Edi Rama ka shtuar presionin e tij kriminal ndaj gjykatave sot, duke kërkuar të mbyllë skandalin e përgjimeve, të rikthejë në detyrë Cakon dhe po ashtu të nxjerrë të lirë Elvis Rroshin.

Presioni dhe kërcënimet kriminale të Ramës ndaj gjykatave kanë ardhur në rritje prej ditësh dhe sot kanë njohur kulmin, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë për masën e sigurisë për Cakon, dhe gjykata e Tiranës do të vendosë për masën e sigurisë për Rroshin.

Cako dhe Rroshi janë personazhet kulminante të dy prej krimeve më të rënda të Edi Ramës, që janë përgjimet e paligjshme, dhe inkriminimi brutal i pushtetit.

Me shantazhet e paprecedenta ndaj gjykatave, Edi Rama kërkon të mbyllë skandalin e përgjimeve të paligjshme, pasi është vetë i përfshirë.

Rama është në duart e Cakos, i cili do të flasë e do të tregojë nëse Edi Rama nuk i siguron paprekshmëri.

Presioni që po ushtron për Rroshin, është përpjekja e tij për të mbajtur trafikantët e banditët, e për të penguar dekriminalizimin.

Partia Demokratike i dënon me ashpërsi këto kërcënime kriminale ndaj gjykatës dhe i kërkon institucioneve të drejtësisë të vendosin të pandikuar nga Rama dhe të ndikuar vetëm nga ligji.


Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, 16 qershor 2016