Kamerat e sigurisë, me siguri janë biznesi i radhës që keni projektuar.
Janë milionat që i keni ndarë që tani me klientin tuaj.
Ne jemi pro cdo mase që rrit sigurinë publike, nuk ka asnjë dyshim për këtë.
Por kamerat e sigurisë nuk do të ndihmojnë për të parë në sy realitetin që po kalojmë.
Për të parë këtë realitet duhet vullnet politik.
Duhet vullnet politik për të ndalur drogën që ka pushtuar vendin, cdo fshat të Republikës.
Nuk bëjnë punë kamerat që do të regjistrojë e do të shohë Saimir Tahiri.
Duhet vullnet politik për të parë këtë realitet, se vetëm dje ndodhi një vrasje tjetër pikërisht për konliktet që po sjell droga, kanabisi, mbjellja e parcelave anembanë vendit.
Vrasje qe fshihen nga Saimir Tahiri sikur ka ndodhur për motive të tjera, kur në fakt, konfliktet jane për arat me kanabis.
Jeni duke futur një spiral konfliktesh e hasmërish mes shqiptarëve. 6 viktima ka këto muaj për shkak të drogës. 10 ditë më parë ndodhi vrasja në Dukagjin. Ne Tepelenë, në Korcë, në Vlorë kanë humbur jetën këto muaj nga rivaliteti e përplasja e zonave të influencës për kanabisin.
Tensioni social është rritur. Dhuna është shtuar. Dhe agresiviteti i bandave tuaja, i kartelit të drogës është në shkallën maksimale.
Nuk guxojnë fshatarët të shkelin në parcela, pyje e livadhe sepse rrezikojnë jetën nga bandat e armatosura që ruajnë drogën.
Duhet vullnet politik për të parë realitetin, për të mbikqyrur e ndalur krimin.
Duhet vullnet politik për të ndalur skafin me 1 tonë drogë. Ekzistojnë kamera në porte, mund të vini edhe të tjera, por nëse droga është e lidhur me pushtetin, nëse bandat janë kushërinj, nipa, klientë, atëherë, asgjë nuk do të bëjë punë.
Do ta shpëtonin vallë kamerat investitorin amerikano-libanez nga rrahja barbare, që e detyroi të braktiste Shqipërinë.
I ikën vendit tonë 450 milionë dollarë investim, 1200 vende pune. Kjo ndodhi në mes të ditës, dhe ju kishit informacion se biznesmeni ishte kërcënuar. Kërkohet vullnet politik për të ofruar siguri e garanci.
Po ju nuk e keni këtë vullnet politik. Garanci e siguri ofroni vetëm për bandat, për trafikantët.
Nuk është shprehur akoma kryeministri i vendit për këtë ngjarje të rënda, që është një prej goditjeve më të mëdha në ekonominë tonë. Largimi i këtij investitori, pas dhunimit brutal, mos mendoni se do të kalojë lehtë. Shqipëria penalizohet jo vetëm për atë investim të munguar tashmë, por edhe për pasojat që do të sjellë kjo.
Cili investitor do ta ketë në planet e tij vendin tonë pas kësaj ngjarje. Cili investitor do të kërkojë të vijë këtu, kur merr vesh se si u dërrmua në mes të ditës në një aks kombëtar një biznesmen i huaj, dhe kryeministri i vendit nuk tha një fjalë të vetme as ditën e ngjarjes dhe as ditën kur ai deklaroi largimin nga Shqipëria.
A do të ndalonin kamerat blerjen e votës, një prej dramave më të mëdha të shqiptarëve që ndodhi së fundmi në Dibër.
Jo aspak nuk do ta ndalonin.
Se kjo kërkon vullnet politik. Vullnet politik do të thotë të mos shkosh në shtëpitë e njerëzve e tu blesh votën, do të thotë të mos i kërcënosh me vendin e punës, do të thotë të mos e vësh shefin e komisariatit shef të shtabit elektoral, do të thotë të mos luash me ndihmën ekonomike të të pamunurve.
Të gjitha këto i bëtë në Dibër dhe unë jam dëshmitar si shumë kolegë të tjerë në këtë sallë.
Ju sot krenoheni me një degë kanabis që konfiskoni në një studio televizive e me ca kotele që shpëtoni në rrugë. Ky është bilanci juaj, ndërkohë që mediat raportojnë se i kërkuari nga policia e gjysmën së Europës, që CNN e quan eskobari i Ballkanit, Klement Balili pra, feston gjithë natën në një dasëm në një hotel në Sarandë.
Krenoheni me një degë e me dy kotele, ndërkohë që karteli i drogës ka ndërtuar pistë avionësh në zemër të Shqipërisë.
Krenoheni me një degë hashashi dhe me dy kotele, kur keni braktisur qytetarët i keni lënë në mëshirë të fatit.
Krenoheni me një degë hashashi e me dy kotele, kur në mes të Tiranës për pak humbi jetën një 17 vjecar nga dhuna, dhe pak kohë më parë një i ri vdiq nga plumbat e kallashnikovit në Pogradec.
Aksidentet janë shtuar dhe cdo ditë kemi një viktimë në rrugë.
E si të mos mjaftojë kjo kronikë e zezë, përditë shtohet skamja e varfëria, papunësia e mungesa e shpresës.
Nuk ka asnjë dyshim se ky është realiteti që ju kërkoni.
Shqipëria e varfër, shqiptarët e varfër është realiteti që ju intereson. Sepse kështu sundoni më kollaj, kështu rrisni pushtetin e drogës dhe të trafikantëve, dhe kështu në fund mendoni se do ta blini më lehtë votën për të mbajtur karrigen.
Ju po e coni vendin, qytetarët dhe shoqërinë në cep të ringut dhe po e godisni nga të gjitha anët.
Kjo shtypje e ka një kohë. Nuk mund të zgjasë pafundësisht. Populli do ngrihet një ditë. Ua them me plot bindjen se nuk ka shoqëri që duron kaq shumë padrejtësi, kaq shumë sundim bandash.
Kur populli të ngrihet, sdo tiu shpëtojnë dot as trafikantët, as kamerat e sigurisë.


Fjala ne Kuvend e deputetit Alban Zeneli, 22 Shtator 2016