Partia Demokratike mbështet kërkesat e drejta të komunitetit 3500 banorësh

Qindra banorë të njësisë vendore Krutje në Bashkinë e Lushnjës kanë protestuar dje për mungesën e shërbimeve dhe rënien drastike të mirëqenies së tyre. Ky komunitet prej 3500 banorësh nuk kanë rrugë, kanalizime dhe grumbullim të rregullt të mbetjeve urbane. Sipas banorëve, ekonomia e tyre është ulur pasi krahas mungesës së infrastrukturës ata vuajnë edhe çmimin e ulët me të cilin shesin produktet bujqësore që prodhojnë.

“Kemi probleme të shumta. Plehrat nuk mblidhen. Nuk ka rrugë. Në 3 rrugët e fshatit janë të pashtruara dhe nuk ka asnjë ndriçim. Bashkia kërkon edhe taksë gjelbërimi kur nuk ka mbjellë asnjë pemë. Eshtë bërë për të ikur nga ky vend, sepse jemi pa rrugë, nafta e shtrenjtë dhe çmimi për prodhimet është i ulët”, shprehen banorët.

Kreu i Partisë Demokratike të Lushnjës,  Myslym Murrizi mbështeti protestën e banorëve të Krutjes duke i cilësuar kërkesat e tyre si legjitime.

“Jemi këtu në mbështetje të protestës së qytetarëve të Krutjes për problemin e parë emergjent të tyre për rrugën Krutje-Lifaj. Jetojnë 3500 banorë në këtë njësi dhe kjo rrugë është premtuar disa herë nga pushtetarët lokalë. Ky komunitet i mrekullueshëm kërkon shërbim për pagimin e taksave. Ata kanë edhe problem të tjera siç është edhe subvencionimi i bujqësisë. Sot në opozitë dhe nesër në pushtet do të jemi në të drejtën e qytetarëve për shërbimet e tyre. Është elementare në 2016 që një komunitet në zemër të Shqipërisë dhe Myzeqesë të ketë rrugën. Protesta e tyre është e dejtë dhe qytetarët duhet të reagojnë në këtë formë ndaj çdo qeverie që nuk mban premtime”, tha Murrizi.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 13 qershor 2016