Edi Rama vendosi të ndërrojë bletët e tij punëtore në Tatime e Dogana, po këto institucione në këto tre vite mbeten dhe do vijojnë të jenë koshere të evazionit, korrupsionit dhe militantizmit partiak, të punësimit me listë sipas influencës së deputetëve dhe ministrave.

Pavarësisht nëse quhen briseida, elisa, apo vasilika, tatimet e doganat janë në dispozicion të klaneve të pushtetit dhe zgjedhjeve që po vijnë.

Vetëm për Gushtin rreth 35 milion dollarë i munguan arkës së shtetit, duke qënë gropa më e madhe e bërë në një muaj të vetem në vitet e fundit.

35 milionë dollarë të vjedhura, që nuk shkojnë për rrugë, shkolla, ndihmë ekonomike, por përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe klientëve të tyre.

Taksat në dogana dhe tatime po kthehen në një pazar ku negociohen rryshfetet për të dërguarit e Ramës, dhe nuk shihen si detyrim ligjor.

Megjithë shkallën e lartë të evazionit, Rama nuk ndërron model, dhe në vend se bletët e tij të mbajnë përgjegjësi, i gradon më tej ato duke i bërë zëvendësministre.

Ndërkohë, vjedhjen në dogana e tatime e mban sërish nën kontroll, në duar të sigurta duke ua besuar këshilltareve të tij.

Ndryshimet e Ramës janë thjesht një makiazh, po vjedhja dhe hajdutëria në tatime e dogana nuk ndryshon.


Deklaratë e Këshilltarit të PD për Ekonominë, Dorjan Teliti, 24 shtator 2016