Përplasja mes  policisë së Lezhës dhe  Mirditës për drogën në Rrëshen dhe shkarkimet në bllok të  oficerëve të policë që kryen operacionin, janë  treguesi më i qartë se ku ka degraduar shteti i Edi Ramës, dhe se kush është padroni i vërtet i drogës në Shqipëri.  Këtë ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me drejtues të strukturave të PD në degën 12 në Tiranë.  Mbi 3 tonët e drogës të kapur  në Mirditë janë një tjetër fakt i kanabizimit të vendit nga Edi Rama.

“Ky është një shtet i banditizuar në çdo qelizë, për pazaret e drogës nuk po luftojnë më vetëm bandat me njëra-tjetrën por po lufton edhe shteti brenda shtetit. Mbi tre tonë drogë kanë kapur në ish-pularinë në Rrëshen, jo në majë të malit por në qytet, në ish-pularin në Rrëshen. Prej katër apo pesë orësh e mbanin të rrethuar dhe nuk guxonte të hynte policia. Policia e Rrëshenit kishte braktisur operacionin, policia e Lezhës nuk guxonte të hynte. Është treguesi më i qartë i kriminalizimit të shtetit e të policisë nga Edi Rama, e ka vënë në funksion të padronëve të drogës. Ka tregues më të qartë se kush është i zoti i drogës?! E kush tjetër përveç Edi Ramës.”

S’ka punësim, s’ka investime, s’ka para për fermerët sepse paratë  shkojnë tek miqtë e Edi Ramës. Vetëm gjatë vitit 2016, nga janari deri në shtator, 14 kompani me lidhje miqësore, politike dhe klienteliste me Edi Ramën kanë përfituar 42.2 milionë dollarë. Me këto para  mund të hapeshin 55 mijë vende pune në një vit.

“Droga, krimi, hajdutëria qeveritare, këto janë tre përgjegjësit kryesore për gjendjen e vendit. Subvencione jo, vende pune jo, investime jo. Pse?! Sepse kjo është zgjedhja e Edi Ramës. Jo se nuk ka lekë, siç gënjen lartë e poshtë, se lekë për miqtë e vet ka. Pse paske lekë ti për t’i dhënë Vilma Nushit 1.7 miliard, 134 milionë dollarë  të tjera i ka marrë 11-sha, kombëtarja e korrupsionit. Dy herë vetëm muajin që sapo lamë mbrapa ka marrë çarterin, 80 mijë euro për Bruksel, 85 mijë euro për në Hamburg. Në qoftë se vendi duhet të shohë një ditë të bardhë kushti numër një është largimi i kësaj qeverie, largimi i këtij Kryeministri.”


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 7 nëntor 2016