Më lejoni ta nis fjalën time sonte me një falenderim dhe mirënjohje të thellë për David McAllister, kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, njëkohësisht zv/president i Partisë Popullore Europiane, si dhe për eurodeputetin Knut Fleckenstein, raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, të cilët erdhën sot në Shqipëri dhe nuk kursyen asnjë përpjekje për ti kontribuar një zgjidhjeje reale të krizës politike që ka mbërthyer vendin tonë. Falenderimet dhe mirënjohjen time, Partisë Demokratike, opozitës dhe cdo qytetari protestues.

Për fat të keq, përpjekja e dy ndërmjetësuesve europianë nuk pati sukses. Kjo, sepse Edi Rama refuzon qeverinë teknike të zgjedhjeve të lira si zgjidhjen e vetme, por edhe si zgjidhjen e ndershme për të krijuar kushte dhe premisa të barabarta për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke zbatuar ligjin për dekriminalizimin, pra duke larguar kriminelët nga institucionet shtetërore, duke luftuar trafikun e drogës, kultivimin dhe paratë e drogës si kërcënim jetik për demokracinë dhe për votën e lirë të qytetarëve shqiptarë dhe duke garantuar reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, përfshirë edhe votimin biometrik elektronik dhe numërimin elektronik të votës.

Ky refuzim, ka për bazë frikën e Edi Ramës për të lëshuar karriken kryeministrore dhe për të lëshuar kështu garancitë që ai i ka dhënë tash 3 vite e gjysëm krimit të organizuar dhe narkokartelit në narkorepublikën që ka ndërtuar me duart e tij.

Ju duhet ta dini se Partia Demokratike ka rënë dakord me një numër të madh propozimesh të natyrës teknike, të cilat do të ndihmonin për të përshpejtuar procesin e dekriminalizimit dhe për të luftuar me të vërtetë drogën. Por, Partia Demokratike, opozita dhe qytetarët e ndershëm të këtij vendi, të majtë e të djathtë, nuk mund të pranojnë kurrë që këto detyra, të cilat Edi Rama me vetëdije nuk i kreu gjatë kohës që ishte ne qëverisje, këto detyra, që nuk i kreu sepse beri të kundërtën duke sjellë kriminelët në parlament në krye të bashkive dhe institucioneve publike të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një hambar droge për përfitime pasurore dhe të pushtetit të tij, ky njeri pra, që dështoi të bëjë detyrat e tij para shqiptarëve tash 4 vite, do të mund ti bënte ato në këto 4 javë që i kanë mbetur të mandatit të tij.

Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund të pranojë që njeriu që shkaktoi kriminalizimin e Shqipërisë, që e ktheu Shqipërinë Kolumbinë e Europës, do të jetë po kështu përgjigja për këto probleme në më pak se katër javë që i kanë mbetur nga mandati i tij.

Ndaj, kushti i patjetërsueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mbetet qeveria teknike me mandatin popullor për të luftuar drogën, për të nxjerrë jashtë institucioneve kriminelët dhe për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke përfshirë votimin dhe numërimin elektronik.

Dua po kështu të denoncoj dhe të dënoj aktin e turpshëm të kondicionimit të luftës kundër drogës dhe kriminalizimit me gjoja votën për vetingun. Dua ti them sot cdo shqiptari dhe miqve tanë ndërkombëtarë, se kjo nuk është cështje, ose ose, ose dekriminalizim dhe drogë, ose veting, por, është cështje, edhe edhe.

Partia Demokratike angazhohet solemnisht para qytetarëve shqiptarë se me një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira e të ndershme, do të zbatohet plotësisht ligji për dekriminalizimin, do të luftohet droga, do të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do të nisë menjehere zbatimi për vetingun, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe marrëveshjes politike të 21 korrikut.

Edi Rama, nuk do as zgjedhje të lira, as veting të vertetë që të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, sepse i trembet demokracisë së vërtetë dhe drejtësisë së vërtetë.

Në këtë përballje, ka patur dhe do të ketë perballe jo vetëm opozitën por të gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë.

Ne, nuk do të pranojmë zgjedhje fasadë, të diktuara nga krimi dhe droga, as veting fasadë të diktuar nga Edi Rama dhe interesat e tij korruptive dhe kriminale.

Ne jemi të vendosur të vazhdojmë pa kthim betejën tonë, betejën popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, për veting të vërtëtë, vetëm sipas përcaktimeve kushtetuese të 21 korrikut dhe marrëveshjes politike të 21 korrikut.

Shembulli i kësaj lëvizje të paprecedentë në Shqipëri dhe Europë, frymëzon çdo shqiptare e çdo shqiptar të ndershëm dhe miqtë e Shqipërisë demokratike, të lirë dhe europiane.

Të vendosur, do të vazhdojmë qëndresën tonë në këtë monument të lirisë, në çadrën e lirisë, në sheshin e lirisë. Dhe javën e ardhshme do të nisim përshkallëzimin e mosbindjes civile anembanë Shqipërisë, për t’i treguar Edi Ramës dhe tiranisë së krimit dhe drogës se, koha kur në Shqipëri bëheshin votime por jo zgjedhje, ka marrë fund një herë e mirë.

Nuk do të ketë më kurrë votime dhe jo zgjedhje. Nuk do të ketë kurrë pushtet pa opozitë.

Republika e Re po agon dhe nuk do të ketë forcë mbi tokë që ta ndalë.

Zoti ju bekoftë ju!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Zoti e bekoftë Shqipërinë europiane!


Mesazhi i Lulzim Bashës sonte, pas refuzimit të Edi Ramës, për të zgjidhur krizën politike, 25 Prill 2017