Më 25 tetor te vitit 2011, kryeministri aktual Edi Rama, atëherë në opozitë, në lidhje me ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të miratuar nga maxhoranca e djathtë më 22 shtator 2011, është shprehur para grupit parlamentar socialist, tekstualisht kështu:

“Me tu ulur në tryezën e qeverisë, ligji i parë që do të fshimë nga kapica e ligjeve mbeturina të interesave të paligjshme të oborrit të Saliut, do të jetë ky ligj antikombëtar, antidemokratik madje dhe antinjerëzor”.

Dhe me të vërtetë, vendimi i parë që Edi Rama mori në zyrën e tij si kryeministër më 22 shtator të vitit 2013, ishte ai për ndalimin e importit të mbetjeve të riciklueshme.

Më 10 tetor të po atij viti e votoi atë në parlament.

Por u deshën vetëm tre vjet që maxhoranca e drejtuar prej tij, ta amendojë këtë ligj, duke mundësuar lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme.

Keni folur shumë, ju kolegë të maxhorancës, në seancën e 10 tetorit 2013, për ndarjen e mbetjeve që në burim, për riciklimin e mbetjeve vetëm të vendit dhe jo riciklim të mbetjeve të importit.

Por krejt ndryshe nga argumentat e përdorura nga ju, para tre vitesh, menaxhimi i mbetjeve vazhdon të mbetet shumë problematik.

Sipas strategjisë dhe planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve të qeverisë, objektivi për ndarjen e mbetjeve në burim ka qenë viti 2015. Po mbyllet viti 2016 dhe gjendja vazhdon të jetë skandaloze.

Shqipëria është e mbytur me plehra ngado, nga veriu në jug. Në përrenjtë, lumenjtë dhe deri tek brigjet e liqeneve dhe deteve tona sheh ngado mbeturina pa fund.

Ky vendim tregon se kundërshtimi që i bëhej këtij ligji 3 vjet më parë, ishte thjesht një demagogji e pastër dhe një lojë politike vulgare kundër qeverisë Berisha.

Zhbërja në një hark kohor tre vjeçar e një akti, që e njëjta qeveri e ka marë, përbën një amoralitet politik dhe elektoral.

Një nga argumentat e përdorur nga deputetët e maxhorancës, më 10 tetor 2013, pra para tre vitesh, ditën kur e ndaluan importin e mbetjeve të riciklueshme, ishte se kjo masë do të ndihmonte në reduktimin dhe në riciklimin e mbetjeve në territorin e Republikës të Shqipërisë.

U tha atëherë se mbetjet e vendit janë plotësisht të mjaftueshme për industrinë vendase të riciklimit. Atëhere pse po e lejoni sot importin kur nuk keni bërë asgjë deri tani me mbetjet e vendit?

       Por si paraqitet situata sot, pas tre vitesh, që po lejohet importi i mbetjeve të riciklueshme?

       Sipas vetë mendimit të Këshillit të Ministrave për këtë projektligj, citoj:

       “Deri tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri riciklohen vetëm 17% e mbetjeve që gjenerohen në një vit”.

       Pra 83% e mbetjeve është ende në treg e paprekur nga kompanitë e riciklimit.

Zoti Kryeministër!

Para tre vitesh, në këtë foltore keni thënë:

“Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën kur Shqipëria të jetë në gjendje t’i seleksionojë, t’i ndajë, t’i mbledhë, t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë”.

Pse nuk e mbajte fjalën zoti kryeministër? Pse lejove hyrjen e plehrave nga jashtë, kur ke 83% të plehrave të vendit të pa përpunuara?

Sipas direktivës të BE, çdo vend duhet të synojë të menaxhojë mbetjet e veta dhe ato duhet të trajtohen sa më afër burimit të prodhimit. Për të kompensuar apo minimizuar impaktin negativ te ricikluesit, kërkohet të rritet interesi për të ricikluar mbetjet që gjenerohen në vend, duke përmirësuar rrjetin e grumbulluesve dhe mbetjeve të diferencuara.

       Pra situata jo vetëm që nuk është përmirësuar këto tre vjet, por përkundrazi është përkeqësuar dhe lejimi i importit të mbetjeve të riciklueshme, do të pengojë riciklimin e mbetjeve të vendit, duke e kthyer Shqipërinë në një kosh të madh plehrash.

       Duhet pranuar që riciklimi i mbetjeve është shumë i domosdoshëm për të ruajtur burimet natyrore në shërbim të njeriut nga njera anë dhe për të patur një ambient të pastër, të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për qytetarët, nga ana tjetër.

       Por kjo qeveri nuk i mbajti premtimet e saj elektorale për riciklimin e mbetjeve. Riciklimi nuk u trajtua me prioritet, ashtu sikundër u tha.

Nuk u punua për ndarjen e mbetjeve në burim, në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor, megjithëse kjo u propagandua me shumë bujë para tre vitesh.

Në grantin që jep pushteti qendror njësive vendore, nuk u rrit dhe nuk u kushtëzua pjesa që duhet për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Nuk u ndërhy për lehtësira fiskale për të favorizuar këtë sektor.

Koncesionet e dhëna nuk kanë shërbyer për ndërtimin e impianteve për një përpunim të mbetjeve sipas standardeve evropiane, por ato janë zhytur thellë në korrupsionin e plehrave.

Për përfitime maksimale, në to shfrytëzohen në kushte shtazarake fëmijë, gra dhe burra, si skllevër, pa kontrata, pa siguracione, pa kushtet më elementare higjeno-sanitare dhe pa respektuar kushtet teknike të sigurisë në punë.

Arditi 17 vjeçar ishte viktimë e këtij korrupsioni dhe krimi shtetëror.

Administrimi i mbetjeve në Shqipëri është në nivel të ulët. Me sistemin për grumbullimin e mbetjeve të ngurta janë pajisur vetëm qytetet, por jo zonat rurale. Aktualisht, praktikohet shumë pak riciklimi. Mbetjet asgjësohen në vendgrumbullimet e mbetjeve, të cilat nuk plotësojnë asnjë lloj kriteri, duke bërë të mundur ndotjen e mjedisit dhe rrezikimin e shëndetit të njerëzve.

Argumentat e përdorura aktualisht nga deputetët e maxhorancës për lejimin e importit të mbetjeve të riciklueshme, janë një demagogji e pastër.

Shqipëria nuk është vend më i pastër se tre vjet më parë. Shqipëria nuk ka më pak mbetje se tre vjet më parë.

Përkundrazi, Shqipëria, për fat të keq, ka namin e një vendi të tejndotur, jo vetëm nga plehrat, por edhe nga krimi dhe hashashi.

Me argumenta demagogjikë synohet të fshihet qëllimi i vërtetë i lejimit të importit të mbetjeve të riciklueshme, që është instalimi i mafies së plehrave në Shqipëri.

Këtë e ka pohuar vetë kryeministri Rama. Në fjalën e tij para tre vitesh nga kjo foltore, krenar që ndalonte përfundimisht importin e plehrave në Shqipëri, është shprehur tekstualisht:

“Është krejtësisht e qartë që Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë. Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të paafta për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve”.

Pra sot po e pranon vetë që po i nënshtrohesh interesave të jashtëzakonshme financiare të mafies së plehrave.

Në reagimin zyrtar të qeverisë mohohet përfshirja e saj në këtë nisëm, duke e cilësuar projektligjin “joqeveritar”.

Por kjo nuk është gjë tjetër veçse një farsë, për ti hedhur hi syve të opinionit publik, se gjoja kjo nuk është nismë e qeverisë, por e disa deputetëve. Përrallë me mbret.

Pjesëmarja e pazakontë pardje në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, ku u miratua lejimi i importit të mbetjeve, jo vetëm i të gjithë deputetëve të maxhorancës, anëtarë të rregullt të komisionit, por edhe i deputetëve zëvendësues, tregon më së miri se pas gjithë kësaj loje fshihet kryeministri Rama.

Kolegë të maxhorancës.

A mbani mend se çfarë keni thënë në seancen parlamentare të 10 tetorit 2013? Nëse jo, lexoni procesverbalin e seancës.

Si ka mundësi që brenda tre vitesh, për të njëjtën çështje, të shpreheni me qëndrime diametralisht të kundërta?

Dhe sot po bëni atë që zhbëtë para tre vjetësh.

Kërkojini të falur biznesit të riciklimit të mbetjeve për investimet e kryera dhe të pashfrytëzuara për tre vjet, për vendet e punës të mbyllura dhe për fitimin e humbur, sepse do të ishte më e lehtë të forcohej kontrolli nga organet ligj zbatuese të qeverisë tuaj, se të ndalohej importi i mbetjeve.

Pranojeni që bëtë gabim që e ndryshuat ligjin në vitin 2013.

Pranojeni që këtë, atëherë, e bëtë vetëm për interesa politike.

Pranojeni që po e riktheni ligjin për qëllime korruptive.

Pranojeni që po e riktheni ligjin, të detyruar nga presioni i mafies së plehrave.


Fjala në Kuvend e deputetit Gjergji Papa, 22 Shtator 2016