Sot, është dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit, dhe sot Edi Rama ka bërë hapin e parë konkret e të dukshëm të kapjes së sistemit të drejtësisë.

Ky ligj, ndër të tjera ka parashikuar ne nenin 68 pika 2 se Shkolla e magjistraturës ngarkohet të organizoje një konkurs jashte radhe për 25 kandidate, gjyqtare dhe prokurore.

Sipas këtij ligji, dhe ligjit ekzistues për Shkollen e Magjistraturës, faza e parë e një konkursi të tillë është hapja e procedures së pritjes së kerkesave të gjithe të diplomuareve, brenda ose jashte vendit, që janë të interesuar dhe kanë dëshire të marrin pjesë. Kjo periudhe e pritjes së aplikimeve, sipas traditës pothuajse 20 vjecare ka qënë bërë transparente për publikun, ne median e shkruar dhe atë elektronike, e ka zgjatur jo më pak se 1 muaj. Të interesuarit gjatë kësaj kohe njiheshin me vendet vakante, plotesonin dokumentacionin dhe dorëzonin kerkesat dhe lista e aplikuesve publikohej. Më pas, procedohej me konkursin e testimit të njohurive.

Ndryshe nga kjo praktikë, pikërisht sot, media njofton se Shkolla e Magjistratures organizon konkursin e pranimit. Pa shpallur paraprakisht dhe publikisht se një konkurs do të zhvillohej. Pa shpallur vendet sipas preferencës në profilin prokuror apo gjyqtar, pa bërë ndarjen e tyre, pa shpallur procesin e thirrjes për aplikime për cdo të interesuar, pa iu dhënë mundësinë të diplomuarve të paraqesin kërkese. Kjo sepse, ligji vetem sot ka hyre ne fuqi, dhe se nga sot e tutje duhet të zhvilloheshin këto procedura paraprake.

Listat e aplikanteve askush nuk i ka parë, askush nuk është në dijeni për menyren se si ata janë përzgjedhur. Cdo gjë është bërë në terr. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit, sepse, cdo veprim qoftë edhe okult i mbledhjes së aplikimeve, perpilimit të listave, perzgjedhjes së aplikanteve dhe ftesës për të marrë pjesë në konkurs, nese është bërë, është bërë para datës 10 tetor 2016. Dhe nese është bërë para dates 10 tetor 2016, është tërësisht i paligjshëm. Ligji ka hyrë në fuqi vetëm sot. Dhe nga sot lind e drejta dhe detyrimi i ketij organi të procedoje me pritjen e kërkesave për periudhe kohe të arsyeshme, të presë plotësimin e dokumentave individuale, të perpiloje listat e me pas të organizojë konkursin duke mos ia mohuar askujt të drejten për të marre pjesë.

Organizimi i konkursit sot, pervecse është një shkelje flagrante e ligjit për Shkollen e Magjistratures, të ligjit të sapomiratuar të vetting-ut, është hapi i parë dhe konkret i kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Plani i kapjes së sistemit të drejtësisë filloi me kapjen politike të Shkolles së Magjistratures në vitin 2014, dhe sot po materializohet me hapin e radhës: 25 individë të perzgjedhur në terr, pa transparencë por me shumë gjasë sipas prirjeve politike,  pritet të jene gjyqtaret dhe prokuroret e nesërm.

Hapi i sotëm është rrenimi perfundimtar i cdo përpjekje për pavarësi dhe moskapje politike të sistemit të drejtësisë.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 10 Tetor 2016