Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takon banorët e Kamzës, të gjunjëzuar nga mungesa e ndihmës ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua mëngjesin e sotëm me qytetarë të Kamzës dhe vizitoi disa familje në nevojë. Ai bisedoi me ta për gjendjen e vështirësitë e mëdha ekonomike dhe jetësore që kalon shumica e zonës së Kamzës për shkak të papunësisë dhe të braktisjes së tyre nga shteti.

Zoti Basha takoi familjen e Shyqyri Durishtit, i arrestuar nga policia pasi tentoi të sillte dritë në shtëpi për familjen e tij, të pallogaritur nga ndihma ekonomike shtetërore, pavarësisht gjendjes të banesës dhe kushteve të jetesës.

Kryedemokrati Basha, përpara mediave i bëri thirrje qytetarëve të ngrenë zërin për padrejtësitë dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Basha u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen më 18 shkurt.

“Të ngrihemi të gjithë bashkë në këtë lëvizje, të frymëzuar edhe nga zmbrapsja e qeverive të korruptuara në vendet europiane, e arritur vetëm përmes forcës së njerëzve dhe zërit të qytetarëve” – tha Lulzim Basha

Pas vizitës në shtëpinë e disa familjeve të pamundura ekonomikisht për të përballuar jetesën, kryetari demokrat Lulzim Basha ndaloi për të diskutuar me banorët mundësinë e një zgjidhje, që do të nisë më 18 shkurt për tu shtrirë më pas në gjithë Shqipërinë.