Edmond Spaho publikon faktet që i shmang Edi Rama në Komisionin Hetimor Parlamentar

 

Edi Rama po i shmanget hetimit parlamentar për marrëveshjen me CEZ dhe po bën gjithçka për të prishur seancat e Komisionit, sepse e vërteta e kësaj afere është tronditëse dhe e bën atë përgjegjës për 450 milionë euro të shqiptarëve, detyrime te pranuara nga vete CEZ, që ai i fali kompanisë çeke.

Për këtë ju vemë në dispozicion dy dokumente:

 

Letra 6092/2 datë 28.09.2012 e Kryetarit të Bordit të CEZ, Jaroslav Macek, i cili konfirmon detyrimet dhe skedulin për shlyerjen e tyre si dhe deponimin e Zv. Ministrit të Financave Erion Luçi në Prokurori, i cili thekson që pala çeke në takimin e dytë që u zhvillua në Vienë në datën 7 Shkurt 2014, nuk i mohoi detyrimet.

 

Edi Rama mashtron, kur thotë përmes Gjiknurit, se marrëveshja e mirëkuptimit u arrit në muajin Qershor 2014. Ne kemi fakte se ky pakt është arritur përpara, dhe marrëveshja ka qenë e paravendosur.

 

Faktet tregojnë që Damian Gjiknuri ka deponuar në Prokurori se pas konsultimeve me Kryeministrin dhe përpara takimit të dytë të grupeve negociuse që u zhvillua në datën 7 Shkurt 2014 në Vienë, u mor vendimi politik që CEZ t’i jepen 100 milion euro. Pra pakti tregon se perveçse CEZ ju falen të gjitha detyrimet prej 450 milion euro ju është dhënë edhe 100 milion euro shpërblim për këtë mega aferë korrupsioni.

 

Përveç deponimeve të Gjiknurit në Prokurori ju vëmë në dispozicion dy korrespondenca të Avokatit të Shtetit, Alma Hiçka me avokatin ndërkombëtar ku konfirmohet ujdia për t’i dhënë CEZ 100 milion euro.

 

Edi Rama mashtron, kur nëpërmjet Gjiknurit thotë se ishte avokati ndërkombëtar që sugjeroi marrëveshjen me CEZ. Ne kemi prova, që tregojnë se avokati ndërkombëtar i qeverisë ka kundërshtuar hapur këtë marrëveshje.

 

Për këtë ju vëmë në dispozicion korrespondencën e tij të datës 1.04.2016 me Avokatin e Shtetit, Alma Hiçka ku distancon studion e tij nga marrëveshja, arritjen e të cilës e cilëson tmerrësisht atipike.

 

Në ditët e ardhshme do ju njohim me fakte të tjera nga afera më e madhe e shekullit.