Për t’i treguar se sa e rëndë është gjendja e fermerëve dhe se Edi Rama erdhi me mashtrime në pushtet fermerët e Çermës e çuan zotin Basha në një fermë lopësh të falimentuar. Në vitin 2013 fermeri kishte 50 lopë dhe zoti Rama i premtoi se do t’i 10- fishonte. Sot 3 -vjet më pas ai nuk ka asnjë lopë pasi ka falimentuar.

Fermer: Ka qenë Kryeministri përpara se të vinte në pushtet dhe i ka thënë :” Sa kokë ke?”, ai i ka thënë: “Kam 50 kokë”-“ Do t’i bësh 500 kur të vij unë në pushtet”. Shikoje sa ka tani. ASNJË.
Në rrethin e Lushnjës në dijeninë time nuk merr asnjë subvencion. Janë  2-3 kokrra që marrin subvencione,  të paracaktuara.

Fermer: Kemi patur 48 lopë.

Basha: 48 lopë këtu në këtë vend?

Fermer: Edhe 25 mështjerra.

Basha: 48 kokë dhe tani s’ke asgjë.

Fermer: Asgjë.

Basha: Po pse i hoqe?

Fermer : Nuk mbahen.

Basha: S’ia dilje dot?

Fermer: Jo, jo nuk ia dilja dot.

Fermer: Kostoja e prodhimit me atë që shesim është shumë e lartë. Ne pothuajse kemi falimentuar. Jo pothuajse, po ajo është e falimentuar.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se në qeverisjen e  ardhshme bujqësia do të jetë prioritet. 150 milionë euro do te jetë buxheti për bujqësinë, ku 100 milionë do të shkojnë për subvencionimin e fermerëve.

Basha: 1.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto mbështetje buxhetore për bujqësinë, kjo është 150 milionë euro në vit. 50 milionë për infrastrukturën, për kanalet, për digat, për ujitjen, për rrugët e  aksesit, për tregun, se edhe tregu është problem dhe 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta për fermerët.  Sot planifikojnë 5 milionë, nuk i shpërndajnë as 2 milionë sepse i vjedhin. Me 100 milionë euro subvencione çdo familje fermerë do të mbështetet drejtpërdrejtë me lekë në dorë. Nuk do të ketë as kërkesë për NIPT, nuk do të ketë as burokracira të tjera, as të kesh kaq dynym, as të kesh kaq kokë lopë, sa kokë mështjerra ke, sa hektarë tokë ke, po ti punosh do të marrësh subvencion nga shteti. Kjo është skema jonë.

Të rinjtë e Çermës i shprehen zotit Basha  shqetësimin për mbylljen e filialit të Universitetit
Bujqësor. Ky filial u jepte mundësi të rinjve të Myzeqesë të specializohen për bujqësinë. Zoti Basha ka theksuar se të gjitha filialet do të hapen duke u fokusuar tek rritja e cilësisë.

Student: Këtu ishte një universitet që të gjithë fermerët çonin fëmijët e tyre në mënyrë që të arrinin të rriteshin dhe të profesionalizoheshin, të rritej si cilësia, ekonomia, arsimi brenda qytetit të Lushnjës. Kjo gjë që nga momenti që erdhi PS në pushtet u hoq nga Lushnja.

Basha: Të gjitha filialet do të rihapen dhe do të financohen. S’kemi ne hesap të mbyllim filiale. A po, cilësia do përmirësim dhe do të ketë përmirësim.

Një situatë të rëndë paraqiten dhe fermerët e Dushkut. Rritja e çmimit të plehrave, karburantit, ka rritur koston e prodhimit dhe ka çuar drejt falimentimit fermerët.

Fermer: Këta na kanë shkatërruar, na kanë degjeneruar në atë farë feje që nuk ke nga e shtyjmë më. Unë kam 20 kuintal fasule kam dy vjet ende të pashitura, të pashitura i kam aty nuk pyet njeri.
Fermer: Një dynym e gjysëm serë kam unë, një milion e gjysëm lekë më bën farishtja e domates që e kam blerë në Elbasan. Nga këto 1 milionë e 200 mijë lekë unë, gati 2 milionë kam marrë gjithsej, pa futur këtu krahun e punës, helmet, çdo gjë. Dhe  subvencionimet  s’i ka parë njeri. Rrojmë, po s’rrojmë.

Fermer: Po të rrish edhe një vit të gjithë këto burrat këtu do t’i shikosh barkas. Se po s’pate lekë, po s’pate … ça do bësh, se sera kanë të gjithë, po s’kanë lekë. Ka marrë njeri lekë?  Ku janë lekët?

Fermer: Po i shikojmë në televizor që po ikën8 droga me kuintal ne s’na lë të hamë një qese bukë, bukë. Atë nuk e di unë, se shikoj televizorin dhe vetë nuk i kam parë. Kështu që unë them Zoti dhe neve bashkërisht, ti që do ta marrësh çfarë premtimi na jep se ne jemi në pikë të hallit.

Basha: Artur përgjigjja është kjo, për çdo kokë bagëtie, lopë, mështjerrë, çfarë të kesh, për çdo dynym tokë që punon fermeri shqiptar do të ketë mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore, lekë në dorë nga shteti. 80 milionë në vit këta i bëjnë rrush e kumbulla për zyra e makina, 15 milionë në vit i bëjnë rrush e kumbulla vetëm për bileta avioni. Imagjinoni se ku shkojnë paratë e taksapaguesve.

Zoti Basha vizitoi dhe një kompani prodhimi. Sipërmarrësi shprehu shqetësimin për taksat e larta, rritjen e çmimit të energjisë çka ka çuar në reduktimin e numrit të punonjësve dhe uljen e pagave.

Pronar kompanie: Energjia asnjë lloj rimbursimi. Shumë, shumë po flitet jo subvencionime, jo gjëra. Unë kam kaq kohë këtu që unë s’e kam parë dorën e shtetit.

Basha: Si çdo kompani tjetër ti do të kesh uljen e taksës nga 15 % në 9%, zerimin e dividentit, TVSH-në në 15% dhe kjo padyshim do të japë një impakt pozitiv ty si biznes. Çfarë presim nga ty është të hapësh më shumë vende pune dhe t’i paguash më mirë punëtorët.
Pronar kompanie: Jemi të mirëkuptueshëm në qoftë se na vini një dorë dhe ne u japim një dorë këtyre.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 26 Qershor 2016