Lulzim Basha bashkëbisedim me moshën e tretë në Sheshin e Lirisë

Paraditen e njëmbëdhjetë në Sheshin e Lirisë kryedemokrati Lulzim Basha bashkëbisedoi me pensionistë shqiptarë, një nga shtresat më të goditura nga faturat e rritura të kësaj qeverie dhe mungesa e rritjes së pensioneve. 

“Premtuan rritje pensionesh. Premtuan se pensionistët do kishin fuqi blerëse më të madhe por realiteti flet vetë. Pnesionet nuk janë rritur as sa vlera e indeksit të inflacionit. Me një dorë marrin pensionin dhe me tjetrën blejnë ilaçe skarco. Pensionistët nuk duan lëmoshë. Ata duan t’u njihet kontributi dhjetëra vjeçar në punë robëruese.” 

Kryetari Lulzim Basha premtimin per republikën e re, ja dha edhe kësaj kategorie.

“Zgjidhja që ne ju ofrojmë shqiptarëve, me taksa të ulëta me liri dhe mundësi për sipërmarrjen, do ta rrisë ekonominë, do të ulë informalitetin dhe do të bëjë të mundur që vetëm brenda katër viteve të ardhshme, pensionet e shqiptarëve të rriten 40% dhe ne mos kemi pension nën 250 mijë lekë në muaj”.

Problemit të kësaj kategorie i dha zë edhe Hysen Daja, kryetar i sindikatës së pavarur të pensionistëve. 

“Marr rreth 220 mijë leke të vjetra për pension. Jam me arsim të lartë dhe kërkoj që figura e pensionistit të zërë vendin që i takon. Kërkojmë rritje dinjitoze të pensionit. Nuk na vlen një rritje 3% e tij.Ne do bëjmë çështë e mundur që edhe pensionistët shqiptarë të kenë gjërat që i takojnë dhe kjo mund të vijë vetëm përmes protestës”.

Për Agim Lamen, pensionist prej gjashtë vitesh tashmë, krahasimi vjen i thjeshtë. 

“Kam dal në pension para gjashtë vitesh, pra tre me këtë qeveri dhe tre me qeverinë e mëparshme. Në tre vitet e para më është rritur pensioni me rreth 26 mijë leke. Në kto tre vitet e fundit, vetëm me 3 mijë lekë. Unë i bëj thirrje pensionistëve të grupohen. Ne si bashkim i sindikatave kemi një platformë dhe kemi trokitur në dyert e çdo partie, jo vetëm Partisë Demokratike. Por këtu na u hap porta”.

Disa shifra të INSTAT të artikuluara nga Mateo Spaho treguan se edhe pse qeveria premtoi indeksim të pensioneve me inflacionin kjo nuk ka ndodhur. Inflacioni është rritur me 2% deri në 3% por nëse shihni çmimet e shportës, janë rritur me 4-5-6% në vit ndërsa pensionet me 1% deri në 2%. Bileta e autobusëve urban u bë 40 lekë, pra u rrit me 25%. Pensionet jo. 

Xhaferri, një ish-simpatizant i Partisë Socialiste tregoi historinë e tij personale me vështirësinë e të përballuarit të faturave të energjisë elektrike. Duke e konsideruar energjinë si pjesë të shportës, zotëria llogariti se me këtë qeverisje ka 12 mijë leke të vjetra më pak në pensionin e tij.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi edhe të tjerë qytetarë të thjeshtë të tregojnë hallet e vërteta të popullit, të cilat kjo qeveri kërkon t’i mbysë. 

“Ky kryeministër dhe qeveria e tij paguan plot 140 punonjës të cilët në vend që t’i kthejnë përgjigje halleve të qytetarëve rrinë nga mëngjesi deri në darkë duke sulmuar qytetarët, duke sulmuar opozitën, duke sulmuar mediat në internet. I shikoni në faqet on-line ata që vjellin vrer sa herë që dikush ngre zërin kundër qeverisë, kundër politikave apo kur dikush denoncon një hall, i vërsulen me gjuhë rrugaçësh”.

Për këtë arsye, zoti Basha përsëriti qëllimin e qëndresës qytetare në ditën e njëmbëdhjetë të protestës. 

“Prandaj jemi këtu për ta shembur këtë lloj pushteti. Pushteti i ardhshëm do të burojë nga qytetarët dhe do të varet nga qytetarët. Do të varet nga qytetarët dhe qytetarët do ta kenë në dorë përmes mekanizmave institucionalë, kushtetues, do ta kenë në dorë përmes mekanizmave të protestës qytetare”.