Mesazhi i Lulzim Bashës sot në ditën e 11 të protestës popullore në Sheshin e Lirisë 

Zonja dhe zotërinj,

Vëllezër e motra,

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë,

Dita e 11-të e bashkimit popullor është dita e 11-të e qëndresës dhe provë e vendosmërisë tonë për të mos u tërhequr deri në garantimin e themeleve të republikës së re të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ku pushteti të dalë nga vota e qytetarëve dhe jo nga pazaret e krimit me politikën.

 

Sot kam patur biseda me njerëz shumë të rëndësishëm në Bruksel. Kauza jonë po njihet dhe po merr mbështetje të madhe jo vetëm popullore dhe kombëtare, por dhe ndërkombëtarë. Sepse është kauza e drejtë e një populli i cili refuzon të vazhdojë të qëndrojë siç ka qëndruar këto tre vite e gjysëm, nën zgjedhën e krimit, nën zgjedhën e drogës, nën zgjedhën e politikës së korruptuar, të bërë njësh me krimin dhe drogën.

 

Nuk kërkojmë asgjë më shumë por edhe nuk pranojmë asgjë më pak, se gjithçka që do të pranonte një qytetar i Europës, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje pa krim, zgjedhje pa drogë. Dhe për këtë është e domosdoshme krijimi i një qeverie pa konflikt interesi me zgjedhjet.

 

Ky kryeministër dhe kjo qeveri janë në konflikt interesi me zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dhe kjo është arsyeja se pse duhet dhe do të largohet për t’i hapur rrugë një qeverie e cila nuk ka konflikt interesi; me zgjedhjet  e lira dhe të ndershme, e cila nuk është e lidhur me krimin, e cila nuk është e lidhur me drogën, e cila nuk është fajtore për sjelljen e kriminelëve në Parlament dhe në bashkitë e vendit, e cila nuk tregohet me gisht nga qytetarët, nga mbarë vendi dhe madje edhe nga vetë ministrat dhe ish-ministrat siç tregohet ky kryeministër.

 

Se ka urdhëruar me telefon lirimin e bandave dhe banditëve me të rrezikshëm të vendit. Pse?! Që ta ndihmojnë për të prishur zgjedhjet e shqiptarëve, që ta ndihmojnë për të dhunuar votën e shqiptarëve, që ta ndihmojnë për të shkelur vullnetin e shqiptarëve.

 

Këtë shqiptarët nuk e pranojnë më. Ky vendim është marrë dhe nga ky vendim nuk ka kthim.

 

Kjo betejë është një betejë jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është një betejë për Shqipërinë e re që po lind, për çdo palë zgjedhje pas zgjedhjeve të ardhshme.

 

Prandaj është një betejë që ja vlen të luftohet siç po luftohet, ditë për ditë, orë për orë, ditë e natë, në këtë shesh të lirisë dhe në çdo shesh e çdo rrugë, e në çdo shtëpi të shqiptarëve që i thonë “Jo krimit!”, i thonë “Jo drogës”, i thonë “Jo qevrisë së bërë njësh me krimin dhe me drogën!” Dhe “Po, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme!”, që janë themeli i republikës së re, të demokracisë së vërtetë, të shtetit ligjor të vërtetë që mbron qytetarin e thjehtë dhe godet gjyqtarin e korruptuar, godet kriminelin e lidhur me pushtetin, dhe të drejtësisë që lufton krimin dhe korrupsionin.

 

Në këtë betejë, në këto ditë me ne janë bashkuar shqiptarët, në ballë të kësaj beteje ka qenë dhe është rinia shqiptare, janë studentet shqiptarë, gjimnazistët shqiptarë.

 

Dhe në këto ditë e këto netë kanë patur fjalën, janë shprehur përfaqësuesit e rinisë, përfaqësuesit e studentëve. Por sot fjalën e kanë brezi i tretë, ata që me mund dhe sakrifica kanë rritur këtë rini shqiptare. Ata që çuan jetën në një sistem të padrejtë, abuziv, gjakatar, që derdhën djersën e tyre anembanë Shqipërisë. Dhe sot gëzojnë respektin tonë, respektin tim për gjithçka kanë bërë për familjet e tyre, për këtë vend. Por për fat të keq nuk gëzojnë as respektin, as konsideratën e një qeverie mashtruese dhe të dështuar në politikat sociale e në veçanti në politikat sa i përket brezit të tretë dhe pensionistëve.

 

Prandaj jemi mbledhur sot këtu, sepse republika e re që po lind, që do të ketë në themel zgjedhje të lira dhe të ndershme, që do të ketë në qendër të vëmendjes qytetarin shqiptar e në veçanti rininë shqiptare, nuk mund të jetë republikë e re e ndryshme nga ajo e vjetra që po varrosim nëse nuk merr përsipër përgjegjësinë e kujdesit të plotë njerëzor, të kujdesit të plotë human, e kujdesit të plotë financiar për gjendjen materiale, shpirtërore dhe dinjitetin e brezit të tretë dhe pensionistëve shqiptarë.

 

Ndaj jemi mbledhur sot këtu, të dëgjojmë nga ky parlamenti i vërtetë i republikës së re që po lind, problemet e vërteta që qeveria fasadë, parlamenti fasadë i republikës së krimit nuk do t’i dëgjojë. Sepse nuk do të ballafaqohet me dështimet e tyre.

 

Premtuan rritje pensionesh. Premtuan se pensionistët shqiptarë do të kishin fuqi blerëse më të madhe. Sot realiteti flet vetë. Pensionet nuk janë rritur as sa vlera e indeksimit të inflacionit. E kuptoni se çfarë do të thotë kjo? E dini fare mirë se çfarë do të thotë kjo.

 

Kjo do të thotë se me pensionin e sotëm, pensionistët blejnë më pak se sa ç’blinin para tre vitesh apo para katër vitesh.

 

Arsyeja është e thjeshtë, sepse pensionet janë rritur më pak se ç’është rritur inflacioni.

 

Po energjia elektrike?

 

Po faturat e ujit?

 

Po faturat e kudjesit shëndetësor?

 

A janë ulur apo janë rritur, janë bërë më mirë apo janë bërë me keq?

 

Po kujdesi i shërbimeve sociale të shtetit ndaj pensionistëve, ndaj njerëzve të cilët kanë punuar gjithë jetën e tyre dhe sot nuk kanë mjaftueshëm para për të mbyllur muajin, që me një dorë marrin pensionin dhe me dorën tjetër këto para i çojnë për ilaçe, dhe ilaçet janë skarco, janë ilaçe pa garanci.

 

Nuk dinë çfarë të bëjnë më parë.

 

Të paguajnë faturën e ilaçeve apo të paguajnë faturën e kripur të energjisë elektrike apo të paguajnë faturat e rritura të ujit? Çfarë të bëjnë me pensionin që blen më pak se katër vite më parë?

 

Kush mendon për këtë problem? Kush shqetësohet për këtë problem?

 

Kush ka zgjidhje për këtë problem?

 

Jo kjo qeveri, jo ky kryeministër. Ky ishte ai që rriti çmimin e energjisë, e rriti çmimin e energjisë pikërisht për shtresat me më pak të ardhura. E rriti çmimin e energjisë për ata që e kanë lakun në fyt. Ky është ai që rriti çmimin e shportës, duke rritur çmimin e naftës. Çmimi i naftës ndikon në gjithçka tjetër, në çmimin e miellit, e sheqerit, të vajit, të transportit.

 

Ky është ai që pensionistëve pra në vend që t’iu japë mundësi më të mëdha, t’iu shtojë të ardhurat, ju uli fuqinë blerëse.

 

Nuk i dha asnjë rrugëdalje, nuk i dha asnjë rrugëzgjidhje. Të dëshpëruar shumica dërrmuese e pensionistëve shqiptarë sot i ka sytë vetëm tek fëmijët e tyre. I kanë sytë vetëm tek lëmosha. Po a ka mundësi të ndërtojmë një republikë të drejtë, një shoqëri të drejtë, ku ata që kanë derdhur djersën e tyre, kanë derdhur mundin e  tyre, nuk marrin nga republika atë çka kanë kontribuar  po marrin përbuzjen, marrin lëmoshë.

 

Pensionistët nuk kërkojnë lëmoshë. Pensionistët kërkojnë tu njihet kontributi në 40 vite,  50 vite punë robëruese. T’iu njihet kontributi i tyre dhe tu jepet mundësia të jetojnë me dinjitet.

 

A ekzistojnë mjetet në këtë republikë që ata të jetojnë me dinjitet? Sigurisht që Po. Por në qoftë se jep 75 milion euro koncesione, pesë miqve të kryeministrit për zero shërbime, nëse jep 200 milion euro tendera korruptivë 11 miqve të kryeministrit, sigurisht që nuk të mbeten para për pensionistët, nuk të mbeten para për ndihmën sociale, njësoj si nuk mbeten para për studentët, njësoj si nuk mbeten para për arsimin. Sepse, paratë e taksave të shqiptarëve i gllabërojnë një grusht oligarkësh të lidhur me kryeministrin.

 

Por në republikën e re që po vjen e nuk po ndalet, kjo do të ndryshojë. Tenderat korruptive, koncesionet korruptive, do të anulohen. Paratë e shqiptarëve që kanë futur në xhepat e tyre në kurriz të mosrritjes pensioneve, në kurriz të shëndetësisë së falimentuar, në kurriz të tarifave të rritura të universiteteve jo vetëm do të anulohen, por unë zotohem sot se paratë do t’ua nxjerrim nga xhepat e fryrë dhe do t’i kthejmë në pensione më të mëdha, në shëndetësi të vërtetë, në arsim të vërtetë për shqiptarët.

 

Kjo është plotësisht e mundur.

Zgjidhja që ne ju ofrojmë shqiptarëve, me taksa të ulëta me liri dhe mundësi për sipërmarrjen, do ta rrisë ekonominë, do të ulë informalitetin dhe do të bëjë të mundur që vetëm brenda katër viteve të ardhshme, pensionet e shqiptarëve të rriten 40% dhe ne mos kemi pension nën 250 mijë lekë në muaj. Kjo  është plotësisht e mundur nga një qeveri që mendon për njerëzit, nga një qeveri që mendon për qytetarët, nga një qeveri që është e përkushtuar ndaj fatit të çdo kategorie shoqërore, veçanërisht ndaj brezit të tretë, brezi i sakrificës, pensionistëve shqiptarë.

 

Nuk do të ketë në fund të mandatit të parë të qeverisë së parë të republikës së re, një shqiptar me pension minimal, nën  250 mijë lekë.

 

Por ju e kuptoni se çfarë do të thotë kjo. Eshtë detyra ime t’ua shpjegoj se çfarë do të thotë kjo. Këto para nga diku do dalin, këto para dikush do të duhet t’i lëshojë, këto para sot i kanë një grusht njerëzish. Ata jetojnë si pashallarë, ata jetojnë si sheikë, ata ndezin purot e shtrenjta me 50 mijë lekësha. Këtyre njerëzve do t’ua marrim këto para, paratë e qytetarëve shqiptarë, paratë e taksapaguesve shqiptarë që i kanë marrë me tendera dhe koncensione korruptive.

 

Prandaj them se kjo është një luftë, ata do të përpiqen të mos i dërozojnë, do të përpiqen të vazhdojnë t’i mbajnë këto privilegje, ti mbajnë këto para, që shumica dërrmuese e shqipatrëve të vazhdojnë të lëngojnë në varfëri, të jenë gjithmonë e më shumë të varur nga qeveria, të jenë më shumë nën mëshirën e qeverisë, e ta kenë frikë qeverinë, para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve. Kjo është skema e tyre, kjo është mënyra se si ata janë pasuruar dhe se si duan ta ruajnë parusinë. Përmes një qeverie të kapur,

përmes një qeverie që u shërben atyre.

 

Ndërkohë që shkel me këmbë fatin e mijëra, qindra mijëra pensionstëve dhe familjeve shqiptare.

 

Ndaj është luftë, është luftë që këto para t’ia marrim një pakice dhe t’ia japim shumicës së qytetarëve që i meritojnë. Pensionistëve, studentëve, pacientëve, pedagogëve, policisë dhe të gjitha shërbimeve të shtetit.

Pra, kjo është lufta. Politika është rishpërndarje resursesh. Politika e republikës së vjetër resurset e shqiptarëve ia ka dhënë një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh. Pasuritë e shqiptarëve ua ka dhënë një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh. Pronat e shqiptarëve ua ka dhënë një grushti kriminelësh dhe një grushti oligarkësh.

Republika e re do ta zhbëjë këtë me fuqinë e votës së lirë, me fuqinë e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky është ndryshimi. Kjo është përmbysja. Ky është revolucioni demokratik.

 

Shumica do të rimarrë në dorë fatet e saj, do të rimarrë në dorë të drejtat e saj, do të rimarrë në dorë, asetet, pasuritë, paratë e republikës së re, do të jenë për qytetarët, për shumicën, e jo për pakicën, jo për qeverinë e korruptuar dhe bandën kriminale.

 

Kjo është zgjidhja, vëllezër dhe motra, zgjidhje tjetër nuk ka. Ju na dëgjoni. Ju keni shpresë, ju keni besim, ju keni vendosmëri dhe prandaj jeni këtu sot, sepse së bashku besojmë  dhe zgjidhjet që republika e re ofron.

Na dëgjon edhe pala tjetër. Ka frikë, ka tmerr, ka panik dhe bën gjithçka për të ndalur republikën e re, për të mbajtur në fuqi republikën e vjetër, ku zotër janë ata, mjeshtrat e propagandës, mjeshtrat e mashtrimit, mjeshtrat e hajdutërisë, me ndihmën e llumit të shoqërisë, kriminelëve, prandaj i mbajnë në krahë kriminelët, sepse po mos të kenë në krahë kriminelët, nuk kanë asnjë shans t’i imponohen shqiptarëve.

 

Por sot, nga ky shesh u themi se, sado kriminelë të mbledhin rreth vetes, sado të vonojnë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, koha ka ardhur, shqiptarët janë në këmbë, republika e re po vjen, e vjetra është e destinuar të vdesë, të zhduket.

 

Republika e re, republika e rinisë, republika e fëmijëve, republika e qytetarëve të thjeshtë, republika e sipërmarrësve, republika e punëmarrësve, republika e të papunëve që do të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre duke kërkuar dhe gjetur punë me një ekonomi të re, plotë shpresë dhe energji, ku mundësitë janë të barabarta para ligjit dhe pa dyshim republika e re me nderim të rigjetur, për brezin e tretë, për brezin e sakrificës, për pensionistët shqiptarë.

 

Ndërhyrja pas shqetësimit të pensionistit:

 

Fjalën tënde e ndoqën me shumë interes, jo vetëm të pranishmit por edhe ata që mundën ta ndiqnin përmes medias. Këto janë fjalët e vërteta të popullit, jo dënglat e propagandës të kryeministrit që është ngulur në ekran, është ngulur në ekran dhe nuk shkulet nga ekrani se nuk do të dëgjojë hallet e njerëzve. Ai nuk do të dëgjojë, e jo më të zgjidhë punë.

Për hallet që shkruan dhe nuk merr përgjigje, shqiptarët duhet ta dinë ky kryeministër dhe qeveria e tij paguan plot 140 punonjës të cilët në vend që t’i kthejnë përgjigje qytetarëve rrinë nga mëngjesi deri në darkë duke sulmuar qytetarët, duke sulmuar opozitën, duke sulmuar mediat në internet.

 

I shikoni në faqet on-line ata që vjellin vrer sa herë që dikush ngre zërin kundër qeverisë, sa herë që dikush ngre zërin kundër politikave, sa herë që dikush denoncon një hall, i vërsulen me gjuhë rrugaçësh. Ata janë njerëzit që Edi Rama i paguan për t’iu vërsulur qytetarëve, për t’iu vërsulur zërit të lirë, për t’iu vërsulur atyre intelektualëve që ngrenë zërin, sigurisht opozitës, po se po.

 

Prandaj nuk kanë kohë t’i përgjigjet letrave të popullit. Prandaj nuk ka kohë t’i përgjigjet qytetarit, halleve dhe problemeve. Sepse nuk ka më asnjë minutë kohë për popullin. E ka kohën për vete, i ka paratë për veten, e ka pushtetin për vete.

 

Prandaj jemi këtu për ta shembur këtë lloj pushteti. Pushetti i ardhshëm do të burojë nga qytetarët dhe do të varet nga qytetarët. Do të varet nga qytetarët dhe qytetarët do ta kenë në dorë pushtetin e ardhshëm, do ta kenë në dorë përmes mekanizmave institucionalë, do ta kenë në dorë përmes mekanizmave kushtetues, do ta kenë në dorë përmes mekanizmave të protestës qytetare.

 

T’i japim fund një qeverie që nuk dëgjon, që ka mbyllur veshët, dhe vetëm sulmon dhe shan sa herë që nuk i pëlqejnë kritikat, sa herë që  nuk i pëlqejnë vërejtjet, sa herë që  përballet me hallet dhe mjerimin e thellë që ka krijuar.

 

Unë ju falënderoj nga zemra për këtë mundësi që na dhatë.

 

Dhe ty z.Xhaferr, të inkurajoj të jesh pjesë e kësaj proteste për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të çliruar të gjithë, edhe Partinë Socialiste. Edhe Partia Socialiste është pasuri kombëtare, por duhet ta çlirojmë nga krimi, ta çlirojmë nga kriminelët, ta çlirojmë nga droga.

 

Të konkurrojmë denjësisht para shqiptarëve me platforma realiste që zgjidhin problemin e shqiptarëve dhe jo të kriminelëve, oligarkëve dhe shqiptarët të vendosin se kush do të qeverisë, e kush do të bëjë opozitë, se të dyja në këtë rast i shërbejnë Shqipërisë, i shërbejnë shqiptarëve.