Jam këtu për të deklaruar qendrimin kundër të Partisë Demokratike për shtyrjen e afatit për lojërat e fatit. Ne u shprehëm qartë në komision. Partia Demokratike nuk mund të bëhet pjesë e kësaj afere dhe nga ana tjetër është një nga premtimet e pambajtura që kjo qeveri nisi me bujë, propagandë dhe zhurmë të madhe. Asnjë nga aksionet që këta kanë nisur nuk ka zgjatur deri më sot. Nuk ka zgjatur ajo kundër pikave të karburantit. Nuk ka zgjatur ajo kundër, kundër informalitetit, ashtu si nuk zgjati kjo e lojërave të fatit. Në fakt, gjatë diskutimeve 8 mujore të ligjit të lojërave të fatit në Komisionin e Ekonomisë vitin e kaluar, ne kemi dhënë mendimet tona konstruktive. Kemi bërë ndryshime në ligj dhe tani thjeshtë për interesa të ngushta ato kërkojnë që ta shtyjnë me 2 vite afatin e zbatimit të tij. Ndërkohë, nga ana tjetër, ministria ka dështuar për të plotësuar të gjithë vendimet e Këshillit të Ministrave, të gjitha urdhërat dhe udhëzimet e ministrit në zbatim të këtij ligji. I vetmi udhëzim, e vetmja VKM që ka dalë në fund të shtatorit lidhet me koncesionin e sistemit të monitorimit online të lojërave të fatit. Asnjë nga VKM-të e tjera për ta bërë këtë ligj të zbatueshëm nuk ka dalë. Nëse kjo është mungesë vullneti, është paaftësi apo interes klientelist, besoj se këtë e kanë të qartë që të gjithë.


Prononcimi per mediat e deputetes se Partise Demokratike, Jorida Tabaku, 19 Dhjetor 2016