Bashkëbisedim në Sheshin e Lirisë për të kaluarën komuniste dhe ngjashmëritë mes krimit që sundoi 45 vite dhe krimit e bandave të sotme në politikë me Edi Ramën

 

Paraditen e 56 në Sheshin e Lirisë, kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me historianë, gazetarë dhe pedagogë për periudhën post-komuniste në Shqipëri dhe mënyrën se si qytetarët e kujtojnë atë gjysmë shekulli diktaturë.

 

Marçela Leskaj, bijë e të përndjekurve politik, e lindur në internim, tha se thelbi i demokracisë është pikërisht mendimi kundër dhe debati konstruktiv që ndërtohet mbi të. Ajo tha se çdo qytetar i Shqipërisë duhet të interesohet nga pak për mënyrën se si merren vendimet për ta, pasi me një kryeministër i cili ka prioritet propagandën, e kanë të vështirë të kuptojnë ku qëndron e vërteta dhe gënjeshtra.

 

Fitim Zekthi tha se komunizmi në thelb të tij është mungesa e lirive të qytetarëve. Zekthi theksoi dy elementë të sistemit komunist të cilët ndikojë edhe sot në shoqërinë dhe politikën shqiptare. Aparatet e kontrollit dhe dhunës mbi qytetarët, si ishte Sigurimi i Shtetit në monizëm, punonjësit e së cilës nuk u kuptua çfarë roli morën pas rënies së diktaturës.

 

Momenti i dytë ishte shfrytëzimi i njeriut në varfërinë ekstreme të tij, që krijoi njerëz të paaftë për të marrë përgjegjësi në jetë, pasi gjithçka vendosej për ta nga Partia e Punës. Zekthi tha se të dyja këto grupime njerëzish pas vitit ’91 u përballën me lirinë dhe nuk ditën të sillën me të. Kur Edi Rama tha se do të hyjë në zgjedhje i vetëm sepse krizën Partia Demokratike e ka me veten e saj, më kujtoi presidentin e Sudanit dhe është dramatike të mendosh që kjo gjë mund të ndodhë sot në Europë – përfundoi Zekthi.

 

Publicisti Çelo Hoxha tha korrupsioni nuk është rryshfeti, por kontrolli i pushtetit nga krimi dhe bandat. E tillë ishte për historianin dhe periudha komuniste 45 vjeçare e Shqipërisë. Komunizmi është shkalla më e lartë e korrupsionit të një shoqërie, sepse një bandë kriminale merr në dorë pushtetin dhe merr peng institucionet e vendit dhe e njëjta gjë po ndodh edhe sot, – tha Hoxha.  Ai bëri një paralelizëm mes pjestarëve të bandës së 45 viteve komunizëm dhe njerëzve të cilët sot përfitojnë nga politika mjekësore dhe koncesione, duke qënë të lidhur ngushtë familjarisht me “ish-bllokmenët” e diktaturës, duke iu  referuar koncesionit të marrë nga Vilma Nushi, gruaja e djalit të Gogo Nushit (anëtar i lartë i Byrosë Politike komuniste).

 

Gazetari Nebil Çika foli për nevojën për të pastruar politikën e sotme, nga figura të cilat lidhen ngushtë me kupolën e diktaturës komuniste shqiptare. Çika tha se lufta e këtij vendi me komunizmin nuk përfundoi kurrë dhe se do të jetë detyrë e Republikës së Re të kthejë atë faqe njëherë e mirë. Eshtë pikërisht ajo vota e lirë të cilën zoti Basha e bëri kauzë, nga ku nis gjithcka për lirinë dhe demokracinë – tha Nebil Çika.

 

Profesor Enver Bytyçi tha se institucioni më i rëndësishëm sot, është ai nga ku çdo ditë jepen mesazhe paqeje, lirie dhe demokracie, vetë çadra e qëndresës së qytetarëve. E vërteta është se nuk mund të ketë stabilitet pa liri dhe demokraci, ndaj vendosja e këtyre standardeve është mision i vështirë, por jo i pamundur – tha Bytyçi.

 

Ai tha se demokratët me lëvizjen e tyre 56 ditore treguan vendosmëri përmes paqes dhe qytetarisë, teksa kryeministri Rama shpenzon ditët duke kërcënuar qytetarët me burg. Në 356 ditë të vitit, kryetari i Rilindjes Edi Rama e ka përmendur fjalën ‘burg’ plot 1350 herë – përmbylli Enver Bytyçi, duke theksuar tezën e tij se kontratën sociale kryeministri nuk e ka me qytetarët, por me krimin.

 

Kreu demorkat Lulzim Basha plotësoi edhe më tej tezën e profesor Bytyçit duke theksuar se kryeministri Rama kurrë nuk u ndje llogaridhënës dhe përgjegjës para qytetarëve, pikërisht për arsyen e vetme se fatin e tij e lidhi me kriminelët me damkë në Shqipëri dhe trafikantët e drogës të cilët i bëri deputetë, kryetarë bashkish dhe drejtorë të mëdhenj.

 

“Ky është realiteti, kjo nuk është fantazi. Kush e solli Arben Ndokën në Parlament? Armando Prengën, Mark Frrokun, Klemend Balilin në krye të Transporteve të Sarandës, Artur Bushin kryetar bashkie në Krujë dhe Elvis Rroshin në Kavajë?

Këta kriminelë bëjnë sot ligjin në Shqipëri. Këta dhe vetëm këta ndryshojnë planet urbanistike, nxjerrin leje ndërtimi. Këta fitojnë tenderat ose përcaktojnë se kush i fiton tenderat. Ky është shteti i Edi Ramës”.

 

Lulzim Basha tha se kryeministri Rama nuk mund ta bëjë ndarjen e krimit nga politika, si kërkon çdo demokraci e lirë, pasi kriminelët janë këmbët e karriges së tij kryeministrore.

 

“Bota është e  shqetësuar me ne, sepse një vend anëtar i NATO-s, i cili bllokoi tërësisht trafikun e qënieve njerëzore, i cili coi në nivele minimale trafikun e drogës, që futi banditët, që ti po liron sot, në burg, sot, për shkak se në krye të vendit është jo thjesht një i papërgjegjshëm, por një aleat i krimit të organizuar, që nuk kontrollon dot as territorin dhe as kufijtë e vendit. Cfarë do të bësh me 400 ton në magazinën e Lezhës.

 

E di ministri yt i brendshëm, e di drejtori yt i policisë, 400 ton drogë në një magazinë në Lezhë, por se prek dot, aq sa nuk prek dot Arben Ndokën, sepse droga është vetë karrigia ku ti je ulur”.

 

Zoti Basha tha se kjo është arsyeja pse Kryeministri nuk kërkon dialog politik por vetëm monologje shterpë në funksion të propagandës dhe fasadave me të cilat është mësuar t’u shpëtojë përgjegjësive.

 

“Ndaj dhe refuzon dialogun për qeverinë teknike që do të luftojë drogën, që do të nxjerrë të inkriminuarit nga institucionet dhe do ti japë shqiptarëve kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë dhe votimin elektronik që një vit e zvarrite, sepse  votimi elektronik, është vetingu i vërtetë nga qytetarët shqiptarë për politikanët e korruptuar dhe kriminelët e lidhur me ta. Sot, mbushen tetë ditë që ti duhet ti përgjigjesh ftesës për dialog, për të cilën ti re dakort të mërkurën e javës së kaluar.

 

Re dakort, për të diskutuar për qeverinë teknike dhe mandatin e qeverisë teknike. Këtë kemi kërkuar që prej ditës së parë. Askush nuk ka kërkuar pushtet në tavolinë.”

 

Thirrjen për zgjidhjen e krizës përmes qeverisë teknike që në mandatin e saj do të krijojë kushtet bazike për liri vote, Lulzim Basha ia drejtoi kryeministrit.

 

“Të shkojmë në një dialog të vërtetë, siç kam insistuar dhe siç kemi insistuar prej fillimit. Jo mologje shterpë që të dalë e të përdridhet para kamerave, por një dialog të vërtetë. Cakto negociatorin të përfundojmë përgatitjet për dialogun siç re dakord të mërkurën e javës së ardhshme dhe orën e vendin ta kam lënë ty. Kjo është rruga që ne preferojmë”.