Pyetje: Ju sot keni marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga “Miqtë e Europës”, është një aktivitet që organizohet përvit. Në Esen ju jeni takuar edhe me kancelaren gjermane, për çfarë keni diskutuar me të?

Basha: Unë vij nga Esen ku isha i ftuar nga kancelarja Merkel në Kongresin e CDU-së, ku ajo u rizgjodh dhe shpalli kandidimin për Kancelare të Gjermanisë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017. Pata mundësinë të takohem me kancelaren Merkel, ta falënderoj për ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë, për mbështetjen që vazhdon ti japë vendit tonë jo vetëm për integrimin në Bashkimin Europian por edhe luftën kundër korrupsionit, kundër krimit dhe për demokracinë, për zgjedhjet e lira në vend. Dhe dua t’i siguroj të gjithë shqiptarët se kancelarja Merkel do të mbështesë pa asnjë lëkundje Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët në këto sfida të jashtëzakonshme, në veçanti sa i përket luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si një sfidë imediate për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sot në Bruksel kam pasur takime dhe do të vazhdoj të kem takime të nivelit të lartë me anëtarë të Komisionit Europian, me drejtuesit më të lartë të Partisë Popullore Europiane,  eurodeputetët, ku në qendër të bisedimeve është padyshim sfida që Shqipëria ka në raport me luftën kundër krimit, korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Partia Demokratike dhe unë jemi fare të qartë në qëndrimin tonë, ne kërkojmë hapjen e negociatave në momentin më të parë të mundshëm edhe si një vlerë shtesë, dhe si një presion shtesë ndaj një qeverie deficente në sundimin e ligjit. Shqipëria mund dhe do të ecë përpara, qytetarët shqiptarë mund dhe do të përfitojnë nga integrimi europian vetëm kur të kenë një qeverisje që lufton për kauzat e tyre përmes luftës kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, luftës kundër drogës dhe garantimit të një demokracie funksionale ku në themel janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Pyetje: Në konkluzionet e shteteve anëtare mund të shohim që ka më shumë se pesë kritere për tu përmbushur nga Shqipëria për hapjen e negociatave të anëtarësimit, ndërkohë në takimin e “Miqve të Shqipërisë”, kryeministri Rama tha që negociatat janë hapur dhe ishte vetem kushti i Vetting-ut nëse mund të konsiderohet i tillë, duke konsideruar gjithashtu se zgjedhjet janë thjesht një përrallë për një fëmijë. Ç’mendoni për këtë?

Basha: Mendoj se është e qartë në Bruksel, në Berlin, në Tiranë që z.Rama gënjeu. Gënjeu sepse nuk do të pranojë për përgjegjësinë që ka në moszbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për largimin e kriminelëve nga Parlamenti, nga bashkitë. Disa prej këtyre vendimeve z.Rama mund ti marrë vetë siç është largimi i Elvis Rroshit, por ai zgjedh të mos e marrë këtë vendim. Dhe kur pyetet nga partnerët pretendon se problemi nuk ekziston. E njëjta gjë edhe për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, z.Rama ka prej majit që bllokon reformën zgjedhore. E njëjta gjë për problemin e drogës që z.Rama e refuzon, e përqesh apo e minimizon, por vendet anëtare, shtetet e Bashkimit Europian, shtetet serioze kanë të gjithë informacionin në dispozicion. Dhe këtu në Bruksel dhe në Berlin, Partia Demokratike dhe unë kemi marrë përgjegjësitë sot si opozitë dhe nesër si qeverisje për ti trajtuar këto probleme të rënda për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo vetëm për BE, me seriozitet dhe për ti zgjidhur ato. Me Partinë Demokratike ligji për dekriminalizimin do të zbatohet deri më një, do të largohen kriminelët nga Parlamenti, nga bashkitë dhe nga çdo funksion drejtues. Me Partinë Demokratike do të ketë luftë të hapur dhe pa kompromis kundër drogës, kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Ne do të zbatojmë reformën në drejtësi që e votuam me konsensus të plotë me 22 korrik dhe nuk do të gjejmë pretekste për të kontrolluar procese kyçe, siç janë pastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas Kushtetutës, jo sipas Kryeministrit, apo nisja nga puna e Byrosë së Veçantë të Hetimit dhe të ndjekjes penale për zyrtarë të korruptuar.


Lulzim Basha për mediat, nga Brukseli, 7 dhjetor 2016