Mesazhet e 26 vjetorit të krijimit të pluralizmit dhe të Partisë Demokratike

Mirë se keni ardhur në shtëpinë e Partisë Demokratike.

Ju uroj të gjithëve gëzuar ditën e lindjes së pluralizmit. Gëzuar festën e Partisë Demokratike.

Për ne demokratët është burim krenarie që Partia Demokratike lindi nga e njejta aspiratë dhe nga e njejta ëndërr me të cilën lindi liria dhe pluralizmi.

Për ne është kumptimplotë që Partia Demokratike mori jetë nga e njejta përpjekje dhe nga të njejtët njerëz që u ngritën kundër diktaturës: nga studentët e dhjetorit, qytetarët e thjeshtë dhe intelektualët që para 26 vitesh u bashkuan me njëri-tjetrin dhe vranë frikën për të kërkuar liri, demokraci dhe Shqipëri europiane.

Nga ky shesh dua t’u shpreh secilit prej tyre mirënjohjen e thellë për dritën dhe shpresën që ata zgjuan në zemrat e një populli të shtypur e të vuajtur.

Partia Demokratike lindi e madhe nga zgjimi dhe revolta e shqiptarëve kundër  shtypjes, varfërisë dhe izolimit komunist, nga ëndrra e tyre për liri, demokraci dhe dinjitet, nga aspirata e tyre e flaktë  për  t’ju bashkuar Europës së kombeve të lira.

Gjithë këtij vlimi të rrallë popullor i dhanë shprehje politike me mençuri, me guxim dhe në kushte shumë të vështira themeluesit –  studentët e Lëvizjes së dhejtorit, intelektualët që u bashkuan më ta, Azem  Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko të gjithë ata që janë sot e do të jenë përgjithmonë në panteonin e demokracisë  shqiptare.

Partia Demokratike lindi e madhe, por atë e kanë mbajtur të madhe veprat e saj në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Këtë çerek shekulli, Partia Demokratike ndërmori disa nga reformat më kurajoze dhe më të thella për çlirimin e njerëzve, liberalizimin e ekonomisë dhe hapjen e Shqipërisë, vendit më të izoluar në botë ku për 50 vjet nuk depërtonte liria, dija, përparimi njerëzor. Partia Demokratike ishte faktor kyç për ndërtimin e institucioneve të tregut, të infrastrukturës, të lëvizjes së lirë, të integrimit europian, të anëtarësimit në NATO.

Po! Partia Demokratike me përpjekjet e saj u solli shqiptarëve më shumë liri, më shumë demokraci dhe i afroi ata më shumë me Europën.

Por nderimi për të shkuarën dhe respekti për arritjet tona nuk mund të na bëjnë të verbër ndaj të tashmes ku jemi dhe të ardhmes ku duam të shkojmë.

Çfarëdo që ne kemi bërë mirë, nuk mund të fshehë apo justifikojë ato që nuk kemi bërë, apo ato që kemi bërë gabim.

Të dashur miq,

Shqipëria e vitit 1990 dhe kjo e vitit 2016 janë  sigurisht larg njera- tjetrës  por kanë edhe të përbashkëta.

E kam fjalën për kalbëzimin. 26 vjet më parë Shqipëria ishte në fundin e një sistemi të kalbëzuar, të dështuar që po mbyllej me ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët, ku ti çonte anija e verbër e fatit.

26 vjet më vonë Shqipëria është përsëri në fundin e një politike të kalbëzuar dhe një qeverisje që ka në themel interesat e një kaste politike-ekonomike dhe kriminale në krye të pushtetit,  ka korrupsionin në sistem,  ka drogën në sistem, ka sundimin në sistem,  ka blerjen e votës në sistem.

Ky është mocali, ky është kalbëzimi që ju vështirëson dhe ju nxin jetën çdo ditë shqiptarëve, që ju vret shpresën dhe i shtyn në arrati, njësoj si 26 vjet më pare.

Mungesa e llogaridhënies dhe mosndëshkueshmëria e ka shtyrë politikën e kalbëzuar drejt çdo lloj mjeti e mekanizmi të paligjshëm dhe kriminal për të siguruar dhe mbajtur pushtetin.

Ortakëria mes politikanëve dhe klientëve të partisë ka shkatërruar çdo mundësi për një ekonomi të lirë të tregut. Ortakëria mes politikanëve dhe medias e shoqërisë civile ka dobësuar mekanzimat e mbikqyrjes dhe kontrollit ndaj qeverisë. Etja për të marrë pushtetin me çdo kusht, e shtyu politikën në kthetrat e krimit dhe solli kriminelët në majat e pushtetit.

Viktimat e kësaj politike janë njerëzit e thjeshtë, të cilët janë sot të tradhtuar dhe të braktisur në varfërinë dhe pamundësinë e tyre.

Prandaj sot sfida jonë më e madhe, sfida vendimtare e Partisë Demokratike është kthimi i besimit të njerëzve tek politika, që është kusht për të kthyer besimin e njerëzve tek e ardhmja.

Me këtë barrë të rëndë jemi sot të gjithë bashkë në këtë përvjetor.

Parti të mëdha janë ato që dinë të kuptojnë dhe të përballen me sfidat e popujve të tyre.

Ne sot ndeshemi sërish me një tjetër moment të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët të cilët kërkojnë ndryshimin rrënjësor të politikës.

Partia Demokratike ka kurajon dhe largpamësinë të përballet me këtë sfidë: ne do të ndryshojmë veten sot, që të ndryshojmë nesër Shqipërinë. Ne duhet dhe  do të bëjmë sot atë që bëmë një 26 vjet më parë: të jemi partia e mundësive për të gjithë.

Ka vetëm një rrugë për ta arritur këtë: ajo është rruga e lirisë, demokracisë dhe e vlerave europiane. Partia Demokratike duhet dhe do të jetë një parti e lirisë së mendimit, e mundësive për të gjithë dhe e vlerave të përbashkëta.

Muajt e fundit kam biseduar e diskutuar me mijëra demokratë kudo në Shqipëri dhe me forumet drejtuese të partisë për këtë sfidë që shtrihet para nesh. Për hapjen e Partisë Demokratike në kuptimin me të gjere të fjalës. Hapjen e mendjeve, hapjen e radhëve, hapjen ndaj aleatëve dhe aleancave, hapjen ndaj shoqërisë, hapjen ndaj vlerave, hapjen ndaj rregullave, hapjen ndaj garës, hapjen ndaj mendimit të lirë.

Duhet t’u ofrojmë e mund t’u ofrojme shqiptarëve një model të ri politik e shoqëror, ku pushteti do të jetë i kufizuar dhe qytetari do të jetë i fuqizuar. Ku deputetët do të zgjidhen përmes vendimmarrjes me anëtarësinë dhe votuesit, që nesër ata të jenë përfaqësues në radhë të parë të qytetarëve dhe jo të partisë. Ku instrumentet e kontrollit të pushtetit të mos jenë thjeshtë figurina, e Parlamenti thjesht një noter i kryeministrit, por të jenë përfaqësues të qytetarëve dhe llogarikërkues të qeverisë së ardhshme dhe ku levat më të fuqishme të kontrollit që ka një demokraci, opozita e ardhshme, mediat dhe shoqëria civile, do të kenë të gjithë hapësirën dhe mundësitë të kontrollojnë përmes transparencës, kritikës, denoncimit çdo vendim të qeverisë së ardhshme.

Duhet tu ofrojmë e mund tu ofrojmë shqiptarëve një model të ri të politikbërjes,  që nuk mbeshtetet në furinë e paradave, fasadave dhe propagandës, por mbështetet në punën dhe interesin publik, mbështetet në  transparencën e vërtetë, mbështetet në  respektin e thellë ndaj qytetarëve të shprehur përmes konsultimit të tyre për çeshtje të rëndësishme.

Jam i lumtur që ne jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe të vendosur për hapat që duhet të hedhim. Për hapjen, për lirinë dhe demokracinë e brendshme, për mundësitë që duhet të jenë të cdo anëtari dhe jo vetëm të një grushti drejtuesish.

  1. Ne do të krijojmë mundësitë për konkurrencën e alternativave brenda partisë. Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe drejtuesve në dy vjet. Në këtë mënyrë, çdokush që ka një vizion apo një alternativë tjetër, do të ketë mundësinë të konkurrojë që vizioni i tij apo i saj të bëhet vizioni i partisë.
  2. Vendimet e rëndësishme do t’i besohen anëtarëve, duke e lidhur fatin politik dhe karrierën politike të çdokujt me anëtarët dhe jo me kryetarin. Jo vetëm kryetari dhe drejtuesit e lartë do të zgjidhen me votën e të gjithë anëtarësisë, por edhe të gjithë kandidatët që konkurojnë për funksione publike, përfshirë kryetarët e bashkive dhe deputetë, do të përzgjidhen me një anëtar një votë.

Ne do të punojmë që në zgjedhjet e ardhshme për përzgjedhjen e kandidatëve përmes votës së anëtarëve në disa zona elektorale, për ta shtrirë më vonë në të gjithë vendin.

Le ta dijnë të gjithë: përfaqësimi politik i PD do të vendoset nga anëtarët e saj.

  1. Ne do të krijojmë një strukturë partiake perëndimore, të çliruar nga ofiqet dhe pushtetet, duke ndërtuar një platformë moderne që ka për qëllim ti ofrojë mundësitë cdo anëtari dhe cdo anëtare për karrierë dhe garë elektorale, por jo të ushtrojë pushtet mbi anëtarësinë.

Partia Demokratike është e vendosur të ndryshojë sot veten dhe kështu të ndryshojë nesër gjithë Shqipërinë.

Unë e ndjej që sot ka kudo dëshpërim dhe mosbesim. Ajo që unë ju kërkoj të gjithë qytetarëve, jo vetëm demokratëve por çdokujt, nuk është të besoni verbërisht tek premtimet e mia, por të bëheni pjesë e këtij ndryshimi duke kontribuar me pjesëmarrjen tuaj, përfshirjen tuaj, idetë tuaja, aktet tuaja publike.

Ndokënd e ka zënë meraku se kush i ka thënë këto i pari. Sot ju them se këto vlera janë te vjetra sa vetë demokracia. Sfida nuk është kush i thotë i pari. Por kush ka kurajon dhe forcën ti bëjë realitet.

Ndaj ju kërkoj të bëheni nxitës dhe mbështetës të ndryshimit, nga i cili do të përfitojë e gjithë Shqipëria.

Një Parti Demokratike e hapur dhe e lirë është një e mirë publike për të gjithë shqiptarët. Nëse edhe partitë e tjera hapen dhe ndahen nga autokracia e brendshme kjo do të jetë një arritje e madhe për Shqipërinë.

Unë isha 17 vjec kur lindi Partia Demokratike. Sot jam kryetar i saj. Ndihem pafundësisht i privilegjuar dhe thellësisht i përunjur para kësaj përgjegjësie. Por unë jam i vetëdijshëm se kam arritur këtu vetëm sepse Partia Demokratike në momente të caktuara kuptoi rëndësinë e hapjes së saj ndaj njerëzve dhe vlerave që ata sjellin. Nëse ka dicka që unë jo vetëm besoj por edhe jam provë e gjallë e saj është se hapja sjell fryte, liria sjell mundësi.

Tani është rradha ime jo vetëm të kontriboj për të hapur Partinë Demokratike por për të garantuar që ajo do të jetë përherë e hapur dhe përherë e lirë: një parti ku të gjithë ata që duan të kontribuojnë në politikën dhe qeverisjen e vendit do të gjejnë përherë një mundësi dhe ku fati dhe karriera e tyre do të varet vetëm nga aftësia, talenti dhe kontributi i tyre.

Kështu do të jetë. Partia Demokratike e Shqipërisë, lindi e madhe prej rrethanave. Qëndroi e madhe prej punëve të mira në dobi të Shqipërisë dhe demokracisë. Do të bëhet edhe më e madhe prej hapjes, prej bashkimit, prej ndryshimit dhe modernizmit të saj.

Kështu Partia Demokratike do të jetë gjithmonë ajo që u krijua: Partia e Lirisë, Partia e mundësive, Partia e të gjithë njerëzve.

Dua ta mbyll me disa fjale thene dje nga Donald Trump:  Me te vertete po jetojme ne nje kohe ndryshimesh te medha. Skenari nuk është shkruar akoma. Nuk e dime se cfare do te sjelle e nesermja.  – por per te paren here pas nje kohe te gjate, e dime se autor do te jete secili prej jush. Ju, populli do ta keni ne dore. Zeri juaj, deshirat tuaja, shpresat dhe endrrat tuaja, kurre me nuk do te bien ne veshe te shurdher – ju do te jeni zotet e fatit tuaj.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.


Fjala e Lulzim Basha ne 26 vjetorin e krimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2016