Të nderuar bashkëqytetare dhe bashkëqytetarë,

I nderuar kryetar i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha,

I nderuar profesor Sherefedin Shehu, kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Dibrës,

Të nderuar deputetë,  miq e mbështetës të garës sonë,

Unë, jam Irini Shehu, mjeke dhe kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas në Dibër,

Jam sot këtu për të garantuar në emër të nënave, vajzave, grave të Dibrës, për t’i ofruar mbështetjen  tonë  profesor Sherefedin Shehut, kryetarit të ardhshëm të Bashkisë Dibër.

Profesor  Shehu, ka bashkuar rreth vetes si askush më parë gra të djathta, të majta  e të paangazhuara. Ka bashkuar  qindra nëna që në këto 3 vite janë zhytur në varfëri dhe dëshpërim, nga pamundësia për të ushqyer fëmijët, për t’u siguruar energjinë elektrike, për t’u mundësuar arsimin, për t’u siguruar kushtet më jetike.  Sherefedin Shehu ka bashkuar rreth vetes qindra intelektuale që e dinë se qeverisja është punë që kërkon profesionist.   Dibra nuk ka më kohë për të humbur, nuk ka më kohë për eksperimente , Dibrës i duhet Sherefedin Shehu  i cili është provuar si menaxher dhe si askush tjetër, e di se për çfarë ka nevojë Dibra, di të gjenerojë dhe menaxhojë fonde.

Shumëkush i dha votën të majtës për ta provuar. Po sot?  Ngado dëgjon poemë mjerimi.  Jo vetëm që nuk është mbajtur asnjë premtim, por gjendja është përkeqësuar dhe më tej.
Shembujt  të panumërt na ka ofruar vetë në këto tre vjet të uzurpimit të pushtetit.

Meqë profesioni im është ai i mjekes dhe jam çdo ditë në kontakt me pacientët, do t’ju risillja në vëmendje, megamashtrimin e shëndetësisë falas…
 Shëndetësia është sot në ditën e saj më të zezë.  Nëpër spitale mungojnë ilaçet më jetike, ilaçet e skaduara janë kthyer në shqetësim për çdo njeri.  Shëndetësia falas është  mungesa e shtretërve në spitale që pacientët të paguajnë tek bizneset e tyre. Shëndetësia falas për ta është largimi nga puna i infermierëve  dhe sanitarëve. Shëndetësia falas është degdisja e mjekëve profesionistë në zonat më të thella vetëm se nuk mendojnë si rilindas.  Shëndetësia falas është check up-i i famshëm përmes të cilit miliona Euro po përfundojnë në xhepat e qeveritarëve dhe klaneve të tyre.

Çdo mjek që ka besuar tek shëndetësia falas sot, është dhe duhet të jetë i turpëruar.

Të dashura nëna, motra, zonja dibrane.

Nga ky podium sot, dëshiroj  t’ju ftoj  të votoni profesor Sherefedin Shehun,  jashtë bindjeve partiake, jashtë interesave të vogla familjare.

Dibra është shtëpia jonë e madhe që ka nevojë të drejtohet nga më i mençuri, siç na njeh historia, dhe më i miri që është provuar si i tillë në karakter, dije, profesionalizëm. Ky është  Profesor Sherefedin Shehu, kryetari i ardhshem i bashkisë  i cili,  jam e bindur se do të na bëjë të ndjehemi mirë, sa herë që në çdo familje shqiptare  do të flitet për Dibrën e jo të ulim kokat e të kapërdijmë mospajtimin me atë që thuhet për të, sikundër na është dashur të bëjmë këto kohët e fundit.

Bëhuni pjesë e fitores që nuk do të keqadministrohet !

Fitorja e profesor Sherefedin Shehut është fitore për Dibrën, për gjithsecilin prej nesh!

Ju faleminderit!


Fjala e kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas, Irini Shehu  ne hapjen e fushates ne Diber per zgjedhjet kryebashkiak