitalore janë kthyer në fantazi. Kur çdo pacient dhe familjar e di shumë mirë se duhet të dalë e t’i blejë ilaçet në farmacitë private, jashtë spitaleve, ku mungon minimumi i trajtimit si nga përgatitja dhe gatishmëria e personelit shëndetësor, ashtu dhe nga gjendja e aparaturave dhe medikamenteve e trajtimit për të sëmurët shqiptarë.

Kush e merr çmimin OSCAR për arsimin  shqiptar? Për rritjen e e tarifave për studentët, për nxjerrjen me një vendim të mijëra bijve dhe bijave të shqiptarëve nga auditorët e universiteteve, sepse u rritën çmimet, u rritën tarifat, u bë e papërballueshme ajo që duhet të jetë e garantuar nga shteti, arsimi i fëmijëve tanë. Kush e merr OSCAR-in për degjenerimin e sistemit arsimor, në një rrjet motelesh për pushtetarët e degjeneruar dhe në një bankë ku paguhen mijëra e euro rryshfet për të katapultuar analfabetët militantë në vend të mësuesve të përgatitur për të cilët kanë nevojë fëmijët  tanë. Kush e merr këtë çmim? Lindita Nikolla thoni!

Kush e merr çmimin që për tri vite e gjysëm, e ktheu Shqipërinë, nga një anëtare të NATO-s, Shqipërinë me sistemin më modern të radarëve të Europës, të vrojtimit detar të cilët i përdorte dhe Grqia, Mali i Zi dhe Italia, me moratoriumin që i dha fund trafikut të qënieve njerëzore dhe e solli në zero pothuajse trafikun e drogës, të gjitha këto për t’iu mundësuar qytetarëve shqiptarë heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë si qytetarë europianë në zonën Shengen, në një vend ku territorin dhe kufinjtë i kontrollojnë bandat  e krimit të organizuar, ku droga me tonelata transportohet nga toka deti dhe ajri. Ku infrastruktura e krimit është më e fuqishme, më e përgatitur dhe më vendosur se policia, Forcat e armatosura dhe  Shërbimi Inteligjent të marrë së bashku.

Kush ia dorëzoi territorin dhe kufijtë e Shqipërisë krimit të organizuar?

Kush e meriton OSCAR-in për katandisjen e fshatit shqiptar në ditën më të zezë që ka njohur këto 15 vite? Me bagëtitë e sëmura që nuk marrin asnjë asistencë, me tokat e pasubvencionuara, me kanalet ujitëse dhe vaditëse dhe kulluese që nuk u ndërtuan kurrë, me tregjet që nuk u ndërtuan kurrë, me monopolistët që i kanë hypur në qafë fermerëve dhe kanë asgjesuar prodhimin e tyre, investimet e tyre, i kanë zhytur në borxh e mjerim, dhe u kanë lënë dy alternativa, ose emigracionin ose kanabisin.

Pra sot, është dita e çmimeve OSCAR, për bandën në pushtet për kupolën politike të republikës së vjetër, e cila, në katër vite mendoi vetëm për pasurimin, vetëm e vetëm për pushtetin e vet dhe nuk punoi asnjë ditë, asnjë orë të vetme për qytetarët shqiptarë, për fatet tuaja, për punësimin për mirëqënien  tuaj. Katër vjet vetëm për veten e tyre, duke e katandisur Shqipërinë në një vend, nga i cili, qytetarët duan vetëm të largohen, me emigracionin më masiv në Europë, krahasueshëm vetëm me Sirinë, ku ndodh një ndër luftërat më të përgjakshme civile ndër dekada.

***

Por këtu ndodh tash katër vjet një luftë tjetër e heshtur, e ftohtë.

Lufta që krimi i organizuar, droga, oligarkët barkderra dhe pushtetarët e korruptuar, i kanë shpallur popullit të tyre, duke shkatërruar ekonominë me taksa të larta, duke shkatërruar mirëqënien me çmime të larta të naftës dhe të energjisë, duke i shkatërruar vendet e punës me arrogancën dhe arbitraritetin qeveritar, duke shkatërruar bujqësinë me mungesën e përkrahjes dhe konkurrencën e pandershme. Duke ishkatërruar shëndetësinë me koçesionet korruptive. Duke i shkatërruar arsimin me ligjin e lartë korruptiv për arsimin e lartë dhe degjenerimin  e arsimit nëntëvjecar dhe të mesëm. Këta pra i kanë shpallur luftë Shqipërisë, i kanë shpallur luftë shqiptarëve.

Kanë shkatërruar ekonominë, kanë varrosur shtetin, kanë ndërtuar shtetin e dështuar kriminal dhe narkorepublikën, dhe në këtë mënyrë, kanë asgjësuar ëndrrat e brezave të rinj të shqiptarëve.

Projekti i tyre i fundit, vula me të cilën duan të asgjesojnë përfundimisht Shqipërinë, si një vend ku ka bashkëjetesë demokratike, e ta kthejnë në një çiflig me bujkrobër të satrapëve të lidhur me krimin e organizuar, është asgjesimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në funksion të kësaj, kanë shpallur zgjedhjet moniste.

Sepse kanë refuzuar prej ditës së parë dhe refuzojnë edhe sot zgjidhjen që përcaktuan qytetarët më 18 shkurt. Vendimin e madh të cilin të gjithë bashkë e morëm, jo për hir të Partisë Demokratike, as për hir të opozitës, as për hir të ndonjë individi, por për të drejtën e patjetërsueshme, hyjnore dhe sovrane, themelin e demokracisë; zgjedhjet e lira dhe të ndershme, votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.

***

Edi Rama e di fare mirë se pse e bëri këtë. Sepse ai i trembet gjykimit popullor me votë. Ai i trembet gjykimit popullor me votë, sepse nuk ka asnjë përgjigje, për pyetjet më të thjesha që ia drejton qytetari më i zakonshëm i Shqipërisë.

Ku i ke 300 mijë vende të reja pune?

Ku e ke shëndetësinë falas?

Ku e ke heqjen e TVSH-së për ushqimet e shportës?

Ku e ke uljen e TVSH-së në 6% për energjinë elektrike?

Ku e ke subvencionin e energjisë elektrike për familjet në nevojë?

Ku i ke subvencionet për fermerët?

Ku i ke legalizimet falas?

 

Ka kaq shumë gënjeshtra, nuk i mbaj mend të gjitha, i printova, ja ku janë përtokë. Ja ku janë premtimet e Edi Ramës!

Ja ku janë premtimet e Edi Ramës! Të gjitha! Të zezë mbi të bardhë. Premtimet e tij! Nuk ka mbajtur asnjë premtim të vetëm. T’i marr e t’ua lexoj. T’i marr e t’ua kujtoj, apo është harxhim kohe? Atëherë t’i vë aty ku i vuri ai premtimet e tij, përtokë. Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim, jo thjesht dhe vetëm se nuk ishte i zoti t’i mbante.

 

Mos harroni!

Edi Rama nuk u përpoq kurrë të mbante asnjë premtim me të cilin erdhi në pushtet. Edi Rama me vullnet i braktisi premtimet e tij, sepse prej ditës së parë, marrja e pushtetit dhe administrimi i pushtetit nuk ishte për axhendën tuaj, për hallet tuaja, për interesat tuaja, por vetëm për interesat e tij dhe të kupolës politike, që përbëjnë komplotin ekonomik, kundër xhepave të shqiptarëve, komplotin politik, kundër lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, komplotin më të madh në histori kundër Shqipërisë europiane dhe kundër të ardhmes së shqiptarëve.

 

Në këtë komplot përfitojnë një grusht njerëzish. Një grusht politikanësh të korruptuar, me në krye Edi Ramën dhe Ilir Metën dhe aleatët e tyre. Një grusht oligarkësh që përfitojnë të gjitha tenderat dhe koçensionet. Një grusht kriminelësh, të cilët, Edi Rama i bëri deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë policie, drejtorë të mëdhenj të administratës, disa i nxori nga burgu, vetëm e vetëm për t’i shërbyer pushtetit dhe pasurimit të tij.

 

Një grusht pronarësh mediash të kapura, të kthyera tërësisht në vegla në dispozicion të kupolës politike, media të cilat nuk kanë axhendën e interesit publik, por kanë axhendën e pasurimit dhe të pushtetit të tyre të përbashkët me qeverinë, për të siguruar të ardhura mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë, me koçensione korruptive, me leje ndërtimi, me tendera, me favore të çfarëdollojshme. Koorporata mediatike shqiptare, në shërbim të kupolës politike të republikës së vjetër, është edhe arma më e fuqishme që ka një synim; trullosjen, trumpirjen e shqiptarëve që të vazhdojë teatri i kukullave, që të vazhdojë shfaqja me OSCAR, ndërkohë që duart e tyre futen thellë në xhepat e qytetarëve shqiptarë.

 

Ky komplot politik, ky komplot ekonomik, ky komplot kundër çdo shqiptari dhe shqiptareje, ka rekrutuar me paratë e ndyra të drogës dhe korrupsionit, lobistë të fëlliqur, të cilët përpiqen t’u shesin kryeqyteteve europiane dhe kryeqyteteve të aleatëve tanë, dëngla dhe dokrra, mashtrime dhe gënjeshtra në mënyrë që të asgjesojnë të vërtetën që e njeh çdo shqiptar, i djathtë dhe i majtë. E nëse nuk e asgjesojnë dot, t’i fusin në dyshim se çfarë është fakt, dhe çfarë është opinion.

 

Miliona euro, të cilat do të shpenzoheshin për fëmijët tuaj, për pensionet tuaja, për shëndetësinë, për arsimin, për punësimin, për taksa më të ulëta, për rroga më të larta, për të ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, oligarkia dhe kupola politike e republikës së vjetër, ua paguan këtyre lobistëve mafiozë dhe të fëlliqur, të cilët nuk duan t’ia dinë as për Shqipërinë, as për shqiptarët, as për paratë e gjakut dhe të djersës së shqiptarëve. Ata, i fusin këto miliona në xhepat e tyre me një dhe një qëllim, që në mediat ku kanë akses, dhe zyrat ku kanë akses, të injektojnë, jo të vërtetën, por gënjeshtrën. Të injektojnë jo të drejtën, por të padrejtën, në mënyrë që të asgjesojnë çdo shans të vendimmarrjes së drejtë nga kryeqytetet europiane dhe të aleatëve tanë.

 

Sigurisht, kjo e ka bërë betejën më të vështirë, por oligarkia dhe kupola politike, nuk ia kanë dalë. Javët e fundit, këtu nga ky shesh, miqtë tanë europianë e amerikanë dhe kudo, e kanë grisur perden e propagandës së Ramës dhe kanë folur me zërin e bashkuar, se Shqipëria, është në krizë politike dhe ekonomike. Se shkaqet e kësaj krize, nuk janë opozita dhe as protesta e opozitës, as ky bashkim qytetar për të drejtën dhe të vërtetën, por janë droga, krimi me mbështetje qeveritare, është politika e degjeneruar, e dështuar, me në krye Edi Ramën.

 

Me këtë vetëdije, ditë për ditë, duhet të festojmë këtu këtë trofe tuajën dhe këtë shërbim të paimagjinueshëm, që ju i keni bërë Shqipërisë dhe të ardhmes së saj. E kam thënë dhe e përsëris. Në 3 vite e gjysëm, e kemi bërë këtë betejë në parlament, në kancelari, konferenca për shtyp, studio televizive. Unë, grupi ynë parlamentar, aleatët tanë opozitarë, e kemi luftuar këtë betejë dhe them se kemi luftuar mirë. E kanë luftuar këtë betejë njerëzit e vlerave, intelektualët, pjesa e pakapur dhe e pakompromentuar e medias, gazetarët, akademikët, studentët, në hapësirën që sa vinte e ngushtohej, të republikës se vjetër. Dhe e kanë luftuar shumë mirë. Por për fat të keq, në 3 vite e gjysëm të kësaj beteje, nuk ia kemi dalë të arrijmë as një të dhjetën e fitoreve që ju ia keni dalë këto 81 ditë.

 

***

Mësimi është i qartë. Konkluzioni është i dukshëm për këdo që ka sy në ballë dhe mendje për ti analizuar faktet. Edi Rama nuk e njeh gjuhën e argumentimit. Nuk e njeh forcën e arsyes. Ai njeh, respekton dhe do të respektojë, vetëm imponimin nga bashkimi qytetar dhe popullor përmes protestës, përmes manifestimeve, përmes mosbindjes civile, përmes betejës totale për zgjedhje të lira e të ndershme.  Beteja që na bashkon bëhet në emër të një parimi themelor për bashkëjetesën demokratike dhe ky është parimi i votës së lirë. Për shumëkënd, në kushte varfërie ekstreme, padrejtësie ekstreme, vota e lirë mund të duket si një premtim abstrakt. Madje, edhe i padobishëm për nxjerrjen nga gjendja ku ndodhen.

 

Ndaj sot, është përsëri rasti që së bashku ti themi cdo qytetari e qytetareje se; beteja 81 ditore që do të vazhdojë deri në fitoren totale të kësaj kauze, manifestimi dhe bashkimi më i madh në historinë e Shqipërisë demokratike, të shtunën në orën 12, është axhenda dhe kauza e çdo qytetari. Me votën e lire, qytetarët do vendosin këtej e tutje. Me votën e lire, republika nuk do jetë më as e politikanëve, as e partive politike, por do jetë pronë e drejtpërdrejtë, pa sekserë, pa kallauz, e cdo qytetari e qytetareje të republikës.

 

Në duart tuaja, duhet e do të jetë instrumenti i pushtetit dhe i kotrollit. Ky instrument, është vota e lirë. Në duart tuaja, do jetë e drejta hyjnore dhe arma më e fuqishme që sovrani ka karshi qeverisë, vota e lirë. Me votën e lire, nuk do diktohet thjeshtë dhe vetëm përfundimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, por do diktohet një rrugë tjetër e pashkelur, për fat të keq deri më sot për qytetarin e republikës së Shqipërisë, por që shumë prej jush e keni parë, prekur dhe shijuar sa herë keni qënë në vendet ë BE apo SHBA.

 

Kjo është Republika e Re. Republika e demokracisë pjesmarrëse dhe jo përfaqësuese. Pjesmarrëse do të thotë që, në çdo moment, me kushtetutë, ligje dhe instrumente institucionale, të drejtën e vendimmarrjes, do ta keni ju, pëmes përfaqësuesve që do ti kontrolloni ju. Që do ti emëroni dhe zgjidhni ju. Që do ti shkarkoni, qortoni apo largoni ju dhe vetëm ju, me votën tuaj, në zgjedhje, në referendum dhe në një strukturë tërësisht të rinovuar të kontrollit dhe balancës së pushteteteve.

 

Që lumi i parave dhe pasurive tuaja që merret nga gjaku juaj, nga xhepat tuaj, nga djersa juaj, duke ju lënë në varfëri ekstreme, në dëshpërim, në pasiguri, të kthehet tek ju, tek qytetarët shqiptarë duhet të asgjesojmë mekanizmin që e ka shndërruar këtë republikë të vjetër në një apartheid, ku përfitojnë një grusht njerëzish në kurriz të shumicës absolute. Duke kthyer këto asete, taksa, pasuri, resurset e vendit, tek qytetarët shqiptarë, Republika e Re, do të mbajë premtimin ndaj çdo aksioneri të saj, ndaj cdo qytetari.

 

Edhe ata që do të jenë në gjëndje të përfundojnë studimet e tyre, të integrohen në tregun e punës, por edhe nëse futen në tregun e punës, ata të paktë, fatlumë, do e kenë të pamundur të sigurojnë një vend pune që u përshtatet me kualifikimet që kanë marrë.

 

Republika e Re u siguron një pagë dinjitoze, për të hedhur hapin tjetër në jetë që është themelimi i familjes, që është gjetja apo blerja e një strehe familjare dhe avancimi i aspiratave normale në një shoqëri normale.

 

Kjo është një nga dramat më të mëdha që Shqipëria ka sot. INSTAT i kontrolluar nga Rama, shpalli sot se 30% e të rinjve shqiptarë as nuk gjejnë dot punë, as nuk ndjekin dot shkollën. Kur e thotë INSTAT-i i Ramës, e kuptoni që shifra e vërtetë është diku te 60%. Që 6 ndër 10, të rinj shqiptarë, në këtë republikë të vjetër, në këtë shtet të dështuar dhe të korruptuar, nuk garanton minimumin e të ecurit përpara.

 

Këta që flasin për të ardhmen europiane, këta, kanë shkatërruar të ardhmen e vendit që janë fëmijët shqiptarë. Sepse, kanë shkatërruar ekonominë, kanë shkatërruar arsimin e lartë.

Si do shkojë Shqipëria drejt Europës, kur 6 ndër 10 të rinj, nuk kanë as punë as shkollë. Kur 8 në 10 të rinj, duan të largohen nga Shqipëria.

 

A i thëret mendjes ky i papërgjegjshëm? Sigurisht që jo. Sepse republika e vjetër, është teatri i kukullave. Eshtë fasada, axhenda politike e Edi Ramës, është dhe do të mbetet, sa kohë që ju do ta lini aty, sa kohë që ne do të lejojmë pasurimin e tij dhe të çetës së tij.

 

Por me një Republikë të Re, që buron nga zgjedhjet e lira e të ndershme, fondet që sot përfundojnë në xhepat e oliarkëve, që sot vidhen e shpërdorohen e përfundojnë në konto bankare, në llogari offshore të Abi Bank dhe bankave të tjera kryeministrore dhe ministrore, do ti kthehen qytetarëve shqiptarë dhe në radhë të parë fëmijëve të tyre.

 

Ja pra, sesi duke anulluar vetëm një nga konçesionet korruptive të Edi Ramës që u kushton xhepave të shqiptarëve 25milionë euro në vit, vetëm njëri prej tyre, (25 milionë merr zonja dhe i ndan me zotërinjtë) vetëm me anullimin e një konçesioni të tillë, Republika e Re u mundëson 10 mijë studentëve shqiptarë, pas përfundimit të studimeve, një vit stazh të paguar me rrogë minimale 200 mijë lekë në muaj plus sigurime e taksa të paguara nga shteti.

 

Kjo është beteja. Republika e vjetër këto para i ka për një njeri, për Vilma Nushin dhe për Edi Ramën, Republika e Re i ka për 10 mijë studentë shqiptarë me stazhe të paguara.

 

Republika e vjetër, i ka paratë, 2.8 miliardë euro për abuzime në tre vjet, shifra zyrtare e KLSH.2.8 miliard do të thotë, që një buxhet, e kanë gllabëruar vetëm me vjedhje dhe shpërdorime. Këto para, i përfiton vetëm çeta më në krye Edi Ramën, prandaj nuk ka rritje pensionesh.

 

E mbani mend se çfarë premtonte për pensionet apo jo?!  Ja t’ia lexojmë pak; 650 mijë pensionistëve shqiptarë, surratzëzi, u premtoi rritje pensionesh çdo vit, jo vetëm rritje pensionesh çdo vit, por çdo fundviti do t’i shpërblente me tre pensione shtesë.Nuk ka tre pensione shtesë, nuk mund të ketë tre pensione shtesë, sepse lekët përfundojnë në ‘Abi Bank’, përfundojnë në konto personale, ne Kejmen Island, bëhen vila luksoze, bëhen hotele me pishina, bëhen rrush e kumbulla me 15 milionë dollarë vetëm me bileta avioni, 45 milionë dollarë vetëm për naftë, me qindra milionë euro vetëm për orendi, me 600 milionë euro vetëm për buzëkuq elektoral, prandaj nuk ka lekë për pensionistët shqiptarë.

 

Kjo është zgjidhja, do të vazhdoni me këtë që thotë po ika do të humbas shumë, jo shumë, por do humbasin shifra astronomike që i vjedh nga xhepat e shqiptarëve, do rrimë me këtë, do ta tolerojmë këtë të qëndrojë këtu e të vazhdojë t’ju vjedhë?

 

Asgjë nuk do të ndryshojë për ju, keq e më keq do të bëhet.

 

Apo, do të bashkohemi e do të luftojmë për Republikën e Re, e cila ju garanton qytetarëve dhe pensionistëve 650 mijë pensionistëve shqiptarë, që me luftën e vendosur kundër oligarkëve, me kthimin e parave tek qytetarët, në krye të 4 viteve, pensioni minimal në Shqipëri të jetë 250 mijë lekë të vjetra në muaj.

 

***

Republika e vjetër, ka shumë armiq mes shqiptarëve. Një nga armiqtë më të rrezikshëm, më i rrezikshmi pa dyshim, është rinia. Tmerr ka rininë, se rinia sjell ndryshimin.

 

Armiku numër 2, janë shtresa e mesme e shqiptarëve, profesionistët, ata të ciliët kanë një farë pavarësie financiare. Shumë e rrezikshme kjo. E rrezikshme për komunistët, i pushkatonte Enveri, e rrezikshme për bijtë e Enverit.

 

Sepse, pavarësia financiare sjell pavarësi mendimi, nuk i marshon dot për kafshatën e gojës as ky, as Tërmeti, as kriminelët e tij, ndaj i ka ngarkuar me taksa, me gjoba, me trajtime çnjerëzore.

Para, të cilat merren nga mundi i tyre, nga aftësia e tyre krijuese.

 

Shtresa e mesme është aftësia krijuese e një kombi është kolona e stabilitetit, është garancia e përparimit, janë ata që çajnë të parët dhe shoqëria i ndjek, i ndjek madje edhe politika.

Shoqëria shqiptare ka vuajtur shumë për krijimin e shtresës së mesme, e cila sot mbetet e vogël dhe e dobët. Por ky, kërkon ta zhdukë, ta asgjesojë në radhë të parë financiarisht, pastaj edhe si faktor social, politik dhe kulturor.

 

E pra, shtresa e mesme shqiptare, qoftë biznesi i vogël dhe i mesëm, qofshin profesionistët, mjekë, ekonomistë, inxhinierë, financierë, juristë, të gjithë profesionet, duhet ta dinë se dita e parë e Republikës së Re, do të sjellë për ta çlirimin total nga zgjedha mafioze e taksave mafioze të Edi Ramës. Se tatimi i sheshtë 9% duke ruajtur shifrën e 300 mijë lekëve të para, pa tatim, do të jetë çlirimi total, që iu vendos përsëri në kushte barazie për konkurencën, konkurencën e ndershme, dhe në kushte pavarësie ndaj shtetit. Jeni ju që do t’i diktoni shtetit dhe jo shteti që do t’iu diktojë ju.

 

Ky tatim prej 9% do të shoqërohet nga eleminimi total nga taksat e padrejta që kanë frenuar aktivitetin ekonomik. Një nga këto do të jetë edhe taksa për transferimin e pronës, që ka arritur sot në 15% duke ushqyer informalitetin total, duke ngrirë transaksionet e shitjes së pronës. Taksa për shitjen e pronës, do të fiksohet në një maksimum, në një tavan prej 0.5% të vlerës së pronës. Ky do të jetë tavani maksimal për zonat më të shtrenjta të Shqipërisë dhe Tiranës dhe do të ketë edhe kufinj më të ulët se ky.

 

Shteti, nuk do të jetë një shushunjë që majmet me transaksionet pronësore të shqiptarëve, por do të jetë një aleat në çlirimin e energjive pozitive ekonomike që padyshim kanë për bazë edhe tregun e pronës, edhe tregun e tokës, edhe tregun e ndërtesave. Këto, do të çlirohen nga këto taksa të padrejta.

 

Dividenti, po kështu, një taksë idiote që nuk ka sjellë asnjë të ardhur në buxhetin e shtetit, por ka zhytur në informalitet kompanitë, ka frenuar riinvestimin e fitimeve të kompanive, do të zerohet në platformën e Republikës së Re për një ringjallje të shpresës dhe besimit, për një ekonomi të fortë dhe një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptar.

 

Ne do t’i kthejmë klasës së mesme, shtresës së mesme dinjitetin, sigurinë dhe mundësinë për të udhëhequr Shqipërinë nga dalja e krizës ekonomike, drejt rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës, çlirimin nga frika, çlrimin e pozitivitetit dhe çdo energjie në funksion të rritjes ekonomike që do të thotë; vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze për shqiptarët dhe në veçanti për rininë shqiptare.

 

Fermerët shqiptarë që nuk kanë parë kokërr leku në këto 4 vite të vjedhjes dhe hajdutërisë totale, ku janë vjedhur paratë për subvencione, janë shtuar taksat për inpute bujqësore, janë vjedhur përsëri, sepse, edhe atë prodhim që kishin nuk e shisnin dot se e fusnin grositët e lidhur me qeverinë; fermerët, duhet ta dinë se në Republikën e Re mirëqenia e tyre, përparimi i tyre ekonomik do të mbështeten fuqishëm nga masa të vendosura për të ndihmuar fermerin shqiptar. Duke nisur me subvencione direkte, 100 milionë euro të përvitshme, duke vazhduar me investimet rurale, duke vazhduar me bllokimin doganor të çdo prodhimi bujqësor dhe nënprodukti bujqësor që konkuron në mënyrë të pandershme prodhimet e fermerëve shqiptarë përmes tarifave proporcionale, doganore, që pjesa e fermerit shqiptar do të jetë e barabartë me pjesën e çdo fermeri europian.

 

Në këtë mënyrë, mbi 47% e popullsisë që jeton në fshat në kushte të mjeruara, do të ketë instrumenta, kapitalin, ndihmën, lehtësimin nga taksat. Në mënyrë që fermeri të fillojë të punojë për veten e tij, jo thjesht për të mbajtur frymën gjallë dhe familjen me bukë, por për të krijuar vende pune, për të krijuar mirëqenie, për të krijuar punësim në një sektor që sot është 19% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Fshati dhe fermeri shqiptar, blegtori shqiptar, peshkatarët, do të përbëjnë kështu një shtyllë të fuqishme të shëndoshjes së ekonomisë, forcimit të ekonomisë për vitet e ardhshme.

Prodhuesit e të gjithë llojeve, do të kenë përmes taksës së sheshtë 9% një injeksion prej afro 1 miliard eurosh vit për vit, me cka do të jenë në gjendje të hapin mijëra vende të reja pune dhe të rrisin pagat për punonjësit e tyre.

 

Këto para sot vidhen dhe shpërdorohen nga kupola në pushtet. Nesër në Republikën e Re do të jenë injeksione kapitale, financiare për rritjen ekonomike, për punësim, për kushte më të mira pune dhe për paga më të larta.

 

Arsimi shqiptar do të jetë kryefjalë e Republikës së Re, asgjë nuk do të kursehet për fëmijët e shqiptarë. Në Republikën e Re çdo shqipar kudo ku jeton, pavarësisht nga statusi social apo ekonomik do të ketë një subvencion të drejtpërdrejtë mujor prej 30 mijë lekësh të vjetra nga Republika e Re.

 

Shkollat shqiptare, njësoj si shkollat europiane, do të mundësojnë përmes kapaciteteve të reja duke përfshirë mensat në çdo shkollë, rritjen e numrit të mësuesve, shtimin në kurrikulumin e mësimit edhe të mundësive për të kryer detyrat e shtëpisë në ambientet shkollore, për të marrë pjesë në aktivitete sportive, në ambientet shkollore, për të mundësuar gjuhë të huaja dhe për t’u marrë me çështje të tjera të kulturës, të artit në ambientet shkollore.

 

Nga ora 8 e mëngjesit, deri në orën 16:00 të pasdites, fëmijët e shqiptarëve do të jenë përgjegjësi e sistemit arsimor të Republikës së Re, përfshirë drekat e paguara për çdo fëmijë shqiptar në sistemin 9-vjeçar dhe në sistemin e shkollave të mesme.

 

Këto të gjitha janë të mundura, nëse ne çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e republikës së vjetër, nëse ne asgjesojmë kupolën kriminale, nëse pamundësojmë planin e kupolës politike për të vazhduar t’i shërbejë pasurimit të vet dhe pasurimit të vet duke kapur zgjedhjet e ardhshme.

 

Ndaj, 13 maji vjen si një pikë kulmore e këtij bashkimi popullor dhe vazhdimi i përditshëm i kësaj beteje deri në fitoren e saj totale. Fitorja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk është thjesht dhe vetëm një hap i madh, gjigand për lirinë e shqiptarëve, por është vetë hapja e derës drejt një realiteti të ri, drejt Republikës së Re. Eshtë mbyllja një herë e përgjithmonë e derës së republikës së vjetër, të padrejtësisë, të arrogancës, të krimit dhe drogës.

Le ta falimentojmë së bashku teatrin e shëmtuar të kukullave. Le t’i japim fund komplotit politik dhe ekonomik kundër shqiptarëve, le ta përcjellim me ceremoni republikën e vjetër.

Të gjithë bashkë, me 13 maj, të hapim derën e historisë së re, të Shqipërisë europiane, këtu në këtë shesh, të gjithë së bashku.

Zoti e bekoftë Shqipërinë

Zoti i bekoftë shqiptarët!


Mesazhi i Lulzim Bashës në ditën e 82 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, dhe projekti i Republikës së Re për shumicën e shqiptarëve, 9 Maj 2017