Të diskutosh për detajet e projektligjit të mbrojtjes së bimëve në një kohë kur bujqësia, si degë prioritare e ekonomisë shqiptare, është në gjendje të rënduar, ashtu siç është e rënduar e gjithë situata në vend, është disi anakronike.

Drejtues të qeverisë dalin në këtë foltore dhe me mburrje flasin për të ashtuquajturin “Programi për fermerët”, për reforma të thella dhe për një bujqësi të rilindur.

Por si qëndron e vërteta e këtyre reformave që nuk janë gjë tjetër veçse një demagogji e pastër për të mashtruar fermerët.

Cila është mbështetja që ju ka dhënë fermerëve kjo qeveri?

Do të 5 fishojmë financimin publik për skemat mbështetëse të bujqësisë, ka qenë një nga premtimet e bujshme të PS për bujqësinë.

Por struktura dhe aktivitetet e parashikuara për mbështetje, përjashtojnë pothuajse tërësisht fermerin për shkak se është hequr dore nga subvencionimi i sipërfaqeve  te mbjelljeve ne fushe dhe në ambiente te mbrojtura.

Pra qeveria ka hequr dorë nga subvencionet direkte për fermerët dhe me një te rëne te lapsit,  ka përjashtuar nga mundësia e financimit shumicën e fermerëve qe derdhin djersen çdo dite ne fushe, duke e konsideruar këtë, sipas kryeministrit, si një lëmoshë për fermerët, e perserit edhe sot, të cilët, deri tani, nuk paskan ditur të konkurrojnë.

Këshilli i investimeve, një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it, për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, këtë muaj, i ka rekomanduar qeverisë që të rrisë subvencionet direkte për fermerët, si një masë që nxit rritjen e prodhimit bujqësor dhe çon në formalizimin e këtij sektori.

Këshilli i investimeve konstaton  se në këto kushte, mundësitë për të përfituar nga skema dhe pse fermeri mund të ketë arritur të plotësojë të gjitha kriteret, reduktohen gjithmonë e më shumë, duke rënduar besimin e aplikuesve.

Le tu referohemi vendeve fqinjë. Qeveria maqedonase shpenzon deri 150 milion euro në vit për subvencione direkte për fermerët, duke rritur kështu konkurueshmërinë e tyre në treg dhe duke ju rritur ndjeshëm të ardhurat nga prodhimet bujqësore.

192 milion euro që kanë shkuar në xhepat e miqve të kryeministrit, përmes tenderave korruptivë dhe investimeve të luksit, do të mjaftonin për të subvencionuar çdo fermer për dy vite me radhë.

Po i jap pergjigje kryeministrit per ato qe ai i quajti si risi ne bujqesi.

Tani që po afrojnë zgjedhjet parlamentare dhe kryeministrit i duhen dhe votat e fermerëve, ka filluar të shkojë nga një fshat tek tjetri dhe në çdo fshat i bie të njëjtit avaz, duke folur për Fondin Kombëtar të Garancisë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, a thua sikur kjo është mrekullia dhe shpëtimi i fermerëve nga hallet e shumta të bujqësisë.

Ju thotë fermerëve merni kredi, se shteti nuk ka lekë që tu ndihmojë, ndërkohë që ju kishte premtuar subvencione.

Por me çfarë të ardhurash do të paguajnë fermerët këstet mujore dhe interesat e larta të kredisë?

Kam kontaktuar keto dite me bangat qe bashkepunojne me kete fond.

Pse nuk ju thotë fermerëve që ky fond shërben vetëm si gjysmë kolaterali garancie për bankën, se gjysmën tjetër të kolateralit duhet ta sigurojnë vetë.

Pse nuk i ndihmon fermerët me kredi me interes zero ose me kredi të buta, duke ju rimbursuar atyre interesin ose një pjesë të tij?

Kjo eshte ndihme direkte per fermeret.

Të gjithë fermerët e formalizuar, thotë kryeministri, me të paraqitur faturat, mund të rimbursohen me 20%.

Këto ditë kam pyetur me dhjetra fermerë të formalizuar dhe me NIPT, nëse e kanë marrë 20%.

Nënqeshin dhe më thonë: “Po ti i beson përrallat e kryeministrit? Që të fitosh rimbursimin prej 20%, duhet që të aplikosh që në muajin mars. Duke qenë se fondi është i limituar, vetëm një pjesë e vogël e fermerëve shpallen fitues dhe përfitojnë 20%”.

Flitet për investime në ujitje dhe kullim, nga të cilat thuhet se kanë përfituar një numër shumë i madh fermerësh. “Uji ne cdo parcele” eshte gënjeshtra e radhës. Kam pyetur disa herë përfaqësues të ministrisë së bujqësisë sa është sipërfaqja e ujitur për vitin 2016, për të bërë krahasimin, dhe nuk kam marë asnjë përgjigje.

Dhe kulmi i demagogjisë dhe mashtrimit është kur thuhet se, në kuadër të “Programit për fermerët”, këta kanë përfituar dhe nga specialistët e ekstensionit ose i thënë ndryshe nga specialistët e Shërbimit Këshillimor, të cilët asistojnë me këshilla fermerët.

Pa paragjykuar vlerat profesionale të këtyre specialistëve, ata janë aq të pakët në numur saqë praktikisht nuk mund të bëjnë dot asgjë.

Ky shërbim, në Drejtorinë e Bujqësisë që mbulon qarkun Korçë, pra katër rrethe, Korçën, Pogradecin, Devollin dhe Kolonjën, me rreth 33 mijë ferma bujqësore, ka vetëm 23 specialistë.

Si mund të asistohen teknikisht dhe të përfitojnë 33 mijë fermerë nga vetëm 23 specialistë, këtë vetëm kjo qeveri mund ta thotë.

Dhe fermerët shkojnë në takimet me kryeministrin dhe me shumë mirësjellje i parashtrojnë atij disa nga shqetësimet e tyre të panumërta, si pasojë e mungesës së investimeve.

Por kryeministri e heq përgjegjësinë nga vetja dhe ja faturon atë Drejtorive të Bujqësisë, se këto nuk e bëjnë punën siç duhet, sikur këto institucione të mos ishin pjesë e administratës së tij qeverisëse.

Fermerëve në këto takime, ju pritet fjala, ju hiqet mikrofoni dhe ata janë të detyruar të durojnë talljen, qesëndisjen, ofendimet dhe monologun e kryeministrit.

Dhe cili është impakti i të ashtuquajturit “Programi për fermerët”?

Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit 2016, bujqësia vijoi rënien, ashtu si dhe në tremujorin e parë, me 1.5%, krahasuar me të njëjtiën periudhë të vitit 2015.

 E vetmja gjë që dua theksoj për projektligjin, ka të bëjë me kalimin e laboratorëve të diagnostifikimit të parazitëve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, në institucion në varësi të ministrit të bujqësisë.

Kjo për mua është një veprim i gabuar, i qëllimshëm dhe abuziv, i cili cënon rëndë dhe dobëson  punën e mirëfilltë studiuese, shkencore dhe praktike të pedagogëve dhe studentëve të këtij departamenti.

Kërkesa e pedagogëve të Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve, në seancën dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, nuk u mor parasysh nga qeveria dhe maxhoranca, me argumentat jo bindëse, të eliminimit të vonesave që krijohen për tu përgjigjur në kohë situatave emergjente të krijuara në shëndetin e bimëve dhe uljes së kostos dhe kohës të analizimit për biznesin.

Kolegë deputetë.

Te dashur qytetarë.

Prandaj jemi këtu në parlament ne deputetët e opozitës, për të bërë prezent hallet e qytetarëve dhe për të denoncuar me fakte konkrete mjerimin ekonomik që është ulur këmbëkryq në çdo vatër shqiptare me pasoja në bujqësi, shëndetësi dhe në arsim.

Qeveria përpiqet ta fshehë realitetin, duke e quajtur opozitën shpifëse, që hedh baltë mbi sukseset e Rilindjes.

Ne themi të vërtetën për qytetarët shqiptarë, të vërtetë, të cilën ju mundoheni ta fshihni me të gjitha mënyrat.

Dhe për këtë arsye kryeministri e quan opozitën kërcënimin më të madh se krimi. Sa turp.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD, dua të bëj me dije për ju kolegë deputetë dhe për opinionin publik, që ne, nuk jemi kundër thelbit të këtij projektligji.

Ne nuk jemi kundër përcaktimit të rregullave që mbrojnë bimët dhe produktet bimore nga parazitët, që parandalojnë hyrjen dhe përhapjen e parazitëve karantinorë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që mbrojnë shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisin nga përdorimi i produkteve për mbrojtjen e bimëve.

Por ne nuk mund të votojmë pro, në një kohë kur parlamenti nuk funksionon në normalitet.

Nuk funksionon në normalitet për faktin që PD, prej muajit maj, ka depozituar platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe gjatë gjithë kësaj kohe, qeveria dhe Edi Rama, jo vetëm kanë heshtur, por praktikisht kanë asgjësuar reformën zgjedhore.

Nuk funksionon në normalitet dhe është një precedent i rrezikshëm kundër demokracisë parlamentare, për sa kohë pengohet në mënyrë të qëllimshme, realizimi i seancave dëgjimore në Komisionet Parlamentare, një e drejtë kushtetuese kjo e opozitës.

Nuk funksionon në normalitet për sa kohë shtyhet në infinit futja në rendin e ditës për diskutim dhe miratim ne seancë plenare i kërkesës së Grupit Parlamentar të PD për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm popullor për lejimin ose jo të importit të mbetjeve në territorin e Shqipërisë.

Nuk funksionon në normalitet për sa kohë nuk po ecet përpara me ligjin e dekriminalizimit. Asnjë person i vetëm nuk është subjekt i këtij ligji dhe e gjitha kjo është pjesë e një skeme të madhe për të kapur zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Nuk funksionon në normalitet për sa kohë Shqipëria është e mbytur në drogë dhe po helmon edhe fëmijët tanë. Droga po mbyt edhe vendet fqinjë, Italinë dhe Greqinë.

Prandaj sa më parë duhet një aksion i përbashkët për të ndaluar kthimin e Shqipërisë në një republikë hashashi. Duhet çrrënjosur sa më parë kjo e keqe e madhe. Në të kundërt parcelat me hashash do të vazhdojnë të prodhojnë pare krimi, në këtë vend nuk do të ketë kurrë votë të lire dhe trafikantët do blenë politikën dhe do kenë në dorë ligjin.


Fjala ne Kuvend e deputetit Gjergji Papa, 27 tetor 2016