Partia Demokratike shpreh ngushëllimet më të thella familjes Marnikolli në Lezhë për humbjen  e jetës së Pëllumbit në Greqi. Ne kërkojme me forcë zbardhjen  e rrethanave të ngjarjes.

Dëshmitë e familjarëve të Pëllumb Marnikollit janë tronditëse dhe ata faktojnë se njeriu i tyre është paraqitur me 3 gusht në një komisariat policie në Greqi, dhe prej andej ka dalë i vdekur.

Kjo është një ngjarje e rëndë që meriton drejtësi dhe ndëshkim shembullor për cdo përgjegjës për vdekjen e 29 vjecarit shqiptar.

Dyshimet janë se ndaj të riut shqiptar është ushtruar dhunë. Dhe nëse kjo vërtetohet, ky është një rast i përsëritur i trajtimit cnjerëzor të shqiptarëve në qelitë greke, në kundërshtim me cdo normë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Tranparenca dhe drejtësia për këtë rast do të ishte një ngushëllim për familjarët e viktimës, por dhe një kontribut në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Dhe kjo është më së pari detyrë e përgjegjësi e kryeministrit.

Ne i kërkojmë Edi Ramës, i cili e ka përcjellë me heshtje këtë rast, që të ushtrojë detyrën e tij, dhe të kërkojë nga aurotitetet greke hetim të plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për vdekjen e Pëllumb Marnikollit.


Deklaratë e Sekretares së Marrdhënieve me Publikun, Grida Duma​, 15 gusht 2016