Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pa sot nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Laçit. Banorët shprehën shqetësimin për mungesën e vëmëndjes nga autoritetet shtetërore dhe pse brenda një viti janë përmbytur pesë herë. Njëri nga banorët të cilit i janë përmbytur të gjitha orenditë dhe shtëpia është bërë e pabanueshme, tha se askush nuk ka denjuar t’i ndihmojë, madje një ditë më parë zgjidhja që u kishin dhënë  zyrtarët e prefekturës ishte  të hipnin mbi kodra që të mos mbyten.

Banore: Ju jeni të parët që keni ardhur, kjo është një farë ngushëllimi. Kam kontaktu personalisht me stafin e Bashkisë më kanë thënë hypni në kodër, sikur të ishim shpend. Kjo është banesa e tim vëllai. Kemi largu noj diçka që i përket familjes pjesa tjeter, ja. Ku ta çoj vellain unë? Unë kam zgjidhje. Unë do t’ia mbaj fëmijët sa të kem mundësi po ku do të banojë, ku do shkojë? Boll me mashtrime e me rrena. Është përmbyt disa herë. Na thanë, diçka do bëjmë ne të bashkisë së Laçit, jo ebeni një foto këtu, jo bëni diçka atje. Bujrum ku jemi. Na ka humb dhe durimi tani. Kam fëmijët e vëllait, kam nipërit dhe mbesat, kam dinjitetin tim.Nuk jemi nga një shtet afrikanë e të jetojme kështu ne tani . Mos të kemi një njëri që i kemi dhënë votën e kemi përkrah dum këtë, dum atë, nuk shfrytëzohet besimi kështu.

Basha: Ti lënë llafet, të lënë propagandën e të vijnë këtu të ndihmojnë njerëzit.

Banore: Në mënyre absolute asgjë. Dhe po të them nuk do të trokas më në asnjë derë nga ky moment.

Banorët ankohen se e kanë të pamundur të përballojnë pasojat e kësaj përmbytje e cila përsëritet sa herë bie shi. Deri më tani asnjë ndihmë nuk është dhënë nga shteti. Një tjetër banore theksoi se kanalet kulluese janë të bllokuara dhe askush nuk i është përgjigjur shqetësimit tonë, qeveria na drejton te bashkia dhe bashkia te qeveria.

Banore: Mbrëmë ka qenë ngjarje e jashtëzakonshme. Veç këtë vit 4-5 herë jena përmbyt. Se si janë këto kanalet nuk i kuptoj. S’po diskutojmë kopshte e gja, po diskutojmë materialet e shpisë e fëmijët.

Basha: Dëmshpërblimin a keni marrë për herët më përpara?

Banorë: Kurrë noj herë. Pa punë jena 8 vetë. Une jam pensioniste. Çunat tu mundu ku të gjejnë një copë pune për me hangër një copë bukë.

Banore: Rreth 1 metër ujë më ka hy në tokë, ushqimi i bagëtive, lavatriçe e frigorifera  janë myt. Se di ç’bëjnë këta veç 2 herë i kam bo letër ministrit dhe një predektit këtu dhe më kanë thënë shko e merru vesh me bashkinë. Shkoj te bashkia më thonë shko te qeveria.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë të lërë propagandën dhe investimet e luksit që mbushin xhepat e tyre dhe tu vijë në ndihmë banorëve të cilët i kanë lënë në mëshirë të fatit.

Basha: Asnjëri nuk funksionon se nuk e kanë mendjen tek njerëzit, e kanë mendjen tek xhepat e tyre. Investime nuk ka pasur, investimet shkojnë për fasada në vend që të shkojnë për të  ndihmuar njerëzit se kjo është hera e tretë brenda dy viteve që kemi këtë situatë në Laç e kemi në fushë ke ujë e kemi kudo tjetër. Lekët e investimeve shkojnë për të bërë zbukurime e fasada në vend që të vijnë me ndihmu njerëzit. Juve u kanë lënë në mëshirë të fatit, ju kanë braktis  dhe vijnë vetëm për tu kërkuar votën. Kur vjen puna për t’iu gjend pranë në ditë të hallit zhduket qeveria. Kjo është situatë e papranueshme për ne. E para prioritet duhet të jetë ruajta e jetëve të njerëzve. E dyta të evidentohen dëmet materiale dhe të vijnë t’u gjenden pranë me ndihmë pasi u është shkatërruar dhe ushqimi i bagëtive për dimrin  dhe e treta t’i mbajmë përgjegjës për këtë situatë  sepse lekët jepën për investime fasade ndërsa njerëzit mbyten. 150 familje në Laç dhe dhjetëra familje në Fushë -Krujë kanë pas përmbytje. Reshjet do vazhdojnë si do t’ia dalin?


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 11 Tetor 2016