Zonja deputete!

Zotërinj deputetë!

Zoti kryetar!

Të nderuar qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë seancë,

në të cilën zotërinjtë prapa shinës sime, që përbëjnë një organizatë kanabiste e kriminale të vërtet, dalin dhe në një çmënduri dhe paturpësi ekstreme bërtasin e përpiqen të mbulojnë veprën e tyre më kriminale në historinë e këtij vendi pas diktaturës komuniste, kanabizimin dhe vendosjen e diktaturës së krimit në Shqipëri.

Përpiqen, në një histeri të papërmbajtur, të çirren, të shpifin, të trillojnë, të citojnë dokumente që nuk ekzistojnë, vetëm e vetëm se mendojnë në këtë mënyrë të lajnë fytyrën e tyre të nxirë me drogë dhe kanabis.

Në këtë sallë sot u fol dhe për Dibrën. Pse unë nuk po ndalem gjerësisht? Në 2 korrik 2015, në këtë platformë kam deklaruar me dhimbjen më të madhe se seanca ishte e funeralit të zgjedhjeve në Shqipëri, dhe e kam deklaruar atë me bindjen më të thellë. Po Dibra çfarë ishte? Hapja e një njërit prej këtyre varreve të krijuara nga ju, njëri nga varret e kësaj varreze në të cilën ju keni futur votën e shqiptarëve, në të cilën keni varrosur vullnetin e lirë të shqiptarëve. Prapa çjerrjeve histerike të Sadri Abazit në Dibër qëndrojnë vjedhjet e miliona e miliona eurove së bashku me Edi Ramën, prapa histerisë së tij, njëriu që s’ka folur asnjë herë në parlament qëndronte frika dhe tmerri i milionave që ka vjedhur, i dhjetëra e dhjetëra ndërtimeve pa leje, i ndërtimit të perandorisë së tij mbi krimin dhe drogën, pengmarrjes etj etj.

Pra, pas kësaj histerie e çmëndurie të Abazit, qëndrojnë tenderat në të cilat ka vjedhur me dhjetëra milionë euro së bashku me Edi Ramën. Po pse do merremi ne me fshatarin e mashtruar që të punësohet? Po pse do merremi ne me këtë në një kohë kur droga e tëra është në duart e Edi Ramës dhe Saje qorrit? A e dini ju se si e vjedh taksën e drogës Rama? E dini që ka një emër që e ka më të afërt se këmishën në vjedhje? Quhet Ardian Çela, terroristi i OSHEE. I gjithë parku i tij është parku i transportit të kanabisit për llogari të Edi Ramës. A e dini që makinat e OSSHE transportojnë në të katër anët e Shqipërisë drogën. Mësojeni se drogën e lëviz Edi Rama, se drogën e Kurveleshit e lëviz Sajmir Tahiri. Vetëm në Kurvelesh janë të mbjella mbi 3.2 milionë rrënjë. Në përllogaritje të raportit të fshehtë, nëse llogarisim sipërfaqen e paralajmëruar në raportin e shërbimeve partnere, në Shqipëri janë mbjellë  të paktën, minimumi 20 milionë rrënjë.

100 mijë rrënjë janë në Selishtë, nën kujdesin më Ymer Lalës. A e dini ju sa mesazhe i ka dërguar ky zotëria (Rama) Ymer Lalës dhe se çfarë e porosit në mesazhe ky Edvin Shullazi? Të dalë të thotë nëse ska komunikuar. I kontrollojnë shërbimet partnere që të gjitha këto. Le të dali ti mohojë nëse do, dhe unë dal i jap përmbajtjen e tyre pastaj.

Ju jeni kanabistë. A e dini ju që tani flitet vetëm për parcelat tuaja kudo? Parcela e këtij ministri e parcela e atij ministri dhe ky (Rama) ka marrë transportin përsipër, me Ardian Celën. Të jeni të bindur që do paguani një çmim shumë të shtrenjtë për këtë që po bëni. Iku Riformato, erdhi Guido. A e dini që ky Guido, ky turisti juaj i dashur  është në ndjekje penale në Gjykatën e Lartë? A e dini që ky (Tahiri) është skafisti që ka mbushur Shqipërinë me 1500 leje skafesh.

Dhe ky del e mashtron shqiptarët me komunikata që nuk kanë qenë kurrë. Sigurisht që ka pasur kanabis, se mohon kush, por, nga 2013-ta deri sivjet, kanabisi është rritur 1500 herë në sipërfaqe. Kanabisi është bërë pronë e organizatës kriminale që quhet qeveri shqiptare, e kryesuar nga Edi Rama që po zëvëndëson çdo lloj investimi.

Një javë më parë bandat kapën në mes të rrugës një biznesmenë, i cili do investonte qindra milionë euro në turizëm. A e dini ju se muaj më parë, një biznesmen tjetër ka denoncuar Besnik Sulën, kryemafiozin, se e ka kërcënuar me jetë nëse një miliardier tregon interes për Ballshin? Cfarë përgjigje dha  zotëria në parlament në atë kohë? Nuk e mohoi dot dhe tha “pse ministër i brendshëm jam unë”. Përgjigja tjetër më vonë ishte që i dha rafinerinë e Ballshit, së bashku me vëllanë e vet, duke shkelur çdo lloj rregulli e duke vjedhur në mënyrë monstruoze një pasuri, duke bërë aferat më të ndyra. A e dini se çfarë fshihet pas 7 milionshit të Bankers? Një e drejtë e pamohueshme e ndërmarrjes. A e dini që nuk po e apelon qeveria? Veprimi ndaj Bankers ishte veprim arbitrar, zuzar, ju i tatuat naftën që injektonte në tokë, dhe ajo nuk tatohej në asnjë vend. Bankers fitoi, ndërsa ju futët bishtin ndër shalë dhe nuk e apeloni, duke thyer kështu çdo rregull. Një qeveri është e detyruar ligjërisht të apelojë, po keni gjetur Himcën që sillet si marionetë, që s’njeh ligj dhe asgjë dhe ju veproni në këtë mënyrë. Po pse? Sepse është Besnik Sula dhe Edi Rama në mes. Sepse nuk bëhet asgjë tjetër veçse punohet nga mëngjesi deri në darkë me fuqinë e ekzekutivit për interesat e tij. Dhe tani droga është kthyer në një minerë me flori e zyrtarëve kanabistë, të partisë kanabiste, të qeverisë kanabiste.

Këtu keni qënë kur sivllau i tij, në atë kohë njëriu më i afërt, bënte thirrje në të gjithë Shqipërinë që të legalizohej kanabisi. Ne e quanim këtë thirrje, pikërisht për këtë që po ndodh sot. Në të vërtet, ai zbatonte verbërisht porositë e këtij (Ramës). Tni i shatë duart, e përcollët, dhe poshtërsisht shkoni thoni se ndërhyri Berisha në Gjykatën Kushtetuese. Unë i them atij këtu, dhe çdo shqiptari se, Sali Berisha bën vetëm një betejë, betejën politike, por kurrë ndonjëherë betejë tjetër nuk ka bërë dhe nuk bën. Kështuqë Koços mund t’ja faktojë shumë mire që ja bëtë ju gropën. Mos mendoni se kam keqardhje, unë nuk merrem kurrë më me të, se nëse jam marrë me të, e kam bërë për shkak të përfitimeve nga Edi Rama, nëse merrem me të e bëj se vjedh shqiptarët me tenderat e Ramës. Unë nuk merrem me biznesmenin, merrem me atë klientelë kriminale si puna e atij (Sadri Abazi) që fiton 86 tendera dhe i shkatërron të gjithë të tjerët. Apo si puna e atij tjetrit që çon sms dhe kërcënon me jetë investitorët e huaj për të marrë me Ramën Uzinën e Ballshit, apo si puna atij tjetrit që mban në të zezë uzinën e Fierit, për të cilin Brisi ka dhënë porosi kategorike që të mos kontrollohet. A e dini ju që ajo është pronë e ARMO-s dhe ARMO është ndërmarrje e falimentuar, dhe ky për të fshehur fitimet paraqet sikur nuk punonte dhe mban në të zezë 150 punëtorë.

Të nderuar qytetarë dhe qytetare,

zhvillimet e ditës së dielë ishin një dramë e paralajmëruar. Edi Rama përdori gjithë potencialin kriminal jo vetëm të Dibrës por dhe falangat e krimit nga një seri qarqesh të vendit. Dibranët janë trima, por ka një moment, që është krimi i veshur me pushtet. Se krimi pa pushtet është i rrezikshëm, në tërësinë e tij, futet në strofull e del nga strofulla, por krejt tjetër është krimi me pushtet. Krimi me pushtet është pushteti më i pakufishëm, sepse ai bën ato që nuk bën dot pushtetari kriminel nga frika e tij. Dhe të gjitha ato që do të realizojë Edi Rama, këtë adhurim që ka për krimin e ka vetëm për një arsye, sepse nëpërmjet tij realizon atë që vet se bën dot. Kjo është arsyeja. Në këtë kontekst qytetari vihet para një alternative; ose të reagojë me forcë ose të nënshtrohet, dhe në tërësi nënshtrohet, duke bësuar se një ditë tjetër më e mirë do të vijë. Kjo ishte zgjedhja që bëtë. Cfarë më thoshte një mik i imi në Dibër? “Jemi 15 vota në familje. Më erdhën e më thanë ose 15 votat ose pensionin ta hoqëm. Nuk e dhashë votën për ato lekë që më dhanë por e dhashë votën për shkak të pensionit”.

Makineria kriminale e qeverisë vazhdoi me të gjithë instrumentat e saj për të mos lejuar një krahinë, një rreth të votojë me vullnetin e tij. Po ky është një krim i shëmtuar. Unë edhe dje e theksova por edhe sot e theksoj, për opozitën dhe qytetarët shqiptarë, por në radhë të parë për qytetarët e Tiranës, se Shqipëria është në momentin më kritik të saj, kurrë ndonjëherë ajo nuk ka qënë në një situatë të tillë kritike. Vendin e ka mbuluar një vello e zezë, velloja e krimit dhe e kanabisit. Ka një debat që pse  të mos lejohet kanabisi, të marrim dhe ne ca para dhe të fitojmë zgjedhjet. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. I bëj thirrje popullit opozitar; kurrë mos pranoni një gjë të tillë, sepse me këtë gjë i bëni gjëmën fëmijëve në radhë të parë, me këtë pikpamje, ai mund të shohë fëmijët e tij nesër përdorues droge të përmbajtur, me këtë pikpamje ai humbet dhe bie në varësi të krimit, të monopolistëve të kanabisit dhe kryemonopolistit Edi Rama. Kurrë mos e pranoni. Pavarësisht se kanabisi prodhon male me para për krimnelët, por ne kjo duhet të na bëjë shumë herë më të vetdijshëm se, problemi saj nuk zgjidhet as në Peshkopi, as në Kurvelesh, as në Dukagjin. Problemi saj zgjidhet vetëm në Tiranë. Ju bëj thirrje qytetarë të Tiranës, të dëshmoni lartësinë e përgjegjësisë qytetare që keni para vetes, para familjes por dhe para gjithë shqiptarëve si banorë të kryeqytetit, që është zemra dhe truri i  kombit, t’i japim duart kësaj organizate kriminale, t’a rrëzojmë sa më parë sepse kjo është rruga e vetme që qytetarët shqiptarë, demokratë, socialistë dhe të çfarëdolloj bindjeje të votojë me dinjitet të plotë si qytetar europian, t’a rrëzojmë këtë qeveri, e cila po vjedh në mënyrë monstruoze pasuritë tuaja dhe po i shndërron në pasuri të veta, e cila po rrethon Shqipërinë në një izolim të ri, ta rrëzojmë sepse ne dhe vetëm ne, nga ne presin shqiptarët kudo që janë përndryshe ju, fëmijëve tuaj, miqëve tuaj ju pret ose eksodi ose droga. Unë kam besim të madh se koha jote Edvin Shullazi, ka marrë fund!


Fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, 15 shtator 2016