Prononcim i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pasi pa nga afër gjendjen e të plagosurve nga shpërthimi ne rafinerinë e Ballshit. 

Dua të falënderoj personelin mjekësor për përkushtimin me të cilën i kanë ardhur ndihmë të lënduarve. Doktorët po bëjnë të gjitha përpjekjet në radhë të parë për të siguruar jetët e tyre e në veçanti dy të lënduarve rëndë dhe që janë po kështu në moshë të thyer dhe për rikuperimin e dy të tjerëve.

Kemi ndërkohë një të vdekur, Shkëlqim Muçën babain e pesë fëmijëve. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij si dhe t’i uroj katër të plagosurve këtu në spital dhe të plagosurve të tjerë në Fier dhe në Mallakastër shërim sa më të shpejtë. Falënderoj edhe një herë personelin mjekësor që është gjendur pranë me ndihmë të menjëhershme dhe t’i siguroj siolidaritetin dhe për ndjekjen e vazhdueshme të problematikës së tyre deri në shërim të plotë nga ana e përfaqësuesve tanë.

Dje ndodhesha në Mallakastër disa orë përpara shpërthimit në një takim me strukturat e PD, por dhe me naftëtarët. Në fakt siguria në punë ishte një nga çështjet që diskutuam, sikundër dhe statusi i naftëtarit, kushtet jashtëzakonisht të vështira në të cilët që punojnë. I sigurova dje nga Ballshi dhe dua t’i siguroj dhe sot se PD dhe unë personalisht, deputetët tanë, grupi parlamentar do ta ndjekim këtë çështje deri në fund. Ne kemi ngritur dyshimet tona, shqetësimet tona për mënyrën jotransparente të privatizimit klientelist të ARMO-s. Kemi dyshime të mëdha për përfitimet e jashtëzakonshme dhe ku shkojnë këto përfitime, se qartësisht nuk kanë shkuar për të përmirësuar sigurinë në një uzinë që kishte 6 muaj pa u ndezur.

Kemi dyshimet tona të mëdha përsa i përket shfrytëzimit pa asnjë kriter të krahut të punës, të naftëtarëve. Kemi përgatitur prej dy javësh një kërkesë për një komision hetimor për këtë çështje. Ngjarja e sotme e kthen me forcë në vëmendje të opinionit publik domosdoshmërinë për zbardhjen e kësaj afere.

Por ajo që dua të them sot edhe një herë është keqardhja e madhe për humbjen e jetës së Shkëlqim Muçës, babait të pesë fëmijëve dhe për lëndimin e shumë naftëtarëve të tjerë, punonjësve të tjerë të rafinerisë. Dhe i siguroj se Partia Demokratike do të qëndrojnë pranë tyre, pranë familjeve të tyre. Unë do të udhëtoj prapë sot drejt Mallakastrës për të parë edhe të plagosurit e tjerë dhe për të vizituar familjen e të ndjerit.

Naftëtarët ndjehen të braktisur, të shfrytëzuar, të lënë pas dore,  të harruar; siç ndihen edhe të përmbyturit. Kjo është për fat të keq një ditë tjetër kur kryeministri nuk është në krye të detyrës por është  në majë të avionit për të shkuar tek një tjetër ekspozitë që ka kushtuar miliona lekë, qindra –mijëra dollarë.

Do të jemi bashkë, pavarësisht se Edi Rama ka braktisur detyrën e tij dhe rend pas pasurisë dhe famës së tij personale në ekspozita luksoze.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 11 nëntor 2016