Pa prerë tentakulat e krimit dhe larguar Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë proces të ndershëm zgjedhor. Ky është prioriteti i Partisë Demokratike dhe çdo qytetari të ndershëm sot, tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në bashkëbisedimin me drejtues të strukturave të PD dega 7. Pasi të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, tha zoti Basha ne duhet të zgjedhim sistemin zgjedhor që fuqizon rolin e votuesit.

“Sot kemi një sistem politik për të cilin jemi bashkëfajtorë. E nisëm me idenë që rajonal-proporcionali do të eliminonte dallkaukët, pse jo edhe kriminelët por falë Edi Ramës ky u kthye në djepin e krimit në politikë. Duke përdorur atributet që ka kryetari i partisë, listat e Partisë Socialiste u bënë si listat e galerave të Italisë, Belgjikës, ku shkoi i mori kriminelët dhe i solli.
Ne do të shqyrtojmë të gjitha mënyrat dhe format për ti dhënë fund këtij sistemi, për të mbushur hendekun midis vendimmarrësve dhe zgjedhësit, për të fuqizuar zgjedhësit. Ndonëse fokusi ynë sot janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, procesi dhe pastaj modeli. Pa i prerë tentakulat e krimit nuk ka dhe nuk mund të ketë proces të ndershëm zgjedhor. Nuk ka rrugë tjetër përveçse të insistojmë në atë që është konkluzion i disa proceseve zgjedhore dhe i disa proceseve të tjera në raport me luftën kundër krimit dhe drogës, dhe të kërkojmë largimin me çdo kusht të Edi Ramës. Dhe të garantojmë përmes një qeverisje pa Edi Ramën kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në qoftë se procesi garantohet dhe ne duhet ta garantojmë patjetër procesin, atëherë ne duhet të jemi gati të prezantojmë skemat elektorale bashkëkohore që garantojnë që qytetari fuqizohet në vendimmarrje.”

Ndërkohë që s’ka mbajtur asnjë premtim, papunësia është rritur, varfëria është shtuar, shërbimet ndaj qytetarëve janë përkeqësuar, Edi Rama vazhdon të mbahet nga krimi që e veshi në pushtet.
Droga është  e vetmja ofertë politike, i vetmi instrument që Edi Rama ka për të mbajtur pushtetin, tha zoti Basha.

“Kriminelët u futën në politikë si pjesë e planit të Edi Ramës për të marrë pushtetin. Pas kalimit të ligjit të dekriminalizimit dhe të betejës politike që ne patëm për kalimin e këtij ligji, Edi Rama me ndërgjegje ndaloi zbatimin e këtij ligji duke mbajtur figura të komprementuara, të njohura ndërkombëtarisht si Elvis Roshi apo si Artur Bushi në krye të bashkive, e me dhjetëra e me qindra të tjerë të kalibrave të ndryshëm kudo në strukturat shtetërore. Këta i hapën rrugë kultivimit të drogës. Droga është një produkt i drejtpërdrejtë i simbiozës krim- pushtet. Droga është projekt politik dhe në fakt e vetmja ofertë politike, i vetmi instrument që Edi Rama ka për të mbajtur pushtetin.
Ajo që ne konstatojmë dhe prekim është përkeqësimi që ka shënuar në çdo fushë të jetës. Ajo që konstatojmë dhe prekim është një qeverisje që ka shkelur çdo nen në kontratën me qytetarët. Shikoni ekonominë në gjendjen më të zezë si rezultat i taksave që janë rritur për biznesin e vogël, për biznesin e mesëm, për biznesin e madh. Shikoni shëndetësinë e cila sot nuk është në gjendje të ofrojë shërbim as për 80% të pacientëve që merrnin shërbim para dy vjetësh, sipas statistikave të bëra zyrtare sot dhe cilësia e shërbimit i ngjan asaj të para 10 apo 15 vjetësh.
Pse? Sepse paratë e destinuara për shëndetësinë, në vend që të shkojnë për ilaçe, në vend që të shkojnë për aparatura, në vend që të shkojnë për të paguar mjekë dhe për të patur mjaftueshëm mjekë në shërbim në spitalet publike vidhen dhe futen në xhepat e dy-tre oligarkëve që kanë marrë koncesione dhe vidhen si me rubinetë muaj për muaj, një milionë, dy milionë, tre milionë euro taksa paguesve shqiptarë për shërbime që nuk kryejnë apo që nuk kanë asnjë vlerë për ta.”


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 20 tetor 2016