Deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza HajdarMataj dhe drejtuesja e Departamentit të Bujqësisë, Enkelejda Sallaku ishin pranë fermërëve në zonën e Hasit, një nga zonat më të prekura nga sëmundja Nodulare e gjedhit. Qindra familje fermere të varfëra që jetojnë me bagëtinë e tyre nuk kanë pasur mbështetjen e qeverisë ndaj kësaj sëmundje që ka prekur gjedhët e tyre dhe janë duke pritur vaksinat e shtrenjta. Ndërkohë shumë familje të tjera janë detyruar të groposin gjedhët e tyre duke humbur kështu pasurinë e vetme që kanë dhe thuajse burimin e vetëm të ushqimit të fëmijëve të tyre.

“Sëmundja ka disa javë që është shfaqur. Na thanë që do vijnë vaksinat dhe ato nuk kanë ardhur. Kam shkuar vetë në Kukës dhe i kam pyetur se do ti blija vetë. Nuk është bërë asnjë përkrahje nga shteti”, u shpreh një fermer.

“Qeveria tha kemi marrë masa por nuk na kanë ardhur ilaçe. Unë shkova i bleva vetë ilaçet se kisha frikë për lopën. 40 deri në 50 mijë lekë. Se sa do jenë efektive nuk e dimë tani. Por i bëmë vetë”, tha një banor tjetër.

Deputetja Hajdarmataj u shpreh se Partia Demokratike do të kërkojë dëmshpërblimin e tyre nga ana e qeverisë. “Jemi një nga zonat e varfra të vendit që mbahet nga blegtoria. Kemi një ministri inegzistente që nuk po ndihmon fermrët dhe nuk po i gjindet fermerëve kur hallin e kanë tek dera. Ministri ka ardhur tek zona juaj por a po vijnë vaksinat?! Ne jemi këtu që të sensibilizojmë ministrinë që të veprojë më shpejt. Rasti është kapur me vonesë dhe masat po merren me vonesë.  Kësaj zone të varfër e të rrënuar po i shtohet edhe taksa e rrugës së Kombit. Unë si deputete do ngre zërin që çdo familje e dëmtuar të dëmshpërblehet”, tha Hajdarmataj.

Drejtuesja e Departamentit të Bujqësisë, Enkelejda Sallaku u shpreh se qeveria ka dështuar në manaxhimin e kësaj situate serioze. Vaksinat mungojnë ndërkohë që shërbimi veteriner është shkatërruar pothuaj plotësisht. Ajo apeloi që ministria të veprojë sa më shpejt në mënyrë që nesër të mos jemi në kushtet e një emergjence kërcënuese për gjithë sektorin e blegtorisë, gjedhin dhe bagëtitë e imta.

“Ne po e ndjekim këtë problematikë të madhe në Qarkun e Kukësit, atë të Dibrës e tani që po shtrihet edhe në Shqipërinë e Mesme. Kemi konstatuar një neglizhencë nga qeveria e rilindjes dhe aspak politika mbështetëse ndaj fshatit për këta fermerë. Jemi në një nga zonat më të varfëra dhe njerëzit e kanë lidhur jetën me pak tokë dhe një ose dy gjedhë dhe këto 3 vite nuk kanë pasur asnjë subvencion. Sot kemi rastin e sëmundjes nodulare te gjedhi dhe kjo qeveri nuk ka marrë masa për ti mbështetur dhe as për ti kompensuar. Çfarë do të behet me këta fermerë që e kanë lidhur jetën me këto pak gjedhë?! Kjo qeveri nuk ka ndërmend ti kompensojë. Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje, në radhë të parë ministrit të Bujqësisë që të mos vijë këtu vetëm për shoun e radhës por në mënyrë të menjëhershëm të ngrejë shërbimin veterinar që është sakatuar dhe nuk funksionon. i bej thirrje veterinerëve që janë në profesion të lirë që të vijnë e të vaksinojnë kafshët që kanë mbetur të paprekura që të mos kemi përhapje dhe emergjencë kërcënuese për gjithë sektorin e blegtorisë, gjedhin dhe bagëtitë e imta. Kërkojmë edhe kompensimin e tyre dhe të hiqet dorë nga kompensimet abusive për njerëzit pranë kësaj qeverie por të mbështeten direkt fermerët. Siç ka deklaruar kryetari Basha, ne do të mbështesim direkt fermerin shqiptar”, tha Sallaku.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Gusht 2016