Me anë të këtij akti të fundit që po diskutojmë sot, Edi Rama po përgatitet për riciklimin e parave të korrupsionit, duke e ekspozuar Shqipërinë edhe para rrezikut të mbetjeve të rrezikshme, kush e di edhe ato radioaktive! Përtej paaftësisë profesionale të Kryeministrit që askush s’e dyshon më pas 3 vjetësh në Qeverisje, ky akt dëshmon imoralitetin politik të kryeministrit rilindas i cili vetëm pak vite më parë, (të gjithëve na kujtohet), atëherë opozitar, bërtiste e uluriste kundër importit të po këtyre plehërave.

Me shumë interes lexova mbrëmë fjalimet e Ramës dhe kolegëve të tjerë të PS të para 3 vitëve… dhe mendova që fjalim më të mirë për sot s’do kisha vec të lexoja atë cka ato kanë thënë aso kohe vetë Rama, Bare etj.

Por unë nuk do ju lexoj të gjithë fjalimin, por do ju citoj vetëm një paragraph të asaj cfarë thoshte Rama?? Po jau citoj:

“Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria, të dobëta në tandarde dhe të paafta për të kontrolluar kufijtë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe shteteve që u shërbejnë interesave kombëtare.”

Përvec imoralitetit politik të këtij akti, nëse e përkthejmë në gjuhën e politikës së ditës Rama opozitar (para se të vinte në pushtet) ka akuzuar Kryeministrin Rama duke e etiketuar “mafjoz”!! Opozitari Rama akuzon sot Ramën Kryeministër se po punon kundër interesave të kombit të tij.

Kryeministri Rama sot ka dy rrugë:

  • E para, t’I kërkojë ndjesë qytetarëve shqiptarë e të tërhiqet nga ky draft ligj;
  • E dyta, të dalë këtu e të pranojë publikisht që është i kapur nga mafja e plehërave, që është pjesë e atyre interesave të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombit tonë!!!

Të nderuar qytetarë,

  • Kur në Shqipëri ngrihen pista ilegale avionësh…që transportojnë drogë me lejen dhe nën mbrojtjen e pushtetarëve… kur kjo Qeveri nuk kontrollon dot territorin e vendit, pse duhet të shpresojmë që nuk do lejojë të hyjnë mbetje të rrezikshme në Shqipëri??
  • Kur Shqipëria është mbuluar nga Kanabisi, që vec sytë e drejtorit të policisë dhe shefave të tij nuk e shohin…. si mund të mendojmë që kjo Qeveri do kontrollojë plehrat që do importohen???
  • Kur qytetari i varfër arrestohet për një rregullim catie, dhe kriminelët shtëtisin lirshëm në mes të Tiranës, në mes të ditës…si mundet të shpresojmë që importi i plehërave apo helmeve të ndryshme nuk do na dëmtojë, mjedisin, shëndetin, ekonominë??? Të na rrezikojë jetën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë???
  • Kur të gjitha raportet e ndërkombëtarëve ngrenë me shqetësim korrupsionin e përhapur në të gjitha nivelet e administratës a mund të shpresojmë që mbetjet do kontrolloheshin në 3 pikat doganore ashtu si duhet?
  • Kur një nënë në pritje të momentit të lumtur të lindjes së foshnjës së saj, humbet jetën për shkak të sistemit të kalbur e tërësisht të korruptuar shëndetësor që Rama – Beqaj me shkumë kujdes e ngritën; kur 6 pacientë me HIV/AIDS humbin jetën për shkak të mungesës së barnave; kur fëmijët me leucemi nuk kurohen prej neglizhencës së Ministrit të shëndetësisë; kur te onkologjiku pacientët edhe sot nuk marrin terapinë e duhur se mungojnë medikamentet përkatëse; kur matërnitetit të Burrelit sot i vihet dryni për mungesë mjeku gjinekolog….si mundet pra të shpresojmë që ky Kryeministër dhe kjo qeveri nuk do mbyllin sytë e të lejojnë futjen e mbetjeve të rrezikshme, për jetën e qytetarëve…..

Thuhet, se jo pak por 4 milionë euro kanë paguar te kryeministri lobuesit e importit të plehrave. Në Shqipërinë ku Rilindja qeveris, po largohen me dhunë investitorët e mëdhenj, seriozë Glaxo, Actavis, Bankers, koncesionari gjerman i aeroportit Rinas, Omnis…etj. që do hapnin mijëra vende pune në shumë sektorë… ndërkohë që po lejohen bizneset mafioze të kazanit të plehrave të Ramës.

Por rreziku është akoma më i madh se ai që dihet e që mendohet. Mjafton ti referohemi librit “Gomorra” të Savianos, për të kuptuar se kush merret dhe kush e zotëron biznesin e plehërave. …Biznesi i plehrave është i rrezikshëm e problematik edhe në shtetet me të zhvilluara e më të konsoliduara në botë, jo më në Shqipëri ku qeveria është e kapur nga krimi dhe bandat, ku qeveria është e paaftë për të kontrolluar territorin e mbuluar nga kanabisi, ku administrata është e paaftë të kontollojë importin e plehërave, e ku as shqëria civile nuk ka as tagrin e as mundësinë e as përgjegjësinë për të kontrolluar e monitoruar importin e plehërave… Nuk dimë në detaje mbi amendamentin e LSI pasi negociatat më shumë se 5 orë kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit dhe jam e sigurt që kanë shkuar përtej importit të plehrave, por nuk mendojmë që është detyrë e Shoqërisë Civile të bëjë atë cka ka premtuar dhe është votuar të bëjë një qeveri. Shoqëria civile përmban specialistët dhe ekpsertët më të mirë të cdo fushe, por ajo duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj si “ëatchdog” i politikave qeveritare.

Tashmë është e qartë, pse Rama po investon në infrastrukturën aeroportuale duke i siguruar mafies eksportin e drogës në rrugë ajore, ujore dhe tokësore. Ky udhëtim pritet së shpejti të bëhet biznes përfitimi “vajtje-ardhje”. Avionët nuk do të bëjnë rrugë bosh, së shpejti ngarkesa import mund të jenë mbetjet e rrezikshme. Për krimin s’ka sovranitet, kufijtë janë thyer nga paratë e drogës dhe plehrave!

Të nderuar qytetarë,

Po cfarë ndodh me procesin e riciklimit të mbetjeve në Shqipëri??? Kush pra është ana tjetër e medaljes??? Ku shkojnë, si përpunohen dhe riciklohen plehrat???

Pak javë më parë një histori tronditëse u zbulua nga gazetarët investigativë. Pak minuta larg zyrës së Kryeministrit, zëvëndësi i tij në Bashki, Erion Veliaj shfrytëzonte rreth 50 fëmijë edhe të moshës 10 vjec në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë.

Një fëmijë vetëm 17 vjec, i punësuar në të zezë në këtë landfill u masakrua. i ndjeri Ardit Gjoklaj dyshohet se humbi jetën aksidentalisht, por të padiskutueshme janë faktet se qëllimisht rrethanat u fshehën, dhe trupi i fëmijës u trajtua në mënyrë cnjerëzore, duke shkelur edhe kodet e shqiptarëve, atë më të shenjtin, të respektit për kufomën.

Media të tjera raportojnë që Arditi nuk ishte viktima e parë. Para Arditit një tjetër person ka humbur jetën në landfill, por kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë. Një grua 49 vjeçe, nënë e dy fëmijëve është vrarë aksidentalisht nga mjetet e kompanisë “3R” vetëm 8 muaj më parë. Sipas dëshmive shoferi i kamionit ka qënë i dehur, ndërsa përgjegjësit e blenë heshtjen e familjarëve. Varfëria, lufta për mbijetesë i detyroi të ulin kokën familjarët e të ndjerës e të pranojnë para në këmbim të heshtjes së tyre…

Kryebashkiaku Veliaj ju premtoi punë me standarte dhe sigurime…por këto ngjarje dhe dëshmi të tjera vërtetojnë se Sharra është kthyer në një zonë skëterre, Sharra është kthyer në “zonë vdekjesh”.

Rama përmendi Elbasanin, por nuk guxoi edhe sot të prononcohej për Sharrën pasi e vërteta e Sharrës është tronditëse dhe dramatike. Investigimi kurajoz i ndërmarrë nga Drejtoresha e Lajmeve në të një TV, Alida Tota bashkë me stafin e saj zbuluan që:

  • Në landfilldin e Sharrës, administruar nga Bashkia e Tiranës dhe Firma 3R, (sic e përmenda më lart) shfrytëzoheshin 50 fëmijë, duke filluar nga mosha 10 vjeç;
  • Ky shfrytëzim do të vazhdonte edhe sot nëse nuk do të humbte jetën Arditi 17 vjeç, që punonte në landfill turn i tretë;
  • Veliaj në një dëshmi televizive post – produksion, të montuar nga zyra e tij e shtypit u bëri thirrje qytetarëve të punësoheshin ne landfill pasi do të punojnë me kontrata dhe siguracione. Por e vërteta është, se i zhytur thellë në korrupsionin e plehrave lejoi të shfrytëzoheshin fëmijë, gra dhe burra, të cilët u trajtuan si skllevër, pa kontrata dhe pa siguracione. Sipas dëshmive në investigim, një pjesë e grave janë larguar me dhunë nga landfilli pa marrë asnjë pagesë për punën e bërë;
  • Portali hashtag.al ka nxjerrë në dritë një fakt tjetër tronditës: të dhënat zyrtare, të Inspektoriatit të Punës, dëshmojnë që 124 qytetar punonin në të zezë, pa kontrata, pa sigurime, pa asnjë standart në landfillin e Sharrës; (http://ëëë.hashtagalbania.com/index.php/2016/08/25/ekskluzive-thellohet-skandali-te-pakten-124-vete-punuan-si-klandestine-ne-landfillin-e-sharres/)
  • Veliaj dhe kryetari socialist i Peqinit, i kërkuar nga drejtësia por që mbrohet nga Edi Rama, nuk kishin siguruar asnjë kusht higjieno-sanitar;
  • Në landfill nuk respektoheshin kushtet teknike të sigurisë në punë. Riciklimi kryehej nga punonjësit pa pajisjet mbrojtëse dhe s’merrnin as trajnime për sigurinë teknike.

Po ku ishin institucionet përgjegjëse per verifikimin e kontratave, kushteve e standarteve në Landifllin e Sharrës?

Ku janë institucionet për mbrojtjen e grave? Po agjencia për mbrojtjen e femijëve?

Shfrytëzimi i 50 fëmijëve në Landfill-in e Sharrës, vetëm 10 minuta larg zyrës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe 8 minuta nga zyra e shefit të tij Rama është dëshmia e kapitullimit të institucioneve shtetërore.

Pse kjo censurë???

Cfarë fshihet në landfillin e Sharrës???

Pse hesht Rama??

Pse hesht Veliaj

Pse hesht Ministri Klosi???

Sot, nga kjo foltore, dua t’i bëj thirrje Prokurorisë të thellojë hetimet për këtë krim shtetëror, për të cilin kanë edhe një provë të pakundërshtueshme, një investigim mediatik të lenë në gjysmë të rrugës, pas shkarkimit nga puna të Drejtoreshës së Lajmeve, znj. Tota. Kryeprokurori duhet të rinisë punën, aty ku gazetarët e ndërprenë për shkak të censurës.

Të nderuar kolegë,

Parlamenti nuk mund, nuk duhet të votojë ligjin e blerë nga mafja në zyrën e Ramës për mbulimin e vendit me mbeturina dhe mbetje te rrezikshme. Jashtë kontrollit është gjithcka në këtë sipërmarrje të paligjshme të Qeverisë. Këtu institucionet i janë dorëzuar krimit dhe askush nuk mund të mashtrohet më se kjo palo qeveri do të kontrollojë nga do i hyjnë plehrat.

Unë, jam kundër këtij pr.ligji, jo aq për ligjin në vetvete se me ndonjë amendim e në konsultim të gjerë me shoqërinë civile mund të bëhej i mirë. Po Unë nuk kam besim te Qeveria ime. Unë nuk kam besim te Kryeministri i vendit tim. Unë nuk kam besim që një ligj i blerë nga mafja do jetë i mirë për fëmijët e mij për fëmijët tuaj, për fëmijët e shqiptarëve. Unë nuk kam besim që rama nuk do ti hapë rrugë të gjitha mbetjeve të rrezikshme e helmeve nga vendet fqinje apo ato të Europës.

Grupi Parlamentar i PD shpreh votën Kundër ligjit për importin e plehrave! Këtu dua të sqaroj që nuk jemi kundër biznesit privat. Nuk duam as t’u heqim bukën e gojës atyre që jetojnë duke punuar në këto biznese…por Grupi Parlamentar i PD i thotë JO ‘Mafies së Pleherave’ dhe ‘Bandës në Pushtet’.

Grupi Parlamentar i PD është kundër këtij pr.ligji sepse kjo qeveri është e kapur nga krimi dhe bandit, kjo Qeveri është e paaftë për të kontrolluar territorin e kanabizuar tashmë, ndaj jemi të bindur që është e paaftë të kontollojë importin e plehërave.

Partia Demokratike i thotë JO ligjit të plehrave, se bespjmë që ky është interesi më i mirë për të gjithë shqiptarët; ky është interesi më i mirë për familjet tona; ky është interesi më i mirë për fëmijët tanë!!!

Sepse ne, Demokratët e duam Shqipërinë të pastër dhe ekologjike.

E duam Shqipërinë pa mbetje të rrezikshme.

E duam Shqipërinë të bukur e turistike.


Fjala në Kuvend e deputetes Albana Vokshi, 22 Shtator 2016