Partia Demokratike publikoi sot fakte që tregojnë se qeveria dhe ministri Damian Gjiknuri gënjejnë për marrëveshjen me CEZ. I pyetur dje në Komisionin Hetimor për faktin nëse avokati ndërkombëtar ishte dakord me marrëveshjen, Gjiknuri tha po, dhe se ishte avokati që e shkroi teksin. Por, sot Partia Demokratike publikoi dokumente që tregojnë se avokati ndërkombëtar e ka kundërshtuar këtë marrëveshje.

Më poshtë deklarata e plotë e Edmond Spahos:

Dje në Komisionin Hetimor për marrëveshjen e Republikës së Shqipërisë me CEZ-in, ministri Damian Gjiknuri gënjeu për dy çështje të rëndësishme.

Së pari, gënjeu kur tha se avokati ndërkombëtar i ka këshilluar qeverisë shqiptare që të hyjë në negociata me CEZ-in.

Dhe së dyti, gënjeu kur tha se memorandumi i mirëkuptimit mbi bazën e të cili u zhvilluan negociatat është hartuar nga avokati ndërkombëtar.

Ministri gënjeu kur tha se memorandumi është hartuar nga avokati dhe për rrjedhojë mbi këshillën e tij janë zhvilluar negociatat.

Unë po lexoj tekste nga të dyja letrat  të cilat avokati ndërkombëtar ka takuar direkt ministrin Gjiknuri. Në datën 23 nëntor, pasi i shpjegon arsyet se përse nuk duhet nënshkruar memorandumi konkludon: Për arsyet më sipër këshilloj kundër nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit siç është dërguar nga CEZ.as. Dhe këtu shikoni edhe elementin e dytë që memorandumi nuk është nënshkruar nga avokati por i është dërguar qeverisë shqiptare nga CEZ-i.

Rekomandoj që të mbledhim provat e ekspertit teknik dhe financiar që të kërkojmë së bashku me prova dhe dokumentare të mbetura, të kërkuara për të depozituar pretendimet në IÇ dhe më pas kur pozita negociuese të pranojë në favorin tonë dhe pozicioni, pretendimet tona të jenë parashtruar qartë të vlerësojmë nëse mund të kthehemi në tavolinën e negocimeve.

Po ju lexoj edhe një letër të dytë. Pasi u lexua edhe memorandumi i mirëkuptimit, avokati i përgjigjet. z.Gjiknuri: Drafti i rishikuar nuk është në interesin tonë, në fakt është kundër interesit tonë pasi jemi detyruar të mbajmë të pezulluar paraqitjen e pretendimeve në Arbitrazhin e ICC-së për të barazpeshuar ngjarjet e mëposhtme ne mund të ankimohemi në Arbitrazhin e ICC-së në formë të përmbledhur në dhjetor 2013, pa raportet e ekspertëve,  kjo mund të bëhet brenda 15 ditëve nëse nevojitet. Në momentin e negociatave ose në momentin e fillimit të Arbitrazhit ne do të kemi raportet e ekspertëve dhe mund t’i përdorim gjatë negociatave ose parashtrimeve vijuese në Arbitrazh.

Dhe më tej i sugjerohet që CEZ-it ti dërgohet një letër ku në thelb të thuhet:

“Republika e Shqipërisë shpreh keqardhjen për zgjedhjen tuaj për të mos zgjidhur  çështjen pranë Abitrazhit të ICC-së, ku Republika e Shqipërisë është paditësi i vërtetë në këtë çështje. Por përkundrazi nxitoni të paraqisni pretendimet  sipas Traktatit të Energjisë në Vjenë. Në këto rrethana ku CEZ nuk po ndërmerr me minimumin e mirëbesimit përpjekje bashkëpunuese me keqardhje ju informojmë se nuk mund të biem dakord të heqim dorë nga konflikti në Arbitrazhin sipas Traktatit të Energjisë, përveçse nëse ju do të bini dakord për hapjen e Abitrazhit sipas Traktatit të Energjisë në ICC.”

Pra, qeveria shqiptare, KM Edi Rama, ministri Gjiknuri përveçse i dhanë CEZ-it  mundësinë që ti falen 400 milionë euro detyrime të njohura dhe të pranuara nga KESH-it dhe OST-së, përveçse ulën nën nivelin 0, 24% të pjesës së aksioneve të Republikës së Shqipërisë në këtë kompani, përveçse  morën përsipër pretendimet e DIA-s ndaj CEZ-it për rreth 150 milionë euro, përveçse nuk mbërritën në Arbitrazh pretendimet e palës shqiptare nga moszbatimi i marrëveshjes së privatizimit të KESH-it në 2008, në lidhje me arritjen e uljes së humbjeve në rrjet, rritjen e arkëtimeve dhe rritjen e investimeve në rrjet, të cilat ekspertët e huaj i vlerësojnë 1-3 miliard euro. U detyruan të pranojnë dhe tu japim atyre edhe 92 milionë euro pagesë, e cila së bashku me pagesat kalon 100 milionë euro të përfituara nga CEZ në mënyrë të padrejtë.

Prandaj edhe PD e ka cilësuar aferën e CEZ vjedhja e shekullit dhe në ditët në vijim të Komisionit Hetimor ne do ju njohim ju me fakte të tjera të cilat tregojnë që kjo është ashtu siç ne e kemi cilësuar në korrik 2014 kur u nënshkrua në Parlament marrëveshje si vjedhja e shekullit ndaj shqiptarëve.

Faleminderit!


Deklarata per mediat e Edmond Spahos, 7 Dhjetor 2016