Shkodër/Lulzim Basha thirrje për bashkimin e madh të 18 shkurtit në Tiranë, mes rinisë shkodrane

“Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, diçka e madhe po ndodh anembanë vendit tonë, njerëzit po refuzojnë  dëshpërimin, njerëzit po refuzojnë të keqen, njerëzit kanë vendosur të bashkohen dhe unë dhe Partia Demokratike do t’i prijmë këtij bashkimi më 18 shkurt”, u tha Lulzim Basha të rinjve sot në Shkodër, të mbledhur në një takim që paralajmëron mbështetjen për protestën e madhe të 18 shkurtit në Tiranë.

“Ndaj, le ta japim edhe nga Shkodra mesazhin që po dëgjohet në çdo cep të Shqipërisë. Le t’i themi shqiptarëve se frika ka vdekur këtu në Shkodër, dhe se kurajoja qytetarë do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, fatin e Shqipërisë, fatet e çdo shqiptari duke nisur nga bashkimi i madh të shtunën me datë 18 Shkurt në Tiranë”, u shpreh Basha mes entuziasmit të rinisë shkodrane, e mbledhur në sheshin 2 prilli.

Kryetari i Partisë Demokratike i ka informuar të rinjtë se ai ka një projekt që siguron shanse për ta, për punësim e mirëqënie, që askush të mos e braktisë vendin por ta ndërtojë të ardhmen këtu.

Projekti i z.Basha ofron stazh të paguar për 10 mijë të diplomuar në vit, por gjithashtu do të ketë mbështetje të vecantë për idetë dhe kreativitetin e tyre, që sjellin mirëqënie dhe zhvillim.

Por që të ketë një qeverisje për të rinjtë, për qytetarët, për njerëzit dhe jo për një grusht të korruptuar qeveritarësh, duhen mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjedhjet e lira e të ndershme sigurojnë ndryshimin e madh në vend.

Basha tha se garancia më e madhe e ndryshimit të Shqipërisë janë të rinjtë, dhe pikërisht rinisë i frikësohet më shumë kasta e korruptuar dhe kriminale që është në pushtet, që kërkon të ndalojë ndryshimin, duke mos lejuar zgjedhje.

Më poshtë, mesazhi i plotë i Lulzim Bashës sot në Shkodër

Erdha për këtë takim me rininë shkodranë, me demokratët shkodranë, me qytetarinë shkodrane, për t’i ftuar ditën e shtunë në orën 12:00, në bashkimin më të madh popullor që ka njohur Shqipëria në 27 vite.

Erdha për një takim por po më prisni me një manifestim madhështor që tregon se Shkodra si gjithmonë është gati t’i prijë ndryshimit dhe ndryshimi po vjen. Koha e mashtrimeve po mbaron, koha e batakçinjve po mbaron, koha e kriminelëve po mbaron. Po vjen ora e shkodranit të ndershëm, po vjen ora e shqiptarit të ndershëm.

Për katër vite me radhë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë janë braktisur, janë harrur, janë vjedhur, shkelur dhe nëpërkëmbur në dinjitetin dhe pasurinë e tyre, janë zhgënjyer nga premtimet për 300 mijë vende pune, taksa të ulëta, çmime të ulëta, energji e shëndetësi falas, që nuk u bënë kurrë realitet.

Realiteti është krejt ndryshe, një Shkodër e tërë, një Shqipëri e tërë e zhytur në depresion ekonomik për shkak të taksave të larta, çmimeve të energjisë dhe karburanteve më të lartat në rajon, e mbi të gjitha për shkak të një qeverie arrogante, hajdute dhe bërë palë me krimin.

Pasi vodhën dhe zhvatën pasuritë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pasi futën duart e tyre të gjata dhe të pista, në xhepat e çdo kryefamiljari, në çdo vatër dhe çdo shtëpi shqiptarësh, sot kanë frikë të përballen me gjykimin e qytetarëve me votë të lirë e të ndershme.

Ndaj kanë bërë pakt me krimin për të ndaluar të drejtën themelore të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Ndaj kanë bërë pakt me kriminelët, me banditët për të vjedhur, zhvatur votën e shqiptarëve, por le ti themi sot nga Shkodra e të shtunën në Tiranë, që zgjedhje me banditë nuk do të ketë, që banditët, krimi, të korruptuarit, nuk do të marrin dot peng vullnetin e shqiptarëve.

Anembanë Shqipërisë ku kam qenë këto ditë, ku kam takuar njerëz, qytetarë, pensionistë, sipërmarrës e mbi të gjitha të rinj dhe të reja, kam parë dhe dëgjuar me veshët e mi, kam parë dhe kam prekur, jo vetëm mjerimin, hallet e njerëzve por edhe shpresën dhe besimin që po ngrihet si nga hiri.

Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, diçka e madhe po ndodh anembanë vendit tonë. Njerëzit po refuzojnë  dëshpërimin, njerëzit po refuzojnë të keqen. Njerëzit kanë vendosur të bashkohen dhe unë dhe Partia Demokratike do t’i prijmë këtij bashkimi më 18 shkurt.

Me 18 shkurt nis një lëvizje e madhe popullore, lëvizje e shpresës dhe besimit se Shqipëria dhe Shkodra do të jenë ndryshe.

Se qeveria që do të vijë do të jetë një qeveri e njerëzve dhe jo një grushti pushtetarësh të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Se qeveria që do të vijë, taksat e shqiptarëve, taksat e shkodranëve nuk do t’i bëjë rrush e kumbulla, nuk do t’i vjedhë me projekte fasada, por do t’i kthejë në punësim dhe investime, do t’i kthejë në mirësi për çdo familje shqiptare.

Se në vitin 2017, nuk mund të pranojmë e as nuk do të pranojmë më mjerim të standardeve afrikane për shqiptarët.

Se në qeverisjen që po vjen nuk do të ketë asnjë familje pa bukë, pa ujë, pa drita anembanë Shqipërisë.

Se paratë e taksapaguesve shqiptarë nuk do të vidhen dhe shpërdorohen duke i lënë spitalet pa ilaçe, shkollat pa ngrohje, duke ngarkuar me mbi faturime në kurrizin e familjeve që nuk mbajnë dot më.

Por, me taksa më të ulëta, me investime që ndihmojnë jetën e qytetarëve, do të hapim vende pune për të gjithë shqiptarët e në veçanti për rininë.

Studentët shkodranë, të rinjtë shkodranë që sot kanë vetëm një rrugë, atë të largimit nga Shqipëria, në qeverisjen e ardhshme do të kenë një vit stazh të paguar nga taksat e shqiptarëve që sot vidhen dhe shpërdorohen nga një grusht hajdutësh.

Dhe kështu, do t’i shërbejmë një ekonomie që punëson, një të nesërme të sigurt për çdo shqiptar, do t’i shërbejmë paqes sociale.

Nuk do të ketë më kryefamiljarë apo të rinj dhe të reja që zgjohen me ankth dhe bien të flenë me ankth. Shqipëria e të nesërmes do të jetë një Shqipëri e paqes, e harmonisë, e punës dhe e mirësisë për çdo shqiptar.

Njerëzit do vlerësohen sipas punës dhe meritës. Nuk do jetë Shqipëria jonë Shqipëria ku kriminelët bëjnë para dhe pushtet, bëhen deputetë dhe kryebashkiakë dhe shtypin e zhvasin qytetarët e pafajshëm.

Shqipëria që do ndërtojmë sëbashku, do jetë Shqipëria e drejtësisë ku ç’do qytetar dhe qytetare, ku çdo i ri dhe e re, ku çdo shqiptar do ketë mundësinë që në bazë të punës dhe kreativitetit të tij, të ndërtojë, të realizojë, të sigurojë mirëqenie, të ndërtojë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet, ai, ajo, dhe fëmijët e tyre. Ndërsa kriminelët dhe krimi do përballen me forcën e hekurt të ligjit. Ju jap fjalën se bandat dhe qeveritarët e korruptuar kanë vetëm një të ardhme: Përballjen me drejtësinë dhe prapa hekurave të drejtësisë.

Ata e dinë se nuk mund ta ndalin këtë ndryshim. Shpresa e vetme ka qënë ta zbrazin Shqipërinë nga ata që kërkojnë ndryshim. Në radhë të parë nga rinia.

Rinia është një rrezik i madh për krimin dhe qeveritarët e korruptuar sepse ka energjinë, idetë dhe idealizmin për t’u përballur dhe për të fituar.

Nga ky shesh historik ku Shkodra shënoi historinë e re të demokracisë shqiptare me rininë shkodrane dua t’i jap mesazhin, çdo të riu e të reje, anembanë Shqipërisë, se Shqipëria që po vjen do jetë mbi të gjitha Shqipëria e ëndrrave tuaja, Shqipëria e rinisë shqiptare.

Të gjithë bashkë, do bëjmë të mundur që ëndrrat tuaja të mos nëpërkëmben më. Që ju mos të harroheni e mos të braktiseni më kurrë.

Kurrë më nuk do harrohet dhe braktiset Shkodra. Kurrë më nuk do nëpërkëmbet e nuk do poshtërohet Shkodra.

Por që të ndodhë kjo ne duhet të garantojmë të gjithë sëbashku me forcën e bashkimit popullor, zgjedhje të lira e të ndershme.

Zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i qeverisë së korruptuar, janë fundi i bandave. Më 18 Shkurt, të Shtunën në orën 12, Shkodra dhe Vlora, Korça dhe Durrësi, Gjirokastra dhe Elbasani, Fieri, Lushnja, Kavaja dhe gjithë Shqipëria bashkohet në Tiranë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për të diktuar me fuqinë e bashkimit një qeveri të qytetarëve dhe një ndryshim për jetën e ç’do shqiptari. Një ndryshim pozitiv për jetën e ç’do shqiptari.

Kjo që po nisim nuk është thjesht rruga drejt rrotacionit politik. Kjo është një lëvizje popullore që njëherë e përgjithmonë do diktojë politikën në shërbim të njerëzve, politikën në shërbim të qytetarëve.

Ndaj, le ta japim edhe nga Shkodra mesazhin që po dëgjohet në ç’do cep të Shqipërisë. Le t’i themi shqiptarëve se frika ka vdekur këtu në Shkodër, dhe se kurajoja qytetare do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, fatin e Shqipërisë, fatet e çdo shqiptari duke nisur nga bashkimi i madh të shtunën me datë 18 Shkurt në Tiranë.

A do t’i prini ju? Atëherë edhe unë do i prij bashkë me ju deri në fitore.