Deputetët Dogjani dhe Keta vizitojnë vajzat e prekura nga përdorimi i drogës në klasën e tyre. Kërkohet hetim serioz dhe i shpejtë

Deputetët Asllan Dogjani dhe Roland Keta vizituan sot repartin e Toksikologjisë në QSUT, ku po trajtohen nxënëset që patën problem shëndetësore sot në një shkollë në Paskuqan, pas dyshimeve serioze të përdorimit të drogës në amjentin e klasës së tyre. Të gjitha shenjat dhe dëshmitë tregojnë se në shkollë është konsumuar hashah dhe kjo ka sjellë pasoja në shëndetësin e nxenëseve. Deputeti Dogjani tha se këto janë pasojat e drogës, e kanabizimit të vendit.

“Ne jemi të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve sepse ata ishin të moshës shumë të vogël, 11, 12 vjeç. Pashe që erdhën edhe persona me uniforma të policisë të cilët në mënyrë të kundraligjshme po kontaktonin me ta. Në fund të fundit të kontaktosh me një fëmijë duhet psikologu dhe prindi pranë. Nuk e kuptoj se çfarë duhet të fshehë shteti me këtë mënyrë që vjen për të kontaktuar me fëmijët. Na shpjeguan prindërit e tyre, se që në 8 të mëngjesit, sapo janë futur në shkollë, nga era, ka filluar t’u bjerë fëmijëve të fikët dhe kanë ardhur disa ambulanca duke i dërguar disa fëmijë në spitale private. Nuk janë vetëm këto 6 vajza këtu. Janë edhe fëmijë të tjerë që janë në spitale private. Ajo që kuptuam, shenjat që shpjeguan edhe vetë prindërit bashkë me fëmijët, kishin djegie sysh, lot dhe erë e rëndë, pra shenja që jepen për shkak të përdorimit të drogave të përdorura nga të tjerë në klasë. Nga informacionet që kemi, disa nxënës të tjerë kanë përdorur drogë. Këtë e ka shprehur edhe drejtori i shkollës me disa prindër dhe nga përdorimi i drogës nga disa persona të tjerë fëmijëve ka filluar tu bjerë të fikët një e nga një dhe kanë përfunduar në spital. Kjo ka ndodhur që në 8.30 të mëngjesit dhe është kuptuar tani. Pra janë munduar ta fshehin. I kanë dërguar si fillim në pediatri, më pas këtu. E rëndësishme është që gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ne komunikuam edhe me mjekun, pra janë jashtë rrezikut. Problemi i madh është se droga po përdoret jo vetëm në këtë shkollë por në të gjitha shkollat, sepse nga masivizimi i bimës narkotike, nxënësit e klasës së tetë mashtrohen. Sepse po të hyjmë në psikologjinë e tyre e gjejnë më lehtë. Eshtë një problem shumë i madh. Mjekët kanë bërë disa analiza, por rezultati i analizave të drogës nuk mund të dalë vetëm se ka ndjerë erën. Nga informacionet që kemi nga nxënësit, dikush tjetër ka përdorur drogën atje. Për shkak të erës u ka rënë të fikët një e nga një. Ministria e Arsimit duhet të marrë masa sepse kjo është e tmerrshme. Ne kemi të gjithë fëmijë. Fëmijë të moshës 12 vjeç të jenë në kontakt me drogën, me përdorues të drogës në shkolla, kjo është dramatike. Kjo është situata, nuk luftohet droga duke mos qenë transparentë. Droga luftohet duke qenë transparentë e duke u bërë bashkë për ta luftuar, e jo duke e fshehur. Ne kemi rastin dje më keq se në ‘97, ku prokurori i Burrelit ndalohet nga bandat kriminale në rrugë se kishte informacion se po kultivohej drogë në fshatin Myz, ashtu siç u kap 10 ton në Vlorë, në Itali dhe këta thonë që nuk ka drogë. Shumë të rinj kanë përfunduar në këto spitale dhe shumë prindër vuajnë me fëmijët e tyre. I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit dhe të gjithë qeverisë, të marrë masa, përndryshe situata po del jashtë kontrollit”, u shpreh Dogjani.

Deputeti Roland Keta kërkon hetim të plotë të rastit.

“Në repartin e urgjencës janë shtruar 5 fëmijë. Klinikisht janë mirë. Shenjat klinike kanë qenë me dhimbje koke dhe gjendje lipotimie. Sigurisht që, si mjek, them se kur ka dhembje koke dhe gjendje lipotimie janë raste që duhen vëzhguar. Janë marrë të gjitha analizat. Janë marrë analizat toksikologjike, të presim përgjigjen e analizave. E rëndësishme është që në këtë moment gjendja klinike e fëmijëve është e mirë. Sigurisht që i bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme të gjejnë shkakun nga kanë ardhur dhembja e kokës dhe gjendja e lipotimisë. Duhet një hetim i rastit”, u shpreh Keta.

Roland Keta