Grida Duma për kaosin që ka pllakosur vendin. Mblidhemi bashkë më 18 shkurt për të ndalur krimin

Krimi, pushteti i krimit po dominon rrugët, po dominon shtëpitë, po dominon edhe aeroportin ndërkombëtar të vetëm të vendit, edhe portin e Durrësit.

8 tonë drogë kanë kaluar në portin e Durrësit duke bërë sikur nuk i ka vënë re njëri, por në fakt realiteti s’mund të jetë kurrë i tillë.

8 tonë drogë nuk mund të kalojnë pa i dalluar askush por kalojnë me bekimin e shefave, të cilët sigurisht në këtë aferë dhjetëra miliona euro kanë marrë pjesë e tyre.

Në aksin Tiranë-Rinas, në pikun e trafikut janë vjedhur me grabitje të armatosur jo pak por tre milionë euro.

Mbrëmë kryeqyteti pësoi një tjetër grabitje me armë në një supermarket.

Në Elbasan një karburant u grabit me armë, një shtëpi u grabit me armë.

Çfarë ndjejnë qytetarët?

Pasiguri, jo rend, jo siguri për jetën e tyre dhe asgjë tjetër e cila mund t’i mbrojë.

Ku është rendi? Ku është qeveria?

Sigurisht në këtë tablo në të cilën të gjithë qytetarët e dinë shumë mirë që e drejta e tyre për rend, për siguri dhe për tu mbrojtur eshte dhunuar, del Tahiri i Ramës që na thotë se e kanë fajin gjithë të tjerët.

E ka fajin shoqëria, e kanë fajin kalimtarët, e kanë fajin edhe populli, e ka fajin kultura.

Në fakt mund ta ketë fajin edhe videoklipet, u ka bërë thirrje edhe artistëve e këngëtarëve të mos përdorin armë nëpër videoklipet e tyre, por ata nuk kanë asnjë faj.

Populli e kupton qarte se kjo eshte pergjegjesi e Rames, dhe se atij nuk i bëhet vone për sigurinë dhe rendin e qytetarëve.

Jemi sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve realitetin e përmbledhur të një kaosi, të një kaosi i cili nuk është një kaos i pazot, por është një kaos i dirigjuar që krimi dhe pushteti të dominojë jetën e shqiptarëve.

Shqiptarët e dinë që legjitimiteti dhe e drejta e tyre për të qenë të sigurt në jetën e tyre të përditshme është një e drejtë themeltare.

Shqiptarët e dinë kete dhe per kete arsye mblidhemi me 18 shkurt të gjithë bashkë e ngrihemi të gjithë bashkë. Jemi përballë një vendimi të madh që më 18 Shkurt të fillojë një erë e re në të cilën shteti i krimit dhe shteti kundër qytetarëve duhet të rrëzohet.