Lulzim Basha bashkëbisedim me pedagogë dhe qytetarë në Sheshin e Lirisë, për sistemin e arsimit të lartë. Skema e ramës anti-dije, në funksion të klientëve dhe pasurimit të tyre.

Paraditen e 42-të, në Sheshin e Lirisë, kreu demokrat Lulzim Basha, pedagogë dhe qytetarë, bashkëbiseduan lidhur me sistemin arsimor universitar në vend. 70 pedagogë të degëve të ndryshme të Universitetit Publik u bashkuan për të çjerrë masken e premtimeve të pambajtura të Kryeministrit Rama.

Enriketa Papa, pedagoge në Fakultetin e Historisë, tha se ligji i arsimit të lartë është cungim i lirive, pavarësisë dhe fjalës së lirë të universiteteve. Papa tha se sidomos pedagogët dhe intelektualët nuk duhet t’i binden autoritarizmit. Orinda Malltezi beson se ligji i arsimit të lartë duhet zhbërë i gjithi pasi është ndërtuar duke mbrojtur jo interesat e studentëve dhe pedagogëve, por ato të klientëve të kryeministrit dhe minsitres se Arsimit Nikolla.

Çlirim Gjata argumentoi nga pikpamja e juristit se problem madhor është edhe mungesa e mbështjetjes ligjore. Kjo, sipas tij, shkakton frikë tek njerëzit të cilët nuk ndihen të lirë të shprehin mendimin e tyre sa kohe mund t’i rrezikojë vendin e punës. Duhet një status ligjor ku intelektualët të jenë të lirë, të mos shkarkohen njerëzit nga puna vetëm sepse kanë kundërshtuar dicka – tha Gjata.

Në anën tjetër, pedagogët denoncuan farsën e rritjes së rrogave të premtuara nga Edi Rama. Zamira Sina deklaroi se kryeministri, jo vetëm nuk i rriti me 20% deri në 25% rrogat e pedagogëve, ashtu si edhe u kishte premtuar, por tani u ka ngritur ngarkesën. Duke përdorur një formulë të re në mënyrën se si paguhen pedagogët për orët e punës, Kryeministri i ka ulur pedagogëve normën e orëve të mësimit dhe koefiçentin që përllogariste shpërblimin për to. Sot – tha Sina – ne duhet të punojmë më shumë, që të marrim më pak.

Problem tjetër i shtruar nga pedagogët është edhe mungesa e financimit për kërkimin shkencor në Universitete. Ky shqetësim është ngritur edhe më parë nga studentë të Universiteteve Publike, po nga Sheshi i Lirisë, ku sot ngritën zërin pedagogët. Enriketa Papa tha se universitetet nuk kanë as kushtet minimale për kërkime shkencore. Zamira Sina theksoi se kërkimi shkencor në Shqipëri nuk paguhet duke treguar se mendja e shkencëtarëve për këtë qeveri ka vlerën zero. Mirela Tabaku tha se pedagogët shqiptarë, të cilët shkruajnë artikuj për revista prestigjoze që i kontaktojnë edhe nga jashtë, nuk kanë asnjë kusht apo shpërblim për ta bërë këtë në vendin e tyre.

Lulzim Basha i sapo kthyer nga Malta ku mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore Europiane, i përcolli qytetarëve përshëndjetjet nga përtej kufijve.

“Ju sjell përshëndetjet dhe solidaritetin e Partisë Popullore Europiane dhe partive tona simotra, nga Kongresi i Mbajtur në Maltë. Ju sjell mbështetjen e liderëve e partive tona simotra në qeveri apo në opozitë, anembanë Bashkimit Europian dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të Bashkimit Europian”.

Për situatën ku Rama e ka sjellë Shqipërinë sot, Basha tha se zgjidhja është një dhe e vetme: zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne luftojmë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ky është një parim i madh. Ata luftojnë për të ruajtur pushtetin dhe pasuritë që kanë vënë përmes korrupsionit dhe drogës, dhe këto janë interesa të mëdha. Sepse edhe ne me zgjedhje të lira dhe të ndershme duam që  paratë që vidhen ditë për ditë e nuk shkojnë për shëndetin, arsimin, pensionet, punësimin dhe rrogat e shqiptarëve, t’i vendosim pikërisht në funksion të një ekonomie që rritet dhe garanton punësim. T’i vendosim pikërisht për të rritur pensionet e shqiptarëve në mënyrë që në fund të katër viteve të para të Republikës së Re të mos ketë pension nën 250 mijë lekë për shqiptarët dhe shqiptaret”.

Paratë e taksapaguesve shqiptarë duhet t’i kthehen sërish atyre për të rritur mirëqënien dhe mundësitë e të rinjve për studim e për të rritur cilësinë e universiteteve publike. Lulzim Basha tha se kjo do të arrihet vetëm përmes shkëputjes së lidhjes së fortë të krimit me pushtetin. “Pikërisht që paratë të mos shkojnë tek Çilat me shokë, por të shkojnë tek studentët shqiptarë, të cilët të mund të studiojnë pavarësisht prej mundësive të tyre ekonomike dhe të jenë pjesë e një shoqërie të zhvilluar dhe europiane”.