Përshëndetja e Lulzim Bashës në mbyllje të protestës 1 orëshe, paqësore, e të vendosur në akset kryesore të vendit

Jemi të bashkuar në këtë lëvizje kombëtare dhe europiane, të bashkuar në vendosmërinë tonë për të mos ia dorëzuar Shqipërinë, krimit dhe drogës, për të mos ia dorëzuar lirinë tonë, tiranisë së korrupsionit dhe të krimit në pushtet, por të përbashkuar, siç jemi bashkuar, qindra mijëra shqiptarë, miliona shqiptarë nga jugu në veri nga lindja në perëndim; për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me një qeveri teknike, e cila do të largojë kriminelët nga institucionet, sipas ligjit të dekriminalizimit, që do të luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin biometrik dhe numërimin elektronik të votës së çdo shqiptari e çdo shqiptareje dhe, menjëherë pas kësaj, votimin dhe zbatimin e vetingut dhe reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 22 korrikut.

Zoti i bekoftë shqiptarët për këtë sakrificë dhe këtë qëndresë.

Ky është një paralajmërim se vendosmëria e kësaj lëvizje popullore, e këtij bashkimi qytetar është e pathyeshme për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Ju ftoj ta përmbyllim këtë protestë duke u larguar me qetësi dhe paqe, pa asnjë provokim, dhe pa iu përgjigjur asnjë provokimi.

Më parë, ju ftoj të gjithëve ta mbyllim këtë protestë, me hymnin tonë kombëtar.