Fevziu: Z.Basha, faleminderit që pranuat ftesën. Eshtë një format ndryshe, nuk janë pyetje të mirëfillta politike, nuk ka as tension. Eshtë një intervistë pak a shumë në atmosferën festive dhe një gjysëm profili i asaj që ju bëni, edhe thjesht jashtë zyrës, por kam edhe dy-tre pyetje politike në fund.

Basha: Faleminderit për ftesën Blendi.

Fevziu: Çfarë raporti keni me festat. I kam pyetur të gjithë të ftuarit e tjerë të këtij emisioni të sotëm. Nuk flas vetëm sot, sepse e di që kryetari i opozitës është gjithmonë më shumë i ngarkuar se ç’e imagjinojmë ne. Por flas edhe në përgjithësi, edhe në rininë tuaj, edhe në fëmijërinë tuaj dhe tani që jeni prind.

Basha: Gjërat kanë ndryshuar shumë, në mënyrë themelore. Për mua, festat në radhë të parë, janë mundësi për të kaluar më shumë kohë me familjen. Eshtë borxhi më i madh që kam. Eshtë ndaj familjes time, ndaj vajzave të mia, ndaj bashkëshortes time, ndaj prindërve. Por kjo ka ndryshuar ndër vite. Brezi ynë ka njohur festat në kohën e diktaturës të cilat ishin një mundësi për të qenë bashkë, në gëzimin e festimit familjar.

Fevziu: E ruani akoma këtë traditë, festoni në shtëpi zakonisht për Vitin e Ri?

Basha: Me sa mundemi po. Herë me prindërit me mi, herë me prindërit e Aurelës. Me vëllain tim, me vëllain e Aurelës dhe shpeshherë vitet e fundit me miq, brenda familjes.

Fevziu: E ndjeni atmosferën festive, pasi ka njerëz që i bezdisin festat

Basha: Pa dyshim, kur je në një pozicion publik, festat sjellin me vete jo vetëm privilegjin, por edhe detyrimin e një kontakti edhe më intensiv me njerëzit, duke filluar nga familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët, qytetarët. Pra në këtë kuptim, sezoni i festave sjell impenjim ekstra.

Fevziu: Ta prish axhendën rutinë të ditës

Basha: E prish, por nga ana tjetër është edhe një mundësi për një kontakt të çliruar nga stresi dhe brengat e përditshme. Të urosh njerëzit në telefon, me mesazhe, kur i takon…

Fevziu: E keni dekoruar shtëpinë?

Basha: Kemi vënë një bredh.

Fevziu: Kush merret me dekorimin?

Basha: Aurela me vajzën e madhe, Dafinën.

Fevziu: Vajzat kënaqen nga atmosfera e festave?

Basha: Jashtëzakonisht! Gëzimi i festave për mua sot, është gëzimi i fëmijëve. Kur shoh fëmijët që gëzohen, kur shoh vajzat që gëzohen, ky është gëzimi që përjetoj për festat.

Fevziu: Ju thatë që zakonisht e ruani traditën për ta festuar sërish në shtëpi, në mënyrën tradicionale që kemi njohur gjithmonë. Por kam përshtypjen se ka gjithmonë akuza se në fakt ju udhëtoni më shumë në Hollandë se sa në Shqipëri, që do të thotë, e bëni atje apo këtu Vitin e Ri.

Basha: Ne e bëjmë vitin e ri këtu, këtë vit do ta bëjmë këtu, ka pasur disa raste kur e kemi bërë atje, por në tërësi familja feston këtu, familja jeton këtu.

Fevziu: Përse ju ngatërrojnë kaq shumë me Hollandën. Vura re LSI-në, në një deklaratë të fundit që sërish e riforcon këtë çështje.

Basha: Unë kam jetuar në Holandë, kam studiuar në Holandë dhe pa dyshim që kam shijuar vitet e mia në Holandë dhe i jam mirënjohës përjetë atij vendi për atë që më fali. Privilegjin që kam patur dhe vitet e para të hapjes së Shqipërisë për të shkuar e studiuar, për të krijuar miqësi atje, për të mësuar rreth një shoqërie me mundësi të barabarta për njerëzit. Ky është një privilegj që unë e kam patur, por unë kam vendosur vetë të rikthehem në shtëpi në vitin 2004, pas një periudhe katër vjeçare shërbimi në Kosovë.

Fevziu: Kishit një dilemë, të ktheheshit në Shqipëri apo të qëndronit?

Basha: Pa dyshim. Ka qenë një vendim i rëndësishëm i jetës sime, por një vendim i prerë, i marrë në konsultim me bashkëshorten time Aurela, atëherë nuk kishim fëmijë. Ne ndodhemi prej vitit 2004 këtu. Nuk janë mediat që kanë spekuluar për këtë. Por ka qenë Edi Rama që ka spekuluar. Ajo është një sajesë, një baltosje. Për fat të keq, është një nivel shumë i ulët për dikë që akuzon çdo ditë mediat si kazan e vetë bie në nivelin e baltosjes së jetës familjare të fëmijëve të kundërshtarit politik. Por siç e kam thënë edhe më parë, unë kam zgjedhur ta injoroj këtë. Ka shumë miq, komshin të pallatit, që thonë, si nuk i kthen përgjigje. Jemi në qendër të vëmendjes së publikut dhe jemi këtu për publikun dhe jo për veten tonë. Ky është një nivel i ulët i kundërshtarit politik, të merret me fëmijët e kundërshtarit, por kur kam parasysh se ç’heqin fëmijët e shqiptarëve nga i njëjti kundërshtar politik, fëmijë që për këtë festë nuk marrin dot dhurata, shumë prej tyre jetojnë në shtëpi ku u është këputur energjia elektrike, apo ku prindërit janë pa punë dhe nuk sigurojnë dot mjetet bazë të jetës, pra kur shoh se çfarë për fat të keq kundërshtari politik ka shkaktuar me politikat e tij, me papërgjegjësinë e tij, për qindra, mijëra fëmijë shqiptarë, mendoj që nuk është e domosdoshme që të reagoj sa herë që merret me fëmijët e mi.

Po, ne jetojmë në të njëjtin apartament që prej vitit 2005, apartament që e kemi blerë në vitin 2003, para hyrjes në politikë. Vajzat shkojnë këtu në shkollë, vajza e madhe shkon në shkollë dhe vajza e vogël shkon në kopësht. Gjithçka tjetër është një sajesë e pastër që bëhet vetëm për qëllime politike.

Fevziu: Ju jeni larguar në Holandë në moshë shumë të re, apo jo?

Basha: Në vitin 1993.

Fevziu: Ishit maturantë në mos gaboj… Ose në vitin e parë të studimeve dhe keni studiuar atje. Në momentin që jeni kthyer në Shqipëri, sipas të dhënave që kam unë, të mos jem i gabuar, keni pasur një pagesë shumë të mirë në Kosovë. Përse një çift që paguhet mjaft mirë në një vend tjetër, që ka ndërtuar edhe një lloj jete në një shtet tjetër ku ka jetuar për më shumë se sa një dekadë, vendos të kthehet në Shqipëri? Cili ishte motivi që ju shtyu të ktheheshit?

Basha: Motivi ishte dhe është, sepse ne besojmë, besojmë tek Shqipëria. Besojmë se edhe Shqipëria ka të gjitha shanset dhe mundësitë të kthehet në një vend ku jo vetëm unë dhe familja ime, por çdo shqiptar, të ketë mundësinë të jetojë mirë.

Fevziu: Ju ftuan apo vendosët të vinit vetë z.Basha?

Basha: Pa dyshim edhe jam ftuar, por vendimin e kam marrë unë. Vendimin e kam marrë unë bashkë me bashkëshorten time, kishim një vit që ishim martuar, në vitin 2004 ishim martuar. E kam shpjeguar para disa vitesh por po e kthej prapë në vëmendje. Isha para disa vendimeve, kisha një ftesë për të punuar në një institucion ndërkombëtar në Hagë që sapo themelohej, kisha një ftesë për të punuar në New York, po kështu për Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një ftesë të përsëritur nga opozita, nga Partia Demokratike, nga Sali Berisha, për t’iu bashkangjitur përpjekjes opozitare dhe me thënë të drejtën, shpirti më qante prej vitesh…

Fevziu: Gjatë kohës që ishe në Holandë, ishe i lidhur me Shqipërinë?

Basha: Në mënyrën më intensive.

Fevziu: Vinit shpesh në Shqipëri?

Basha: Pothuajse çdo muaj. Puna më lidhte sepse gjatë kohës që studioja kam punuar part-time kryesisht me zyrën e marrdhënieve me jashtë të Fakultetit Juridik, kemi pasur disa projekte me Shqipërinë dhe kjo më mundësonte me mjete të tjera, jo me mjetet e studentit, të isha në një kontakt shumë më të shpeshtë se sa ç’i rastis një studenti në veçanti siç ishin vitet ’90 që ishin vite edhe me mundësi më të pakta për studentët se sot.

Fevziu: Z. Basha ju u larguat fiks në momentin e një kthese të madhe të Shqipërisë në aspektin shoqëror. Kur u kthyet pothuajse 12 vjet më pas, sa kishte ndryshuar Shqipëria? Jo në anën e ndërtimeve, atë vizive, por edhe në shoqëri.

Basha: Pa dyshim që ishte një Shqipëri ndryshe nga ajo që unë kisha lënë. Kishte zhvillim dhe kishte edhe prapambetje. Varet nga pikëvështrimi. Pikëvështrimi im ishte pa dyshim dhe mbetet i dikujt që ka shijuar dhe gëzuar frytet e lirisë dhe mundësive që ofron liria në Europë, në Perëndim, në një nga vendet më të zhvilluara, më demokratike, më tolerante siç është Holanda. Kështu që, nga kjo pikëpamje, kërkesat e mia për realitetin shqiptar edhe para futjes direkte në politikë, kanë qenë shumë më të larta se realiteti. Padurimi, frustrimi me gjendjen, dëshira për të bërë diçka, besimi se mund të bëj diçka, kanë qenë motivuesit kryesorë për të marre vendimin që mora.

Fevziu: Z. Basha, në këto momente që keni qenë i angazhuar si kryetar opozite, si Ministër dhe si anëtar i mazhorancës. Ka pasur ndonjë moment që jeni ndjerë i penduar që morët vendimin për t’u kthyer?

Basha: Asnjëherë! Në asnjë çast.

Fevziu: A ka pasur moment që jeni lodhur nga politika. Keni thënë, dreqi ta marrë, le të shkojë ku të shkojë…

Basha: Jo te shkojë ku të shkojë… por me të vërtetë jam kryetar i opozotës por jetoj me realitetin shqiptar, me hallet, me zhgënjimet, me shpresat e shqiptarëve dhe unë si çdo njeri kam momentet e frustrimit tim total në veçanti me pamundësinë për të ndryshuar gjërat shpejt dhe mirë siç dua dhe siç besoj se mund të ndryshojnë. Momente të tilla ka patur plotë e në veçanti këto tre vitet e fundit. Por po kështu, ka patur edhe momente shumë pozitive. Si sot që po flasim, shqiptarët kanë marrë një lajm shumë të mirë. Dy ditë para fundvitit më në fund beteja për dektiminalizimin ka shënuar fitoren e parë. Pra sigurisht është një problem që u krijua nga politika. Nuk e krijuan shqiptarët e thjeshtë, e krijoi politika. Beteja që ka nisur është në një farë mënyre për të prishur një të keqe të madhe, një dëm të madh, që politika po i bën Shqipërisë, po i bën shqiptarëve, po i bën fëmijëve të tyre. Por megjithatë njerëzit duhet të dinë te shijojnë edhe arritjet, edhe fitoret. Dhe sot mendoj që është një ditë fitoreje, shprese, për shqiptarët. Eshtë edhe një sinjal i fortë që shoqëria, njerëzit e kanë forcën për t’u ndarë nga e keqja. Nuk do të jetë një betejë e lehtë. Sepse krimi në politikë ka mbështetje dhe ka mbrojtje qeveritare, por jam i bindur që nëse shqiptarët e ndershëm bashkohen në vendosmërinë për t’u ndarë nga e keqja, do të ndahen nga e keqja dhe do të ecim përpara. Kjo është bindja ime.

Fevziu: Z. Basha çfarë bëni ju në kohën e lirë pasi kam përshtypjen shumë pak veta e dinë që në rininë tuaj ju keni qenë një volejbollist. Çfarë mbeten nga pasionet e vjetra, çfarë pasionesh të reja keni?

Basha: Pasionet e vjetra, sporti…

Fevziu: Vazhdoni të luani volejboll?

Basha: Jo, nuk është se më mbetet shumë kohë. Kam vite Blendi që nuk kam arritur të luaj në asnjë ndeshje të vetme. Sigurisht që volejbolli është një lojë skuadre, është lojë ekipi. Edhe po të kem një moment nuk është se mund të luhet menjëherë. Koha dhe rrethanat në të cilat veproj, si kryetar i partisë më të madhe opozitare, më kufizon mundësinë për të patur kohë të lirë. Koha e lirë zakonisht shkon për familjen, për fëmijët dhe pak për lexim.

Fevziu: Keni akoma mundësi të lexoni?

Basha: Kush do, e gjen gjithmonë mundësinë për të lexuar, por për mua janë orët e vona të natës.

Fevziu: Dita zakonisht, sa e ngarkuar është? Dhe çfarë axhende ka dita?

Basha: Ka një axhendë jashtëzakonisht të ngarkuar e cila komplikohet në mënyrë të rregullt, të padiskutueshme nga ndërhyrjet, ngjarjet e ditës, të cilat kurrë nuk të lënë të kesh një ditë të planifikuar. Siç nis në mëngjes, nuk mbaron kurrë në darkë.

Fevziu: Gjatë gjithë këtyre viteve që ju keni qenë edhe ministër i mazhorancës, dhe më pas do t’ju pyes edhe për vitin 2016, cili ka qenë momenti që keni ndjerë sadisfaksionin më të madh?

Basha: Kam disa. Lidhen sigurisht me produktet e punës, lidhen me momente të cilat është e thjeshtë të thuash që i kemi ëndërruar, por as nuk i kemi ëndërruar, si momenti i marrjes së ftesës për në NATO, kur isha Ministër i Jashtëm, momenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, heqja e vizave për shqiptarët, udhëtimi i parë me studentët më 15 dhjetor pa viza, fiks 6 vjet e dy javë më parë, moment i paharrueshëm. Kur ingranazhet që punojnë në kokën e politikanit dhe që racionalizojnë gjithçka në fakte, argumente, në shifra, i lënë vendin një reflektimi personal, njerëzor, një miklimi që ja isha pjesë e diçkaje që realisht ndryshon jetën e njerëzve për të mirë dhe kjo nuk ndodh në momentin e sallës, të dritave apo lajmit, ndodh kur takon një çift… nuk e harroj një çift të moshuarish në tregun e Tiranës, dy apo tre javë pas liberalizimit të vizave, të cilëve u shkelqenin sytë sepse për herë të parë në 10 vjet do të shkonin të takonin djalin në Gjermani dhe ajo që merr nga një moment i tillë është shumë më e madhe se sa madhështia e heqjes së vizave, ceremonia në Bruksel. Fakti se si influencon jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, të njerëzve të thjeshtë dhe kupton se ke pasur rolin tënd, që unë kam pasur rolin tim për t’i bërë këta të ndjehen kështu.

Fevziu: Pra ke një kontribut personal në këtë rezultat të themi…

Basha: Politika është një sport i vështirë. Një sport gjaku thonë në Uashington por po kështu nëse orientohet nga e mira është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë gjënë e duhur, në javët, muajt apo vitet që na fal Zoti në këtë jetë.

Fevziu: Po momenti më i vështirë i karrierës së mëparshme, jo i këtij viti?

Basha: Padyshim ka patur shumë. Ka pasur sfida. Nuk dua sonte të risjell momentet tronditëse që kam kaluar edhe në përgjegjësitë e mia. Por ka patur të tilla.

Fevziu: Po në vitin 2016 cili ka qënë momenti më i vështirë?

Basha: Edhe aty do të ndaja disa momente. Ky ka qënë një vit sfidash të jashtëzakonshme për mua si kryetar i opozitës, si qytetar. I kam rënë Shqipërisë cep më cep dhe kam parë njerëzit në varfërinë e tyre, braktisjen e tyre, pamundësinë e tyre.

Fevziu: Gjithsesi varfëria ka qënë aty z.Basha edhe me më përpara. Nuk i ka lindur këtij vendi 3 vitet e fundit?

Basha: Ka qenë, por e kombinuar me vrasjen e shpresës që është një risi e këtyre 3 viteve dhe e theksuar në veçanti në vitin e fundit, është një dramë, një gur që të varet rëndë në shpirt. Ka edhe momente të vështira në kuptim racional të fjalës. Ka qënë momenti i realizimit, pas zgjedhjeve në Dibër, që krimi…

Fevziu: Ishte moment i vështirë zgjedhjet në Dibër apo produkti i tyre? Mesazhi i tyre?

Basha: Produkti i tyre. Mesazhi që jep për të nesërmen.

Fevziu: Përse?

Basha: Sepse tregoi që krimi ishte bërë kaq i fuqishëm me mbështetje qeveritare dhe politike sa që jo vetëm influenconte por asgjesonte procesin politik. Pra nga njëra anë shohim program, me kandidat, me fushatë, me një përpjekje klasike për të bindur njerëzit për të votuar për alternativën tënde, dhe në fund e kupton që e gjitha ishte një përpjekje që përballë nuk kishte simotrën e vet të kampit kundërshtar por kishte krimin e kamufluar, do të thoja lehtë.

Fevziu: Dhe ky do të transferohet si një problem i madh edhe në zgjedhjet e ardhdhme…

Basha: Problem i jashtëzakonshëm. Shkatërrim i procesit politik nga krimi është problem i jashtëzakonshëm. Eshtë sfida më e madhe që kanë sot shqiptarët sepse është sfida që nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjet e ardhshme por ka të bëjë me mundësinë apo pamundësinë për të ndryshuar jetët e njerëzve, për të ndryshuar Shqipërinë. Zgjedhjet çfarë janë?! Janë një mundësi për të ndryshuar për më mirë. Pra shkatërrimi i zgjedhjeve dhe i procesit politik, shkatërrimi i ofertave dhe i garës është në fakt përpjekja me tinzare e këtyre 26 viteve për të asgjesuar shpresën e shqiptarëve se janë ata që kanë në dorë ndryshimin dhe jo një dorë njerëzish.

Fevziu: Nuk doja të hyja në politikë, por ky mund të jetë një problem për zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë do të bëni konkretisht?

Basha: Ne e kemi të qartë rrugën dhe do ta ndjekim atë deri në fund. Alternativë tjetër përveç fuqizimit të qytetarit, kthimit të vendimarrjes tek qytetari dhe jo tek një grup politikanësh, kriminelësh dhe oligarkësh për Shqipërinë, nuk ka dhe nuk do të ketë. Për këtë është e domosdoshme që Shqipëria të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo vetëm kaq, por që tu ofrojë qytetarëve një sistem përfaqësimi ku qytetarët përfaqësohen nga deputetët dhe deputetët përfaqësojnë qytetarët përpara se të përfaqësojnë vullnetet politike të kryetarëve të partisë. Kjo kërkon një reformë të thellë kushtetuese. Urgjenca numër një është ndarja e politikës nga krimi. Urgjenca numër dy paralelisht me këtë, është të sigurojmë zgjedhje të lira e të ndershme. Në bindjen time, zgjedhje të lira e të ndershme me këtë kryeministër nuk ka dhe nuk mund të ketë ndaj beteja dhe sfida që na pret është që ti japim Shqipërisë instrumentet që çdo shqiptar të vendosë pa frikë, pa shantazh, pa shitblerje, si e do ai formën e qeverisjes dhe cilit program dëshiron ti besojë me votë dhe cilin deputet kërkon të zgjedhë në Kuvendin e Shqipërisë.

Fevziu: Kur bëhesh kryetar i opozitës me një pozicion të fuqishëm si i juaji, ose kur bëhesh kryeministër, kryetar Kuvendi, President apo edhe ministër, gjithmonë krijon një zhbalancë forcash. Humb miq dhe fiton njerëz të tjerë që në shumicën e rasteve afrohen për shkak të postit. Ju ka qëlluar që në këto vite në politikë të humbisni miq apo njerëz të afërm? Ose njerëz që u besonit  dhe krijon një mosbesim mes jush?

Basha: Dua të shpresoj që jo. Por padyshim që ngarkesa dhe sfidat me të cilat përballesh në detyrën e drejtimit të opozitës janë të tilla që kërkojnë shpesh të vendosësh interesa shumë më madhore mbi, le të themi interesa personale, apo shpeshherë edhe mbi miqësi personale. Kjo është barra e lidershipit.

Fevziu: Eshtë e vështirë kjo?

Basha: Eshtë e vështirë por është diçka që unë e kam pasur të qartë që prej ditës së parë që kam marrë këtë përgjegjësi.

Fevziu: Krijon keqkuptime?

Basha: Jam i sigurtë që po.

Fevziu: Detyrohesh ti thuash shpesh jo, një miku të vjetër sepse mendon që nuk e ben dot atë që duhet dhe mund ti thuash po, dikujt që mund të ketë qënë kundërshtari yt…

Basha: Detyra e lidershipit nuk është vetëm të udhëheqë por edhe të ruajë për sa është e mundur mirëkuptimin për vendimet e vështira që duhet të marrë. Dhe kjo ndodh përmes komunikimit. Nëse komunikohet, nëse bëhet përpjekja për të shpjeguar se cilat janë motivet e një vendimi që duhet marrë dhe nuk favorizon një mik, një koleg, një bashkëpunëtor por favorizon një ndërmarrje shumë më të madhe atëhere kam bërë pjesën time. Ajo që më bën të ndihem keq është nëse ka pasur raste kur komunikimi ka munguar dhe kjo në radhë të parë është përgjegjësia e lidershipit.

Fevziu: A jeni njeri që e ruani mërinë?

Basha: Jo.

Fevziu: Që do të thotë se i kapërceni situatat me ata që ju shajnë, ju kritikojnë, që janë agresivë me ju?

Basha: Nuk ruaj mëri. Eshtë një tipar që e kam mbartur që nga jeta civile nëse mund të themi këtu para futjes time në politikë. Mundësia për tu detashuar nga vorbulla e politikës që shpërfytyron njerëzit, kundërshtarin politik, presioni i jashtëzakonshëm që i bën ata të dalin nga vetja nga e cila nuk jam imun as unë sepse edhe unë kam pasur momentet e mia të tejkalimit të së drejtës, por në tërësi ndjek parimin që të jem i drejtë në raport me ato që besoj, pra parimet.

Fevziu: E drejtë aq sa mundet sepse drejtësi absolute nuk ka asnjëherë…

Basha: Përpiqem. Gjyqtari nuk jam unë. Gjyqtari janë qytetarët.

Fevziu: Edhe një pyetje që do të doja një përgjigje të sinqertë që duket sikur është bërë gjithmonë por po e ndërtoj në formë ndryshe. Sa e vështirë është të drejtosh PD-në në një moment që ka humbur zgjedhjet në një mënyrë spektakolare dhe mbi të gjitha pas një drejtimi 21 vjeçar të njërit prej figurave më simbol të politikës shqiptare të këtij tranzicioni, të Sali Berishës…

Basha: Shumë e vështirë. Nuk e kam fshehur në asnjë moment këtë. Eshtë shumë e vështirë, ka qënë shumë e vështirë.

Fevziu: Që kur mendohej zëvëndësimi i Berishës mendohej një ndërmarje e pamundur. Por në momentin që ju e morët përsipër, sa sa e keni ndier këtë presion?

Basha: Presion i jashtëzakonshëm.

Fevziu: Krahasimi me atë, vednimarrja duke menduar gjithmonë se si do ta bënte ai…

Basha: Krahasimi me të…unë besoj se e kam bërë të qartë pozicionin tim që nga fillimi, që kur kam kërkuar votën e demokratëve, që mos prisni që të zëvëndësoj Sali Berishën. Unë jam Lulzim Basha. Kam stilin tim, kam mënyrat e mia, kam format e mia. Natyrisht me Sali Berishën, me bashkëpunëtorët e mi në PD, me lidershipin e PD-së në vite ndaj jo vetëm krenarinë për historinë pozitive të kësaj partie, peshën e përgjegjësisë për pjesën jo pozitive, edhe vlerat e tjera. Por stili është i imi. Mënyrat, format me të cilat unë drejtoj partinë janë të mia. E bukura e kësaj që kam marrë përsipër është mundësia për të ndryshuar sepse ajo që u prit nga unë dhe pritet, është ndryshimi në PD, hapja e Partisë Demokratike. Një Parti Demokratike që u përgjigjet sfidave me të cilat Shqipëria duhet të përballet në vitin 2016 dhe jo në 2013 apo në 2005, e aq më pak në 1990, apo kur u krijua. Janë sfida të tjera. PD është një forcë e madhe që ka influencuar 26 vite të një historie, të asnjë vendi tjetër në tranzicion, po ta krahasojmë ku ka qënë Shqipëria në 1990 dhe ku është sot. Pra ka brenda vetes jo vetëm forcën por edhe detyrimin tu japë shqiptarëve dicka ndryshe. Mua më ka rënë barra, privilegji dhe përgjegjësia të udhëheq këtë ndryshim. Të udhëheqësh një ndryshim, për mua, qoftë i vogël apo një ndryshim i madh si ky që po përjeton PD-ja sot dhe që nesër do të përjetojë Shqipëria, është diçka jashtëzakonisht frymëzuese, inkurajuese, eksituese do të thoja. Eshtë një mundësi që nuk mund ti jepet çdokujt. Eshtë padyshim një përgjegjësi e madhe.

Fevziu: Ndërkohë në vendimarrjen tuaj, në momente të vështira e keni përfshirë në vendimarrje Berishën apo keni tentuar ta mbani larg?

Basha: Jo. Z.Berisha ka zgjedhur me vullnetin e tij të lirë jo vetëm të largohet nga drejtimi i PD-së por po kështu të largohet nga jeta partiake, në kuptimin që ai është pjesë e grupit parlamentar…

Fevziu: Ka momente që keni nevojë ta telefononi për ti kërkuar një këshillë apo për ta pyetur për diçka?

Basha: Padyshim, atij dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tjerë të PD-së. Këshillat, rrahja e mendimeve etj është diçka tjetër. Por drejtimi i Partisë Demokratike është një proces i cili ndodhet eksluzivisht në duart e institucioneve të Partisë Demokratike ku unë kam rolin tim si kryetari i kësaj partie.

Fevziu: Z.Basha edhe dy pyetjet e fundit të cilat unë po i quaj edhe më politiket. Vitin e ardhshëm kemi zgjedhje, sa të vështira do të jenë këto zgjedhje në PD dhe a keni frikën e një disfate?

Basha: Viti i ardhshëm me të vërtetë që ka një sfidë të jashtëzakonshme, që janë zgjedhjet. Por përtej zgjedhjeve, sfida më e madhe e vitit 2017 është ndryshimi.

Fevziu: Për të ndryshuar duhet të fitosh zgjedhjet?

Basha: Unë kam bindjen se Shqipëria kërkon ndryshim, se shqiptarët kërkojnë ndryshim, se shqiptarët dhe kur flas për shqiptarët i jap vetes të drejtën të flas edhe për të majtët nuk mund të pranojnë, nuk mund të tolerojnë më vazhdimin e kësaj situate.

Fevziu: Eshtë një ndërmarrje shumë e vështirë për opozitën?

Basha: Sigurisht sepse politika e në veçanti pusheti kanë kapur gjithë interesat e vendit; kanë kapur interesat finaciare; kanë kapur interesat kriminale; kanë kapur pushtetin pra, paranë, drogën. Pra ka interesa të prekshme. Këtu nuk bëhet fjalë për të ndryshuar njerëzit nga kolltuku, bëhet fjalë për miliarda e miliarda para të drogës, para të koncensione, para të drogës, tendera publikë, që vidhen, shpërdorohen dhe japin këtë efekt në ekonomi, në gjendjen shoqërore të njerëzve, në arsim, në shëndetësi, në kujdes social, në gjendjen e fëmijëve, të moshuarve, të të rinjve, të studentëve. Pra, çdo vendim që marrim ne politikanët e në veçanti çdo vendim që merr pushteti në mënyrë të menjëhershme afekton jetët e qindra, mijëra, miliona shqiptarëve. Kemi ardhur këtu sepse politika ka humbur sensin e realitetit, sepse një grusht politikanësh sot jetojnë në një botë që s’ka asnjë lidhje me botën në të cilën jetojnë të gjithë shqipitarët dhe ky është ndryshimi që ne duhet të sjellim. Ne duhet të sjellim një politikë rrënjësisht të ndryshme. Kjo kalon përme betejash të vështira, përmes ndarjes nga krimi. Betejë e cila sot ka filluar me një lajm të mirë por që është një betejë e gjatë dhe e vështirë. Ne nuk do të ndalemi në këtë rrugë, ne do ta çojmë deri në fund këtë betejë. Sot Elvis Rroshi nuk është më kryetar i bashkisë Kajavë.

Fevziu: Por edhe një nga deputetët tuaj nuk është?

Basha: Sot Elvis Rroshi nuk është më kryetar i bashkisë Kajavë. Figurë emblemë e kriminalizimit, mesazh i pastër, i qartë për dhjetra të tjerë kryetarë bashkish dhe deputetë se ora e pastrimit të politikës ka trokitur. Se bashkë me shqiptarët e ndershëm ne duhet të sjellim ndryshimin që funksionon për jetët e tyre dhe jo vetëm për grupet e tyre parlamentare. Ndryshon grupet parlamentare, apo ndryshon ministrat. Ndryshimi duhet të jetë një ndryshim që ta prekin njerëzit, një ndryshim pozitiv. Që të ndodhë kjo, nuk mund të ndodhë me instrumenta te kalbëzuara të kësaj Republike. Kjo Republikë sot është gërmadhë. Institucionet e kësaj Republike pavarësisht prej synimeve që kanë pasur nga momenti që është bërë Kushtetuta dhe ndryshimet kushtetuese, janë të ezauruara. Demokracia direkte, demokracia direkte brenda PD, demokraci direkte për qytetarët, zgjedhje të drejtpërdrejtë të deputetëve nga populli, zgjedhje të drejtëpërdrejtë të presidentit nga populli, fuqizim të qytetarit dhe shkurorëzim të pashallarëve të politikës. Ky është ndryshimi që duhet dhe do të sjellë viti 2017.

Fevziu: Kjo z.Basha nga mënyra se si flisni më kujton pak një film mediokër që titullohej “Dhe i vetëm dhe trim në luftë”. Që do të thotë, jemi para zgjedhjeve, mazhoranca duket se po kalcifikon, po rajivëzon një koalicion të gjerë, ku për përfshin edhe LSI-në, dhe PDIU-në dhe parti të tjera. Ndërkohë që PD, përveç PR, që është aleate tradicionale nuk duket të ketë një koalicion të gjërë…

Basha: Nuk është ashtu.

Fevziu: A keni frikë se mbeteni i vetëm dhe i marzhinalizuar në këtë betejë?

Basha: Jo, nuk kam asnjë frikë që jam i vetmuar. Përkundrazi në qoftë se mund të ndaj diçka të mirë nga ky vit me ju dhe me ata që na ndjekin, dhe që dua ti falenderoj nga zemra, është mbështetja e jashtëzakonshme që kam marrë gjatë këtij viti të vështirë për betejat që kam luftuar, jo për veten time por për betejat që kam luftuar në emër të një Shqipërie ndryshe, në emër të një Shqipërie të së ardhmes. Zgjerimin e frontit opozitar, jo vetëm me koalicion tonë opozitar që përbëhet nga shumë parti, disa prej tyre parlamentare, disa prej tyre jo parlamentare, por që përfshin në gjirin e saj faktorë të shoqërisë civile, akademikë, intelektualë dhe mbi të gjitha të rinj. Të rinj, të cilët besojnë se përmes një përpjekje të përbashkët me PD, me këtë vizion timin, për një demokraci direkte, për fuqizim të popullit, rifuqizim të popullit dhe shkurorëzimin e pashallarëve në politikë, ne mund dhe do t’ia dalim. Dhe rrugë tjetër për Shqipërinë, nuk ka. Pra, jo vetëm që nuk ndihem i vetmuar por ndihem shumë i mbështetur, shumë i privilegjuar nga ngrohtësia dhe besimi që kam marrë nga shqiptarët gjatë këtij viti dhe që padyshim përbën për mua një stimul që vitin e ardhshëm ta nisim me një betejë sa më të fortë dhe vendimtare për të nesermen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Fevziu: Ku do e festoni Vitin e Ri?

Basha: Në shtepi.

Fevziu: Me familjen?

Basha: Me familjen si gjithmonë.

Fevziu: Atëhere më mbetet vetëm t’ju falenderoj dhe t’ju uroj gëzuar festat dhe mbarësi për vitin e ardhshëm!

Basha: Edhe unë dua t’ju falenderoj, t’ju uroj ju personalisht dhe familjen tuaj, bashkëpunëtorët që keni këtu dhe të gjithë bashkëpunëtorët e televizionit tuaj, të gjithë median shqiptare. Por më lejoni, edhe qytetarët shqiptarë të cilëve dua t’iu uroj në radhë të parë shëndet dhe mirësi. T’iu uroj që ky vit i ardhshëm të jetë viti që iu rikthen shpresën, që të gjejnë kurajon për të bërë gjënë e duhur. Dhe të rishpreh bindjen time se kur njerëzit e mirë bashkohen nuk ka gjë që nuk mund të arrijmë së bashku!

Fevziu: Faleminderit z.Basha!

Basha: Falemnderit z.Fevziu!


Lulzim Basha në intervistën e fundvitit me Blendi Fevziun ne Opinion, 29 Dhjetor 2016