Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend, kërkesën e 28 deputetëve për mbajtjen e një referendum të përgjithshëm me pyetjen; A DUHET TË LEJOHET IMPORTI I MBETJEVE NË TERRITORIN E SHQIPËRISË?

Grupi Parlamentar i PD vlerëson se lejimi i importit të llojeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, cenon interesin publik, për shkak se, rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm; krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme; bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Ky fakt nënkupton se, lejimi ose jo i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, është çështje me interes publik dhe për pasojë ajo konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë, në kuptim të nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ndaj, Partia Demokratike kërkon që ky vendim të mos i lihet qeverisë, por populli të thotë fjalën e tij përfundimtare për këtë çështje.

Bashkangjitur, kërkesa e plotë për referendumin e depozituar sot në Kuvend.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 29 shtator 2016

kerkesa per referendum