Ish-të përndjekurit: Mos harroni të burgosurit dhe ata që i burgosën. Në krye të tyre është Edi Rama 

Në ditën e 28-të, protestës në Sheshin e Lirisë iu bashkuan të persekutuarit e regjimit komunist

Qindra ish-të përndjekur nga regjimi komunist, marshuan në shenjë proteste përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Me pankartë në duar, të internuarit, të burgosurit, të persekutuarit e regjimit diktatorial kërkojnë “Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme”.

Ish-të përndjekurit iu bashkuan protestës së opozitës në “Sheshin e Lirisë”, ku shprehën revoltën për vrasjen pa gjyq të rreth 6 mijë shqiptarëve në burgjet komuniste, mbi 100 mijë të internuarit në kampet e internimit, për 50 vite me rradhë.

“Mos harroni ata që i vranë. Mos harroni të burgosurit dhe ata që i burgosën. Në krye të tyre është Edi Rama”, ishte mesazhi i tyre.

Mbesa e dëshmorit të lirisë Kujtim Franku i cili u vra në qendër të votimit në mbrojtje të votës së lirë, në zgjedhjet e vitit 1997, tha se sot pas 20 vitesh, po drejtohet revolucioni demokratik për mbrojtjen e votës së lirë.

“Ne pjestarë të kësaj familje që kemi derdhur gjak për mbrojtjen e votës së lirë jemi përkrah jush për të realizuar me vendosmëri që të instalohet në Shqipëri një herë e përgjithmonë shenjtëria e votës. Për ju që po i ktheni shqiptarëve dinjitetin e votës së lirë e të ndershme, ne të rinjtë antikomunistë pjesë e Unionit të Burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë jemi me ju deri në realizimin e kauzës së lirë të kauzës së shenjtë për republikën e re dhe votës së lirë”, tha ajo.

Për Besim Ndregjonin, kryetarin e Shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, ky vit do të jetë vit i çlirimit nga prangat komuniste.

Reshat Kripa, ish i persekutuar tha në Cadrën e Lirisë se fëmijët e atyre që i vranë shqiptarët e pafajshëm në sistemin komunist, janë sot në pushtet. “Ata kërkojnë ta rikthejnë sërish historinë, sepse janë sot ish-hetues të komunizmit që sot janë në pushtet. Jo krimit të organizuar, jo drogës, t’i themi po demokracisë, po qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të reja”, tha ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se sot jemi këtu të gjithë bashkë për të shprehur njëzëri vendimin dhe zotimin tonë për të mos u pajtuar kurrë me neodiktaturën e pinjollëve të komunizmit, të veshur me petkun e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Shqipëria rrezikon të përdhoset nga një kryeministër nip i Byrosë Politike të Enver Hoxhës, tha Basha duke theksuar se nuk u mjaftua me gjëmën e kriminalizimit dhe drogës, por ka vendosur t’i propozojë shqiptarëve për ministër të Brendshëm një nga hetuesit më famëkeq të diktaturës së Enver Hoxhës, një njeri që ka torturuar me duart e tij vajzat dhe djemtë e rinj të Krujës.

“Një njeri që pasi hoqi kostumin e hetuesit të Hetuesisë Politike të Sigurimit të Shtetit veshi bashkë me vëllain e tij kostumin e narkotrafiknatit të kokainës. Ky është Fatmir Xhafaj. Ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron! Ndokush që nuk e njeh mirë historinë e Shqipërisë, mund edhe ta pandeh për “qingj”, por shqiptarët e dinë se ka qenë dhe është ujk i vjetër i diktaturës dhe i narkotrafikut. Ndaj sot nga ky shesh, në prani të kaq shumë të përndjekurve politikë dhe pasardhësve të tyre, le të zotohemi bashkë se Fatmir Xhafaj nuk kaloj pragun e Ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë”, tha Basha.

Kryetari i opozitës theksoi se e vetmja rrugë për t’i hapur Shqipërisë perspektivën europiane që meriton është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës, është qeveria teknike me mbështetje të gjerë politike, pa persona të përlyer me krimin dhe pa persona që kanë përlyer duart me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës komuniste.

“Me burra dhe gra, me djem dhe vajza të ndershëm që do të sigurojë luftë kundër krimit, luftë kundër drogës, zgjedhje të lira dhe të ndershme. I bëj thirrje Fatmir Xhafës të tërhiqet menjëherë nga aventura që ka nisur. Ai nuk do të jetë asnjë minutë ministri i Brendshëm i shqiptarëve”, vuri në dukje kretari i opozitës, Lulzim Basha.