Dita e 23-të e protestës, kjo e Diel, me këtë kohë të lavdishme që na ka sjellë Zoti, sepse pranvera po vjen, nuk mund të niste më bukur se sa në praninë e profesor Bujar Kapexhiut, këtij personaliteti të jetës publike që na fal gjithmonë si përmes punimeve të tij, ashtu edhe përmes fjalës së tij, një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe një këndvështrim të veçantë për jetën në tërësi dhe jetën politike në veçanti. Ndërkohë që profesor Kapexhiu po fliste për karikaturat e tij, unë po bëja një refleksion. Sepse, pak metra më tej po bëhet një mbledhje ku po shkarkohen disa shërbëtorë të qeverisë. Cili është ndryshimi, mes asaj që bën Bujar Kapexhiu dhe asaj që bën Edi Rama? Ky është reflektimi im. Sipas reflektimit tim, artisti tret dhe dixheston lajmet politike, i kthen në ide dhe ja ku i ka bashkuar njerëzit, ata njerëz që nuk mund të bashkohen asnjëherë, dhe i jep formë me artin e tij.
Këtu jemi personazhe. Në një farë mënyrë këtu jemi edhe kukulla në dorën e Bujarit. Mirëpo, kjo nuk na mërzit, përkundrazi na kënaq. Ky është monopoli i artistit, është monopoli i shpirtit krijues, i cili përcjell përmes arbitraritetit, pra e zgjedh vetë se si do ta përcjellë idenë, emocionin tek qytetarët. Na zgjon, na ngacmon kureshtjen, na vë në mendime. Na pozicionon. Ky është monopoli i artistit.
A mund ta ketë, këtë monopol edhe politikani? A mundet edhe politikani me arbitraritet, me të njëjtën mënyrë si artisti, të vendosë çfarë ti dojë qejfi, e si t’i dojë qejfi. Këtu gjërat ndryshojnë pak. Sepse, nëse misioni i artit dhe i artistit, është të ngacmojë, të provokojë, të mobilizojë m të mirën në mendimin, në intelektin e artndjekësve, të qytetarëve, të të gjithë publikut, misioni i politikanit është t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe t’i shërbejë atyre.
Ajo që po ndodh pak metra që këtej, është në fakt një karikaturë, por jo nga këto të Bujar Kapexhiut. Eshtë një karikaturë e shëmtuar e të vetëquajturës Rilindje. Eshtë karikatura e një kryeqeveritari, i cili, ka braktisur solemnisht të gjitha premtimet me të cilat erdhi në pushtet, ka ndërtuar një aleancë të rrezikshme, për çdo qytetar shqiptar, (të djathtë dhe të majtë, madje do të thoja, veçanërisht për socialistët shqiptarë), kjo është aleanca midis politikës dhe krimit, dhe ky është inkriminimi i Partisë Socialiste, pra, vendosja e interesave politike të një partie nën interesat e kriminelëve, që kanë dalë nga burgjet e Europës dhe sot janë deputetë, kryetarë bashkish dhe drejtues të institucioneve, përgjegjës për kanabizimin e Shqipërisë, vitin e kaluar në nivele rekord.
Ky njeri nuk ka për detyrë të bëjë karikaturë, nuk ka për detyrë as të bëjë vizatime siç e ka mbushur zyrën e tij, apo qypa balte. Ai, ka patur për detyrë t’i përgjigjet nevojave të shqiptarëve, të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe, ka dështuar ta bëjë, në çdo vit të qeverisjes së tij, në çdo muaj, në çdo javë e në çdo ditë, e po dështon edhe në këto orë, ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Të dëgjojë mesazhin që shqiptarët e bashkuar i kanë dhënë me 18 shkurt.
Ne nuk jemi mbledhur këtu, as për koka turku, as për koka kecash, as për koka delesh, jemi mbledhur për një mision të madh europian, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nuk jemi mbledhur që, padrino të shkarkojë shërbëtorët e tij. Nuk jemi këtu për shërbëtorët e Edi Ramës. 1, 2, 3, 4, 14 po të dojë, le t’i shkarkojë të gjithë, kjo lëvizje do të qëndroje e do të fuqizohet deri në largimin e padrinos. Si mendon ai, që ne ia vëmë fajin Lindita Nikollës për kanabizimin e Shqipëisë? Si mendon ai, do t’ia vëmë fajin dikujt tjetër për sjelljen e kriminelëve në parlament dhe në bashkitë e vendit?
Shqiptarët e dinë fare mirë që ky nuk ka qenë një nënprodukt i shërbëtorëve të Edi Ramës, por ka qenë produkt i drejtpëdrejt i vendimeve politike që Edi Rama ka marrë për ta sjellë krimin në pushtet, për të qeverisur me krimin, për të nxjerrë kriminelët e dënuar nga burgjet, që t’i shërbejnë atij për të kapur dhe prishur zgjedhjet e ardhshme. E bëri këtë me arrogancë totale në Korçë, në 2015-ën, në Dibër. E paralajmëruam, dhe nuk na e vuri veshin sepse nuk kishte besim se qytetarët do të ngriheshin. Ja pra që, qytetarët janë ngritur, qytetarët janë bashkë, ky bashkim popullor rritet nga ora në orë dhe konsensusi kombëtar është; nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën kryeministër, ndaj Rama ik!
Nuk ka asnjë tërheqje nga ky kusht. Nuk jemi këtu në një ekspozitë politike. Na mjaftojnë, sepse duan kohë t’i shijosh e t’i përtypësh, ekspozitat e Bujar Kapexhiut. Bujar Kapexhiu është në të drejtën e tij sovrane si artist, si figurë publike, të na japë mesazhet përmes karikaturës, ndërsa karikatura e Edi Ramës duhet të marrë fund një orë e më parë.
Çdo përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë me shkarkimin e shërbëtorëve të tij, nxjerr zbuluar interesin e tij të vërtetë. Eshtë gati të sakrifikojë gjithçka për pushtetin dhe pasurinë personale, siç sakrifikoi PS-në, duke shpikur Rilindjen e kriminalizuar deri në palcë. Duke sjellë kriminelët në listat e partisë së tij, duke i veshur me pushtet. Siç sakrifikoi ekonominë, të ardhmen e shqiptarëve, duke mbytur vendin me drogë, duke e mbushur me hashash nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, duke asgjesuar shpresën e shqiptarëve për një jetë të ndershme, duke kërcënuar drejtpërdrejt shëndetin tonë, e në veçanti shëndetin e fëmijëve tanë. Siç sakrifikoi të ardhmen europiane të Shqipërisë, ku negociatat nuk do t’i happen, derisa të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Tani, për pushtetin e tij, po sakrifikon shërbëtorët e tij, ministrat apo ministret e tij. Gjithçka, për pushtetin e tij. Asgjë për qytetarët, asgjë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe ky është ndryshimi tjetër i madh, jo vetëm midis Edi Ramës dhe Bujar Kapexhiut, arti i të cilit është në funksion të shqiptarëve dhe jo në funksion të tij, ky është ndryshimi i madh midis Edi Ramës dhe i shumicës dërrmuese të shqiptarëve të cilët do të bënin gjithçka që vendi të nisë rrugën e negociatave për në Bashkimin Europian.
Që vendi të shkëputet nga kriza e thellë ekonomike, politike dhe shoqërore, nga kriza e thellë psikologjike, këtë depresion që ka kapur shoqërinë që është në fakt reflektim dhe pasqyrë e një individi që e ka sjellë këtë gjëndje, dhe ky është kryeministri aktual Edi Rama. Të gjithë jemi këtu, jo për të marrë, por për të dhënë nga vetja jonë, që nesër Shqipëria të jetë më mirë. Që nesër Shqipëria të jetë më e sigurtë, që nesër ekonomia kombëtare të jetë më e fortë, që nesër të kemi më shumë vende pune, me paga më dinjitoze, arsim më të mirë, shëndetësi që t’i përgjigjet nevojave, prandaj jemi këtu, jo duke marrë, por duke dhënë. Sepse çdo qytetar që i është bashkuar kësaj proteste prej ditës së parë e deri më sot, e ka bërë këtë me shpirtin e sakrificës, me shpirtin e kurajos dhe me përgjegjësinë e madhe se duke dhënë sot nga koha juaj, nga energjia juaj, nga shpirti juaj, ju jepni për Shqipërinë e nesërme, Shqipërinë Europiane, Republikën e Re, të shpresave dhe mundësive për çdo qytetar.
Ky është ndryshimi. Të gjithë këtu jemi gati të japim gjithçka për një Shqipëri ndryshe dhe ndryshe do të jetë. Asgjë nuk do të jetë më si më parë. Prandaj, çdo truk, çdo manovër për t’i hedhur hi syve të shqiptarëve, për t’ua dhënë sapunin për djath, apo Tahirin për Ramë, eshtë e papranueshme. Protesta vazhdon dhe do të vazhdojë deri në largimin e Edi Ramës, deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike, me mbështetje të gjerë popullore, që do të garantojë, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, pra largimin e çdo krimineli nga postet drejtuese, një luftë efikase kundër fushatës së drogës që po nis, dhe parave të fushatës së fundit të drogës, krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme që është një frazë, por që është një plan i tërë, që do të mundësojë që çdo shqiptare, çdo shqiptar, çdo e re, çdo i ri, çdo e moshuar, çdo i moshuar; të ketë mundësinë të votojë si europian dhe vota t’i numërohet njësoj si në Europë. Të vendosin qytetarët dhe do të vendosin qytetarët, themelin e Republikës së Re.
Ndaj kjo e diel që na bashkon këtu në këtë agorë dhe që bashkon shqiptarët anembanë, ose rreth sofrës familjare apo në të tjera kontekste shoqërore, fetare, e të çfarëdollojshme, është një ditë zotimi dhe përbetimi për të vazhduar këtë bashkim popullor për të vazhduar e për të qenë zëri i shumicës, që ka qenë e heshtur deri më 18 shkurt, por që prej 18 shkurtit, këtu ka zërin, këtu ka sytë, këtu ka mendjen, këtu ka shpresën, këtu ka zemrën.
Ne nuk do t’iu zhgënjejmë. Kjo betejë do të përfundojë me fitoren e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe me themelimin e Republikës së Re, të zgjedhjeve të lira, të demokracisë së vërtetë, të shtetit të vërtetë ligjor.