Jam shumë i nderuar që ndodhem sonte këtu në këtë premiere, në çadrën e lirisë, për këtë dokumentar për të cilin dua të falenderoj nga zemra regjizorin, artistin e madh Besnik Bisha, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë, falenderoj Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe fondacionin Konrad Adenauer të Partisë Kristian Demokrate gjermane që ka bërë të mundur financimin e këtij filmi. Gjermanët e dinë më mirë se çdo komb tjetër në Europë se çdo të thotë të kujtosh dhe të mos harrosh, dhe për fat të keq, ne shqiptarët kemi bërë lëshime dhe gabime të mëdha në këtë drejtim me 26 vitet e fundit. Nuk e kam fjalën thjesht dhe vetëm për paketat e dëmshpërblimit financiar, të cilat duhet të kishin qenë të përmbyllura sot për të gjithë të përndjekurit, dhe është një turp i madh që nuk janë përmbyllur, dhe që ne vazhdojmë dëgjojmë dhe i kemi lënë dorë sharlatanëve dhe persekutorëve dhe bijëve të persekutorëve të flasin e të bëjnë akoma propagandë me këtë çështje. Ky është padyshim një mëkat dhe një gabim shumë i madh dhe një faj i Partisë Demokratike, i cili do të ndreqet menjëherë.

Kemi bërë shumë, por kur s’e kemi mbyllur punën nuk ka vend për justifikime por ka vend për ndjesë dhe ndjesë të thellë që shpresoj të pranohet nga të gjithë të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre, fëmijët e tyre.

***

Së dyti, dua të them se një shoqëri që nuk distancohet nga krimi vazhdon të jetë nën tutelën e krimit dhe shembulli më i qartë është kjo qeveri, që drejtohet nga një njeri që deri më sot, jo vetëm nuk ka patur guximin të distancohet nga krimet e babait të tij biologjik dhe babait të tij politik, për varjen e Havzi Nelës në 1989, e një poeti që u var në mes të Kukësit vetëm për vargjet e tij, dhe padyshim për këtë nuk ka faj Edi Rama, por Edi Rama, do të kishte fisnikërinë dhe nderin të kërkonte falje për krimet e babait të tij që bashkëfirmosi varjen e Havzi Nelës. Në vend të kësaj, Edi Rama krenohet me krimet e diktaturës dhe në fakt, fjala rilindje, është një kod mafioz për rilindjen e nomeklaturës komuniste dhe xhelatëve komunistë.

Ndaj nuk ka turp ai, të rikthejë në krye të Ministrisë së Brendëshme, muaj para zgjedhjeve, një tjetër simbol të krimit të dyfishtë, Fatmir Xhafën që për turpin tonë dhe për turpin tim, se edhe unë nuk e dija deri sa plasi ky skandal, që kishte qenë një hetues mizor, torturues i djemve dhe vajzave të reja të Krujës, jo për krime ordinere, por për krime politike, sepse kishin pirë një gotë raki ditën kur vdiq kasapi i shqiptarëve, ditën kur vdiq Hitleri i pas Europës, siç e cilëson Këshilli i Europës, Enver Hoxha, dhe pasi fshehu të kaluarën e tij për krimet, sepse edhe në diktaturë ligjërisht, ndonëse çdo hetim politik ishte torturë, internim e burgosje, ligjërisht tortura ishte e ndaluar, dhe ky njeri sot edhe në rrafshin moral edhe në rrafshin ligjor duhet të ishte para përgjegjësisë, dhe jo Ministër i Brendshëm, por them që është simbol i krimit që pjell krim, sepse këta të dy Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj dhe qindra të tjerë pjesëtarë të këtij kabineti dhe të kësaj qeverie të bërë njësh me krimin, jetojnë me kultin e krimit, ndaj kanë kriminalizuar qeverisjen.

Ndaj ky, i pari i të gjithëve, mëngjes, drekë dhe darkë ka lidhur fatin e tij jo me qytetarët, as me socialistët e ndershëm por me kriminelët, me trafikantët e drogës, marijuanës, kokainës. Me njerëz që i kanë trafikuar dhe prostituuar gratë dhe vajzat shqiptare. I kanë berë anëtarë të parlamentit, kryetarë bashkish, drejtues të lartë institucionesh. Ndërsa vëllai i Ministrit të Brendshëm shpëtoi prej drejtësisë pikërisht sepse ai ishte Ministër Drejtësie. Sot ai është në dosjen e partnerëve europiane. Po, po. Fatmir Xhafa. Jo thjesht si vëllai i një trafikanti të lidhur me kokainën, por edhe si i lidhur vetë me bandat më të rrezikshme kriminale të trafikut të drogës. Krimi sjell krim. Ndaj detyra e parë e Republikës së Re, është, të presë njëherë e përgjithmonë lidhjet e krimit me politikën dhe politikës me krimin. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse Republika e Re nuk bën një shkëputje në bllok, etike, morale dhe politike me krimet e diktaturës më çnjerëzore që ka njohur Europa komuniste.

Ndaj është e domosdoshme te marrim përgjegjësitë tona. Ti marrim sot si opozitë, si PD. Une ju garantoj se do i marrim këto përgjegjësi. Ne jemi një parti që kemi lindur si e madhe, popullore, për të përfaqësuar të gjithë spektrin e shoqërisë shqiptare pa asnjë përjashtim. Por, nuk jemi dhe nuk mund të jemi nëse në radhë të parë nuk jemi parti e të përndjekurve politikë. Parti e heronjve që u përballën me represionin dhe terrorin komunist, të jemi të tillë, në program, në skuadër. Ju garantoj, si kryetar i Partisë Demokratike, se ne do përmbyllim kalvarin 27 vjeçar. Do t’i japim fund harresës dhe shtrembërimit të historisë. Do zbatojmë standartet më të forta europiane për të vënë dinjitetin e të përndjekurve në vendin që u takon dhe duke u kujdesur që persekutorët të paktën në histori të marrin atë që meritojnë.

Kjo është një punë e jashtëzakonshme por që nuk kryhet me një film apo me dy filma, por kryhet vetëm kur një komb i tërë të lartësojë në ndërgjegjen e vet, duke kuptuar fajin dhe mëkatin e kobshëm të 50 viteve diktaturë, të realizojë në ndërgjegjen e vetë domosdoshmërinë për të njohur në thellësi çdo barbari që mendja dhe zemra njerëzore kanë qenë në gjendje t’i shkaktojnë bashkëqytetarëve, t’i zbulojë ato para dritës së diellit, t’i thërrasë xhelatët njësoj si krimelët dhe ti ndalojë ata që të marrin pjesë në funksionet publike të Republikës së Re.

Xhelatët, ata që kanë qenë në krye të persekutimit, ata që madje shkelën edhe ligjet e diktaturës duke tortuar të rinjtë dhe të rejat shqiptare nuk duhet të kenë asnjë vend në vendimarrjen e re të Republikës së Re, as në krahun e demokratëve, as në krahun e socialistëve. Vendi i tyre është në skutat më të zeza të historisë tonë kombëtare.

Sa kohë që ky nuk është një realitet ligjor dua të garantoj çdo shqiptare dhe çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, që një ndër tre kriteret bazë për përfaqësuesit e ardhshëm të Partisë Demokratike në Parlamentin e Shqipërisë, tre kriteret bazë do të jenë: Dosjet e pastra nga lidhjet me krimin, dosjet e pastra nga korrupsioni dhe dosjet e pastra nga e kaluara si bashkëpunëtorë apo si xhelatë të diktaturës komuniste.

Grupi i ardhshëm Parlamentar i Partisë Demokratike do të mishërojë kështu virtytet më të mirë të shoqërisë, si garancia e vetme për t’u përballur dhe për të çuar përpara kauzën e një shoqërie me të vërtetë europiane, që nuk humb jetë e nuk do të jetë e tillë për sa kohë që nuk do të diktohet nga krimi.

***

Ndaj, misioni ynë i parë që na ka mbledhur tash 7 javë këtu në këtë shesh, është çlirimi i vendit nga zgjedha e krimit. Këtë do ta bëjmë vetëm me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk pranojmë asnjë kompromis, asnjë pazar me standardin zgjedhor, nuk do të pranojmë asnjë kompromis, asnjë pazar me standardin e votës së lirë. Dhe nuk mund të pranojmë që as ne, as partnerëve tanë ndërkombëtarë, t’u hedhin hi syve dhe tua shesin sapunin për djathtë, Fatmir Xhafa, Edi Rama me shokë.

Dikush që ka besim tek e ardhmja e Shqipërisë, dikush që mendon se di ta mbështesë shoqërinë tonë, vendin tonë, kombin tonë për të arritur standardet europiane dhe amerikane në zgjedhje, në drejtësi, demokraci dhe ekonomi duhet së pari të njohë historinë e vendit, e të mos ketë asnjë iluzion. Zgjedhje me Edi Ramën, me Fatmir Xhafën dhe sojin e tyre në pushtet nuk ka për të pasur, dhe ne nuk pranojmë asnjë lloj tjetër, përveç zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Dhe nuk do të ketë asnjë kthim në institucionet e inkriminuara të republikës së vjetër, asnjë kthim në parlament, pa u përmbushur vendimi dhe premtimi i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Historia përsëritet keq për popujt që harrojnë të kaluarën. Jemi këtu të gjithë njëzëri, për të thënë, se nuk harrojmë dhe jemi të vendosur të mos lejojmë përsëritjen e më të keqes në historinë tonë kombëtare.


Fjala e Lulzim Bashes ne Sheshin e Lirisë, 1 Prill 2017